Ka mjaftuar një projektligj për daljen e parakohshme në pension të gjyqtarëve që, Polonia ta gjejë veten në një betejë të “përgjakshme” politike, jo vetëm me kundërshtarët e brendshëm, por edhe me Bashkimin Europian. Gjithçka nisi disa muaj më parë, kur parlamenti polak vendosi se të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë duhet të dilnin në pension sapo të mbushnin 65 vjeç. Një vendim i tillë do të rezultojë në shkarkimin e menjëhershëm të 27 nga 74 gjyqtarët që shërbejnë aktualisht në këtë gjykatë. Ligji i ri parashikon gjithashtu zgjerimin e Gjykatës se Lartë me 120 gjyqtarë, duke i dhënë kështu qeverisë fuqinë për të emëruar pothuajse dy të tretat e gjyqtarëve të gjykatës supreme nga e para.
Qeveria polake këmbëngul se reforma drejtësisë ka për qëllim përditësimin e sistemit joefikas dhe zëvendësimin e gjyqtarëve që vijnë që nga epoka komuniste, e cila u rrëzua në vitin 1989. Mosha e detyrueshme e pensionit pritej të hynte në fuqi të martën, por javën e kaluar Asambleja e Përgjithshme e gjyqtarëve vendosi se rezolutat e shkarkimeve të tyre ishin në kundërshtim me garancitë kushtetuese të pavarësisë së gjyqësorit. Ata arritën të garantonin mandatin e Małgorzata Gersdorf, presidentes se Gjykatës së Lartë. Sipas rezolutës së përbashkët, Gersdorf dhe të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që janë kërcënuar me daljen në pension, do të vazhdojnë të qendrojnë në detyrë.
Përpara se të hynin në ndërtesën e gjykatës, mëngjesin e sotëm, Gjyqtarët e u mblodhën së bashku, në një shfaqje solidariteti dhe sfide. Një gruq shoqatash avokative bënë thirrje për protesta kombëtare në mbështetje të tyre, duke bërë që qindra protestues të mblidheshin para hyrjes së ndërtesës. Pasiguria për të ardhmen e gjykatës u thellua edhe më tej këtë javë, pasi Komisioni Europian njoftoi se do ta çonte qeverinë polake në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, duke deklaruar se "këto masa dëmtojnë parimin e pavarësisë gjyqësore.” Sipas komisionit, Polonia nuk i përmbush detyrimet e saj, sipas nenit 19 (1) të Traktatit të Bashkimit Europian. Qeverisë polake i është dhënë një muaj për t'iu përgjigjur njoftimit, pas të cilit mund të urdhërohet të heqë dorë nga projektligji.
"Edhe nëse komisioni nuk mund të bllokojë largimin e gjyqtarëve që kanë mbushur moshën e re të pensionit, ai mund të bllokojë emërimin e pasuesve të tyre- tha Marcin Matczak, profesor i drejtësisë në Universitetin e Varshavës- Por ndërkohë, gjyqtarët duhet të mbajnë një qëndrim të ashpër, për t’i sinjalizuar shoqërisë polake se shkarkimi i tyre në këtë mënyrë do të ishte një krim kushtetues".
Qeveria ka akuzuar gjyqtarët për përfshirjen e tyre në politikë, duke argumentuar se ata duhet të respektojnë vullnetin e parlamentit polak. "Ashtu si çdo qytetar i Polonisë, edhe Małgorzata Gersdorf duhet t’i bindet ligjit”, tha një zëdhënës i Ministrisë polake të Drejtësisë. Gersdorf nga ana tjetër, deklaroi se qeveria po përpiqej të emëronte një tjetër president të "përkohshme", në vend të saj, duke theksuar se brenda Gjykatë së Lartë, do të ketë dy kryetarë rivalë. Sipas saj, secila palë do t’i bindet presidentit të saj.
Qeveria ka argumentuar se është shumë e nevojshme që gjyqtarët t’i nënshtrohen moshës së zakonshme të pensionit, duke përdorur shembullin e një gjyqtari që ndaloi së kryeri detyrën vetëm pasi ndërroi jetë.
"Qeveria nuk duket të kuptojë se ekziston një dallim mes një gjyqtari që zgjedh të dalë në pension, ose ndërron jetë dhe një gjyqtari që është i detyruar të largohet- tha Matczak. Presioni politik nuk është kushtetues, por vdekja po."
Të kombinuara me legjislacionin që i jep qeverisë polake kontrollin e organit që emëron gjyqtarët, shkarkimet do t'i jepnin parlamentit kontrollin efektiv të Gjykatës së Lartë. Përveçse shërben si gjykata më e lartë e apelit në të gjitha rastet civile dhe penale, gjykata është gjithashtu përgjegjëse për verifikimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve./The Guardian/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.