Futboll

Reali kërcënon Interin, denoncim në UEFA për çështjen “Modriç”

Drejtuesit e Realit të Madridit janë të nervozuar me atë që po ndodh në lidhje me lojtarin e tyre, Luka Modriç, i cili kërkohet nga Interi. Situata është bërë mjaft serioze dhe klubi madrilen është gati ta çojë Interin para gjykatësve të UEFA-s sa i takon kësaj çështjeje. E përditshmja spanjolle “El Mundo” shkruan për strategjitë e kampionëve të Europës për të evituar një tjetër humbje të madhe, pas asaj të Kristiano Ronaldos, që kaloi te Juventusi. Luka Modriç, lojtari më i mirë i Botërorit të Rusisë, është shumë i rëndësishëm për Realin dhe nuk duhet të largohet.

Drejtuesit e Realit janë shumë të shqetësuar nga manovrat e prokuratorëve të lojtarëve dhe më shumë nga heshtja e vetë kroatit. Takimi mes mesfushorit, përfaqësuesve të tij dhe presidentit Florentino Perez do të sjellë më shumë detaje, por duket se dëshira e Modriç, i cili ka kontratë edhe për dy vite të tjera, është për një sfidë të re dhe Interi është gati të përfitojë. Presidenti i Realit nuk dëshiron kurrsesi të lejojë largimin e kroatit dhe ka fiksuar shifrën e 750 milionë eurove si klauzolë për prishjen e kontratës. Interi ofron 15 milionë euro për huazimin fillimisht dhe më pas 20 milionë për blerjen e kartonit.

Luka Modriç dhe presidenti i Realit, Florentino Perez

Për këtë çështje, “El Mundo” saktëson se Reali ka marrë masat dhe është gati të sulmojë klubin italian, duke e denoncuar në UEFA me akuzën e thyerjes së rregullave të “fair-play”-it financiar. Madrilenët i akuzojnë drejtuesit e Interit se po përpiqen ta paguajnë rrogën e Modriçit me një formulë që nuk përputhet me rregullat e UEFA-s, me të ardhura që vijnë nga sponsorizimi i Suning. Interi vazhdon të qëndrojë në heshtje dhe të presë me besim.Nga drejtuesit e klubit spanjoll janë lëshuar gjithashtu akuza edhe për ish-lojtarin dhe ish-drejtuesin e tyre, malazezin Pedrag Mijatoviç, i cili është këshilltar personal i mesfushorit Luka Modriç.    


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë