Treg

Rritet niveli i punësimit në vend, por shtohen të rinjtë e papunë

Nga Gazeta 'SI' - Në tremujorin e dytë 2023 niveli i punësimit në vend, u rrit me 2.7%  nga një vit më parë, por vetëm 0.1% nga tremujori paraardhës. Shkalla zyrtare e punësimit për popullësinë në moshë punë është 67.4% sipas Instat.

Nga ana tjetër edhe shkalla e papunësisë është ulur me pothuajse 2% në raport vjetor dhe me 0.7% nga tremujori i shkuar.

Shkalla e punësimit tek të rinjtë në raport vjetor nuk ka ndryshuar, mbetet 44.1%. Ndërsa nga tremujori i parë ai ka rënë me 0.9 pikë përqindje. Si rezultat papunësia tek të rinjtë është rritur me 2.1 pikë përqindje nga një vit më parë, por është ulur me 0.2 nga tremujori i parë 2023.

Ndonëse burrat dominojnë tregun e punës, rritjen më të madhe e kanë pasur gratë, me 4.1 pikë përqindje në një vit. Kështu, papunësia tek gratë është ulur me 1 pikë përqindje dhe për burrat është rritur me 0.3 pikë përqindje.

Sipas INSTAT, numri i të punësuarve për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i dytë i vitit 2022 në tremujorin e dytë 2023, është rritur me 2.7 %. Në terma vjetorë, punësimi ulet me 6.1% në sektorin e bujqësisë dhe me 1.8% në sektorin e industrisë, ndërsa u rrit me 11.9% në sektorin e shërbimeve.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2023, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 0.1 %. Punësimi u ul me 4.3 % në sektorin e bujqësisë, rritet me 2.5 % në sektorin e industrisë, dhe me 2.1 % në sektorin e shërbimeve.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023, 15.7 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 10,0 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 13.3 % në paaftësi të përhershme.

Gjatë tremujorit të dytë 2023, 5,0 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë