Jete & Stil

Reklamat për qumështin formula të paligjshme, nënat po heqin dorë nga ushqimi me gji

Edhe pse qumështi formula këshillohet vetëm në raste të veçanta, në vendin tonë prindërit po shkojnë drejt tij, të shtyrë nga një sërë faktorësh, ku ndër më kryesorë është reklamimi masiv dhe i paligjshëm që i bëhet këtij produkti. Reklamimi i këtij qumështi ndalohet me ligj që prej vitit 1999 në Shqipëri, por reklamat e llojeve të ndryshme i sheh ngado, sidomos në rrjetet sociale.

“Në Shqipëri ka një kulturë ku rëndësinë më të madhe e ka ushqyerja me gji. Që në momentin që janë shtatzënë, nënat fillojnë dhe marrin këshilla nga pediatri për ushqyerjen me gji”, thotë për Gazetasi.al Mirela Dibra, mjeke pediatre. Ajo shton se edhe në momentin që nëna lind, mamitë janë të urdhëruara të vendosin fëmijët direkt në gjirin e nënës pikërisht për të prezantuar fëmijën me gjirin dhe qumështin e gjirit.

Më pas, nëna fillon dhe merr përsëri këshilla nga mamitë dhe mjekët për të ushqyer fëmijën me gji.

Kësaj i shtohet edhe kultura që është në vendin tonë ku në mëmësi ‘bëhen pjesë’ edhe të tjerë pjesëtarë të familjes.

Por, në çfarë momenti ndodh kalimi në qumështin formula?

“Kalimi në qumështin formula ka disa arsye, ku të gjitha janë negative”, thotë Dibra.

Si fillim, nënat mund të kenë probleme dhe janë të detyruara t’u japin fëmijëve të tyre qumësht formula, me këshillën e mjekut.

Dibra tregon se ka shumë nëna, sidomos vajzat që bëhen nëna në një moshë të re që vizitat tek mjeku pediatër i bëjnë vetëm kur duhet të peshojnë fëmijën apo kur kanë vizitën e caktuar për vaksinë.

“Ka nëna që për dy muaj, nuk e vizitojnë fëmijën fare nga një mjek pediatër”, edhe pse dy muajt e parë janë mjaft vendimtarë për ushqyerjen e fëmijës pasi në këtë periudhë fëmija ‘zgjedh’ se çfarë dëshiron të pijë.

Nënat në javët e para të mëmësisë kanë shumë probleme me gjirin si bllokim të kanaleve të gjirit dhe para se ti drejtohen një këshilluesi, “zgjedhin t’i provojnë fëmijës qumështin formula”. Në këtë moment fëmija do të zgjedhë. Duke qenë se pirja në një biberon është shumë më e thjeshtë dhe ‘praktike’ për fëmijën, ai zgjedh ushqyerjen me biberon dhe rrjedhimisht me qumësht formula.

Gjithashtu, Dibra shton se një rol të madh luan edhe reklamimi i markave të ndryshme të qumështit formula. Ka kompani që dërgojnë pako falas tek prindërit e rinj, që reklamojnë produktin e tyre nëpër farmaci të ndryshme dhe së fundmi, edhe në media.

Për të shmangur këtë, ka një ligj që në vitin 1999 për “Nxitjen dhe mbrojtjen e të ushqyerit me gji”, ligji 8428.

Në këtë ligj thuhet se “Prodhuesve dhe shitësve u ndalohet reklama dhe promovimi i zëvendësuesve të gjirit, duke përfshirë këtu paraqitjen speciale, vizuale në ekrane dhe nëpërmjet internetit dhe mediave sociale, reklamat për ulje çmimi, çmimet stimuluese, shitjet speciale, ulje çmimi me kushte të veçanta apo dhurata, si dhe promovimi i tyre ne një qendër shëndetësore apo institucion tjetër te sistemit shëndetësor shtetëror ose privat”.

Edhe pse është e ndaluar me ligj që në vitin 1999, nënat e reja janë të ekspozuara ndaj alternatives “më të mirë” sipas reklamave për ushqyerjen e fëmijës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë