Taksa

“Reduktimi i rimbursimit të TVSH-së për fermerët, politikë elektorale konfliktuale”

Nga Ilir Hysa - Debati mbi Tatimin e Vlerës së Shtuar ka ekspozuar disa aspekte shqetësuese mbi strukturën e ekonomisë shqiptare dhe të politikave ekonomike të sotme.

Ilir Hysa

Shqipëria ka një ekonomi që prodhon pak dhe që ende varet disproporcionalisht nga sektori agro-blegtoral, i cili gjetkë ose paguan taksa simbolike ose subvencionohet për të përmbushur proritete kombëtare.

Në një këndvështrim tjetër, ndryshimet e kohëve të fundit të lënë shije të hidhur në disa nivele. Për shembull, reduktimi i shkallës së rimbursimit të TVSH-së nga 20% në 6% është në dukje një masë për të korigjuar një gabim të mëparshëm por edhe një përpjekje për të siguruar burime të reja të ardhurash për financat publike, gjë që është normale nëse të ardhurat shtesë përdoren për nevoja të ngutshme të qytetarëve shqiptarë. Them për të korrigjuar një gabim, sepse vetë qeveria pati pranuar se skema e mëparshme e TVSH-së po favorizonte grumbulluesit e prodhimeve bujqësore e blegtorale më shumë sesa fermerët. Pra, në dukje masa e re sinjalizon korrigjimin e një “padrejtësie” të bërë ndaj fermerëve.

Është e vërtetë që fermerët në Shqipëri abuzohen nga tregtarët. Ajo që nuk shkon në këtë rast, megjithatë, është fakti se një lëvizje e tillë duket më shumë si llogari elektorale sesa si politikë e mirëfilltë ekonomike sepse dëmton ata që pretendon se mbron.
Ndonëse kjo ulje rimbursimi shitet si imponim i një takse të re vetëm mbi industrinë agro-ushqimore, ajo ka implikime të rëndësishme negative edhe për pjesë të tjera të ekonomisë, përfshirë fermerët.

Duke qenë se përpunuesit e produkteve ushqimore nuk e përballojnë dot një taksë të tillë, ata do të mundohen ta kalojnë një pjesë të mirë të taksës mbi fermerët dhe konsumatorët shqiptarë. Më keq ende, ka gjasa që agropërpunuesit do të hasin rezistencë nga fermerët dhe mund të zgjedhin të importojnë produkte që trajtohen ndyshe në skemën e trajtimit të importeve, duke dobësur kështu kërkesën për prodhimet bujqësore e blegtorale vendase.

Thënë shkurt, ky është një shembull tipik politikash ekonomike konfliktuale. Le të mos harrojmë se kanë kaluar vetëm pak muaj nga koha kur u vendos të hiqet krejtësisht TVSH-ja mbi inputet bujqësore për të ndihmuar fermerët shqiptarë. Masa e fundit çon drejt anullimit indirekt të masave të tjera lehtësuese për fermerët shqiptarë. Kam parasysh këtu listën shtesë të artikujve të përjashuar nga TVSH-ja, të përfshirë në paketën fiskale këtë vit, dhe që synonin të ndihmonin fermerët. Artikuj të tillë, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, janë furnizimi i makinave bujqësore, furnizimi i inputeve bujqësore, furnizimi i shërbimeve veterinare, me përjashtim të atyre për kafshët shtëpiake, etj.

Agropërpunuesit kanë të drejtë në një pikë: ndryshime të tilla duhet të bëhen më graduale. Çdo ulje dyshifrore rimbursimi, si rasti i fundit 14%, është i dëmshëm për çdo biznes, madje edhe për entitetet e fuqizuara mirë.

Ilir Hysa Senior Economist pranë Moody's Corporation


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë