Treg

Reforma e pagave / Shteti i rriti me 17%, por nuk e ‘ndoqi’ privati

Nga Gazeta ‘SI’ - Gjatë tremujorit të dytë 2023, paga mesatare mujore në vend arriti 70.905 lekë, duke u rritur me pothuajse 17% në raport vjetor. Kjo është rritja më e fortë në 4 vitet e fundit dhe duket se është shtyrë nga rritjet në sektorin shtetëror.

Specifikisht, rritja e pagës për administratën ka rezultuar 20.4% për të njëjtën periudhë. Ne vlera nominale, paga mesatare në shtet raportohet 82.207 lekë, kur një vit më parë ishte 68.245 lekë.

LEXO EDHE:
Rritet niveli i punësimit në vend, por shtohen të rinjtë e papunë

Sipas INSTAT, në sektorin privat rritja ka qenë më e ngadaltë, por e dukshme. Paga mesatare në këtë sektor arrin 65.901 lekë, kur një vit më parë ishte 57.327 lekë. Krahasuar sipas vlerës së shtuar, paga në shtet është rritur me rreth 20 mijë lekë, ndërsa ajo në privat rreth 8 mijë lekë, në një vit.

Aktivitetet me pagën më të lartë janë ato financiare e të sigurimit dhe informacioni e komunikimi me paga mesatare 150.000 lekë dhe 120.000 lekë respektivisht.

Sipas profesioneve, ligjvënësit, menaxherët dhe drejtorët ekzekutivë kryesojnë piramidën e pagave, ndjekur nga specialistët dhe format e armatosura. Punonjësit elementarë dhe ata në fushën e bujqësisë janë më të keqpaguarit me paga shumë pak më të larta se ajo minimale.

Rritja e pagës mesatare në shtet në një normë kaq të lartë brenda pak muajve lidhet me nismën e qeverisë ‘për të çuar pagën mesatre 900 euro’ siç pati premtuar kryeministri Edi Rama. Në qershor 2023, në sektorin shtetëror nisi reforma e pagave, ku të gjithë punonjësit, përfshirë parlamentin patën një rritje të pagës së tyre, që do të jetë progresive deri në vitin 2025.

Kryeministri Edi Rama pati lajmëruar se efekti në buxhet do të jetë rreth 83 mld lekë dhe se do të jetë një nxitje e fortë edhe për sektorin privat, që do të ndikohet nga rritjet në shtet.

“Specialistët e thjeshtë në administratën publike do kenë një rritje page deri në 81 mijë lekë, mësuesit e gjimnazeve mbi 100 mijë lekë dhe ata në arsimin bazë deri në 94 mijë. Një rritje të konsiderueshme pedagogëve të gjithë sistemit universitare me 20%, duke iu dhënë mundësi që ata të shkojnë në 30%, sepse ato janë autonomë. Infermierët do të shkojnë nga 87 mbi 90 mijë lekë. Për zjarrfikësit deri në 80 mijë lekë. Do të vijojë rritja e pagave edhe për forcat e armatosura dhe punonjësit e gardës”-shpjegoi kryeministri Rama paka para zgjedhjeve të 14 majit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë