Politike

‘S’ka logjikë’, Xhafaj abstenon për pagat e gjyqtarëve të Kushtetueses: E kanë më shumë se GJKKO që merret me krimin gjithë ditën

Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj është shprehur parimisht pro rritjes së pagës për gjyqtarët e Kushtetueses në Komisionin e Ligjeve (ku u diskutua propozimi), por ajo që ai shfaqi si ‘jo logjike’ është shifra se sa.

“Një gjyqtarë i Kushtetueses i bie të marrë 644 640 lekë dhe një i GJKKO që gjykon nga mëngjesi deri në darkë i bie të marrë 376 380 lekë.

Nuk jam kundër rritjes së pagave, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të kenë pagë më të lartë, por personalisht nuk e kuptoj si është ndërtuar e gjithë kjo, ky përpjesëtim kaq i madh dhe fakti që këta paskan një vështirësi të madhe në punë mbi këta që gjykojnë krimin, korrupsionin që hetojnë dhe gjykojnë edhe këta për korrupsion.

Keni futur një rreth pa shumë logjikë të shëndetshme gjykoj unë personalisht. Jam pro rritjes së pagës, por brenda një logjike, dhe jam kundër shtesës për vështirësi, 58% që e keni shtuar”, u shpreh ai. Në fund te diskutimit, ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese u miratuan me 12 vota pro, 1 abstenim (Fatmir Xhafajt) dhe 1 votë kundër (Oerd Bylykbashi).

Ndryshimet konsistojnë në rritjen e pagave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Posaçëm të Apelimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë