Biznes

Reçelët dhe glikotë artizanale të Anxhelës

Sabina Veizaj- Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me Vajtimin e Ajkunës, pjesën lirike të ciklit të kreshnikëve, por me një brand reçelërash dhe glikoshë që ka zgjedhur për emër Ajkunën si një përfaqësi që trashëgon shijet shqiptare.

Reçelërat, glikotë dhe shurupët e Ajkunës kanë veçantinë se janë artizanalë dhe të kujtojnë shijet e fëmijërisë.

Këto ditë Ajkuna ishte në Panairin e Artizanatit në Pazarin e ri, ku shumë të rinj kanë sjellë në mënyrë moderrne produktet e të shkuarës.

Tek stenda e Ajkunës është një çift turistësh të shoqëruar nga një djalë shiqptar. Ata degustojnë një shurup, e pëlqejnë dhe interesohen për përdorimin e tij.

“Shurupi hollohet me ujë, pihet ose i hidhet ëmbëlsirave të ndryshme dhe akullores sipër”- u shpjegon Anxhela e më pas u paketon për dhuratë një shurup.

Idea e Ajkunës është e Anxhelës, e cila e ka trashëguar dashurinë për gatimin e reçelit dhe glikosë nga familja e saj kolonjare.

“Edhe pse prindërit më kanë lindur në Tiranë, unë kam përpara syve pamjen kur tezet konkuronin me njëra-tjetrën se kush do të bënte glikonë më të mirë. Kur jeton në një mjedis të tillë këto gjëra të injektohen pa dashje dhe unë tani e kutpoj që gatuaj siç gatuante ime më dhe tezet e mia”-kujton Anxhela.

Anxhela ka studiuar regji në Akademinë e Arteve dhe ka punuar gjithmonë si përkthyese,

Por si të gjithë fëmijët e kësaj kohe që nuk rreshtin nga kërkesat, edhe djali i Anxhelës, 8 vjeç në atë kohë kërkonte pa fund 20, 30, 50 lekësha.

“Kështu që mendova se edukimi më i mirë në lidhje me lekun, ishte ta mësoja ta nxirrte vetë. Nisa ti thoja që të dilte të shiste në rrugë kavanozat me reçel që ne kishim më tepër se ç’konsumonim. Unë isha me këpucë të kuqe atëherë, dilja me humbje, vetëm doja të edukoja tim bir. Reçelërat po shiteshin. Ai u tregua i zgjuar; nisi tu shiste kryesisht njerëzve që njihte, miqve tanë. Njerëzve u pëlqente reçeli ynë dhe ktheheshin e kërkonin për herë të dytë. Mendova; përderisa njerëzit kthehen, e duan këtë biznes. U ula, e mora më seriozisht, krijova një faqje ëeb. Nisëm tua çonim vetë njerëzve. Shpërndarjen e bënte im shoq me motorr. Brenda vitit të parë u dhjetë-fishua. Brenda vitit të dytë shtëpia u kthye në punishte, ishte e pamundur të vazhdohej më.”- tregon Anxhela për fillimet e Mjam Mjam katër vite më parë. Biznesi i shtëpisë u pagëzua në këtë mënyrë pasi vajza e vogël e Anxhelës kur i provonte reçelërat dhe glikotë bënte mjam mjam sepse i pëlqenin.

Pas kërkesave të shumta që nuk përballoheshin më në kushtet e shtëpisë, Anxhela mori një vit pauzë dhe ndaloi prodhimin e reçelëve dhe glikove. Gjeti një ortak për biznesin, (Aroma Katering) i cili ofron mjediset dhe paisjet. “Vendosëm ta ribrendonim komplet nga fillimi; nga Mjam Mjam të ishte një produkt tipik shqiptar që është Ajkuna.

Mjam mjam është një term i përdorur shumë në Serbi, Bullgari, Maqedoni. Ishte një zgjidhje e shpejtë. Unë e njoh marketingun dhe produkti kërkon një zgjidhje të mirëmenduar kur ti do të hysh seriozisht në treg.

Doja të ishte një produkt tipik shqiptar, dhe kush më mirë se Ajkuna do ta përfaqësonte, pasi edhe recetat e reçelërave dhe glikove janë të trashëguara brez pas brezi.”- më thotë Anxhela.

Përpos recetave të trashëguara nga familja, Anxhela ka një libër të vjetër të recetave tipike shqiptare, që nuk e lëshon nga dora dhe e mban të fshehtë, të cilin ajo e konsideron si një manual të shkëlqyer.

Ajkuna fizikisht ndodhet tek Markata e Peshkut, dyqani i dytë, hyrja e dytë. Gjendet edhe në disa dyqane që kanë produkte tipike shqiptare.

“Kam qenë shumë përzgjedhëse kur kam vendosur të shpërndaj Ajkunën në dyqane të tjera. Ajkuna si produkt shqiptar do të ndodhet në dyqane që kanë po produkte shqiptare, jo në  çdo market të mudnshëm. Ajkuna ndodhet sot tek; Mia, Luga e Argjendë, Natyral Organicks, së shpejti do të jetë në 5 dyqane të tjera dhe shpresojmë edhe në Rinas, jemi në bisedime.”

Duke e pyetur për çmimet dhe a pati Anxhela një ide se për kë do të prodhonte, ajo më shpjegon se çdo produkt artisanal është më i shtrenjtë se ai industrial. “Në fillim nuk e denim se si do shkonte, nuk e dinim se si do të ishin çmimet. Pastaj gjithçka u var nga kostoja sepse duke qenë produkte artizanale dhe natyrale, sigurisht që kostoja e tyre është më e lartë se sa një produkt industrial. Po ti shtosh edhe dashurinë brenda do të ishte e paçmueshme, por nuk e fusim. Ato janë produkte që bëhen në sasi të vogla, vazhdojmë punojmë me tenxhere si në shtëpi. Kuptuam që target grupi janë njerëz me të ardhura mesatare dhe të larta. Është shumë i preferuar nga të huajt. E zgjedhin njerëzit që u kujton shijen e fëmijërisë, por që nuk kanë kohë që ti bëjnë vetë.”- më shpjegon Anxhela duke u ankuar disi sepse ajo që ka dashur gjithmonë janë produktet Bio, “por në Shqipëri është thuajse e pamundur të gejsh produkte të tilla me çertifikatë. Përpiqem vetë të zgjedh fshatarët, kam gjetur 2-3 furnizues. Nuk mund të them që është gjithmonë Bio, por unë zgjedh fshatarët që u pëlqen krimbi krahasuar me pesticidin. Ne marrim të freskëtat dhe më të mirat, jo ato që ngelen. Kjo shquhet në shijen e produktit.”

Produktet e Ajkunës kanë tre linja; Reçel, gliko, shurupe dhe Anxhela po përpiqet të fusë edhe një linjë të tretë që janë glikotë e veçanta.

Deri tani Ajkuna ka 8 lloje reçelërash dhe 1 lloj glikoje.

“Nuk janë të përcaktuar llojet e glikosë sepse jemi artizanalë. Gjeta në një moment një fik shumë të mirë nga Kavaja dhe thashë do ta bëj gliko fiku. Që nuk e kisha menduar më parë.

E njëjta gjë më ndodhi edhe  me trëndafilat. Është një korçar që jeton në Tiranë dhe më sjellë trëndafila me aromë shumë të mirë. Kur e mbaruan procesin si lule, unë i zieva dhe i bëra shurup. Kemi disa gjëra që i dimë, por  këtë vit i humbëm sepse hapëm dyqanin. Fiku i egër, arra, glikoja e trëndafilit. Tani po përpiqemi të bëjmë glikonë e patëllxhanit. Dimë ato që janë klasiket; Qershi, kumbull, manaferrë, mjedër, pjeshkë, shalqin, rrush, portokall, limon. Rrushin po bëjmë tani. Nëqoftëse na del diçka rrugës, jemi të hapur ti provojmë, Tani kam bërë reçel pjepri, për shembull. Kam provuar, por nuk e kisha gati këtë vit; lule vile me mollë. Janë produkte që do të jenë vitin tjetër.”

Tek Ajkuna punojnë shumë pak veta; Anxhela dhe bashkëshorti i saj janë ata që u rrinë të gjitha gjërave mbi kokë, dhe një vajzë që Anxhela më thotë se e duan shumë dhe i rri stilit të tyre. Nëse do të zgjerohen në të ardhmen , ajo më thotë se do të lindë vetë nevoja për  një staf më  të madh.

“Konsumatori duhet të mësohet që produkti artisanal në një moment mbaron. Produktin industrial mund ta gjesh në çdo kohë, produkti artisanal mbaron. Ne na pëlqen kjo lloj filozofie, sepse gjërat e vogla duhet të jenë kështu, më të pakta. Nuk di nëqoftëse do të zgjerohemi vitin që vjen, por kemi në plan të fusim disa produkte të tjera në funskion të reçelit dhe glikosë. Çdo gjë natyrale dhe artizanale. Kam një parim; unë gatuaj për fëmijët e të tjerëve si për fëmijët e mi sepse këto produkte hanë edhe fëmijët e mi. Të paktën nuk dua të mbaj njeri në ndërgjegjje sepse dua të fitoj më shumë lekë. Rrugës do të mësojmë se si do ecim.”- më shpjegon Anxhela. Ajo ka dëshirë që dyqan-punishtja e saj e vogël të kthehet në një bar, jo vetëm degustimi dhe blerjeje, por edhe qëndrimi dhe konsumimi të produkteve.

Dita ime nis relativisht vonë, në mesditë, atëherë zgjohem. Dita ime vazhdon të jetë e komplikuar. Në varësi të frutave që kam ose shkoj të zgjedh vazhdoj të gatuaj. Në dyqan prodhohen, në dyqan shiten. Kanë mundësi të shohin procesin, kanë mundësi ta provojnë falas disa prej produkteve. Mund të bëjmë edhe dy-tre gjëra parallel, varet nga lënda e parë. Kemi edhe ditë bosh, për marketing, shitje, kemi dashur ta mbyllim në 6, ndodh që ikim në 8 dhe tani e mbyllim në 10. Pastaj unë shkoj përkthej deri në 2, 4. Unë e them gjithmonë që luajmë shpiash, Të del një gjë dhe  e bën. Të mban krijues tërë kohën.

Çmimet e produkteve të Ajkunës aktualisht janë fikse; linja e reçelërave 300 gr kushton 470 lekë,  ndërsa glikotë 580 lekë po për të njëjtën sasi. Linja e tretë që do të hyjë së shpejti  me gliko me produkte të veçanta si trëndafili do të kenë një çmim më të lartë.

Ndërsa Mjam mjami nisi me investim 0, Ajkuna më shpjegon Anxhela nisi me investim mbi 300 mijë lekë, plus investimin e ortakut që janë mjediset dhe paisjet.

“Më thonë pse nuk i lë përkthimet? Unë marr tek përkthimet dhe i hedh tek Ajkuna. Unë vazhdoj dhe hedh ende tek Ajkuna. Nuk e di ende nëse ia ka vlejtur. Pas 3 vjetësh do ta zbuloj tamam. Por nëse Mjam Mjam funksionoi aq mirë në fazën embrionale, Ajkuna do të funksionojë po aq mirë. Besoj që nga përvoja dhe puna e qëndrueshme dhe e fort, ta kthen mbrapsht gjithë mundin.”

Ajkuna ka tre muaj në të cilën investohet dhe prodhohet dhe 4 javë që ka nisur shitjet. Ajo që ka vërejtur Anxhela dhe që e gëzon pa masë është se 90% e turistëve ndalojnë, interesohen, u pëlqen dyqani, e provojnë dhe nuk ikin pa blerë një kavanoz,

“Ka shumë njerëz që kthehen gjithmonë për së dyti. E njohin Ajkunën nga rrjetet sociale, ndërsa klientët rastësor  janë të paktë..Paraditja ëshët orari më i mirë.”

Me marketingun Anxhela merret vetë sepse ka eksperiencë 5 vjeçare në këtë sektor. Ndërsa për logon e Brandit ajo ka bashkëpunuar me një agjenci të huaj përmes internetit.

Përpos mediave sociale, aktualisht Ajkuna marketohet në terren me fletë palosje. Por së shpejti do të vijë me një reklamë televizive.

Në një periudhë 5 vjeçare, Anxhela e sheh Ajkunën si një produkt që përfaqëson shumë mirë Shqipërinë. “ Më pëlqejnë tregjet ndërkombëtare. Produkti nuk është i lirë për tregun vendas, por po të kishte çmim real në bazë të kostos, do të ishte shumë më i shtrenjtë, do të vazhdojmë të jemi në dyqane të zgjedhura, Ajkuna nuk është shitje, është një process i gjatë blerjeje. Dua që Ajkuna të jetë jashtë Shqipërisë. Grekët në lidhje me marketingun thonë; vajzën më të bukur të klasës e merr ai që i vë unazën në gisht. Ne mund të kemi të njëjtat produkte me vendet e rajonit, por thonë kosi grek, djathi gerk sepse ata i kanë bërë marketngun të parët. Prandaj duhet të përfaqësohemi.”-më thotë Anxhela

Gjithashtu Anxhela pas 5 vjetësh mendon për një punishte më të madhe, me më shumë gra që prodhojnë po në sasi të vogla dhe që biznesi të mbetet familjar e të trashëgohet.

 

Më Shumë