Arsim

Raporti: Në universitetet e rretheve nuk studiohet më Gjuhë Shqipe

Një studim i fundit nga organizata jofitimprurëse "Qëndresa Qytetare" tregon një të dhënë shqetësuese. Në të gjitha universitet e rretheve në Shqipëri po shkon drejt mbylljes dega e Historisë, Gjeografisë dhe më e rëndësishmja Gjuha Shqipe.

Sipas studimit shkak për këtë është bërë mesatarja e lartë që kanë këto degë edhe pse janë shumë të rëndësishme për shoqërinë.

Në raport përcaktohet se situata ekonomike kthehet në pengesë për qasjen e të rinjve në universitet. Sipas raportit të Friedrich Ebert “Pabarazia në Europën Juglindore”, vetëm 1% e personave që vijnë nga shtresat e varfra në vendin tonë  kanë akses në arsimin publik apo privat. Në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, kjo shifër varionte nga 4% në 11%.  Të dhënat e raportit tregojnë se diskriminimi i të rinjve të shtresës së varfër dhe të zonave më të varfra të vendit për shkollim universitar thellohet akoma më shumë në studimet e ciklit të dytë (Master), për shkak të kostos së papërballueshme të studimeve. Duke nisur nga kjo raporti tregon se pandemia ka thelluar, edhe më shumë vështirësinë e të varfërve për të kryer universitetin.

Gjatë këtij viti akademik janë shtuar aplikimet në universitete e rretheve në krahasim me dy vitet e kaluara. Por megjithëse prurjet e reja, ato nuk kanë qenë të suksesshme për të mbajtur hapur degët e studimit. Degët më të preferuara për studentët shqiptarë për këtë vit akademik kanë qenë ato të infermierisë dhe teknologjisë se informacionit. Vihet re që në mungesë të orientimit të tregut shqiptar të punës, tregu ndërkombëtar dhe kërkesa për infermierë sidomos në Gjermani ka përkuar me dëshirën e të rinjve për t’u diplomuar në këto degë, me qëllim emigrimin në Europë. Në total në këto degë do të ulen në bankat e universiteteve 2346 studentë të rinj.

“Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid19 dhe kufizimit të mundësive për të studiuar jashtë vendit, numri i studentëve që kanë zgjedhur të studiojnë në universitetet publike në rrethe është rritur në krahasim më vitin 2019 – 2020. I vetmi universitet publik në rrethe që ka vijuar tkurrjen është Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, me 17 studentë më pak se një vit më parë në raundin e dytë,” shkruhet më tej në studim.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka pritur numrin më të madh të studentëve në këtë vit. Ky universitet ka shtuar mundësitë për programet 2- vjeçare gjatë 3 viteve të fundit dhe si rezultat në këtë vit janë regjistruar 380 studentë në programet 2- vjeçare. Por sipas studimit në vendin tonë po shkojnë drejt mbylljes degë të cilat lidhen shumë me informimin dhe tregun e punës. Përveç ato të sipër përmendurat degë të tjera  që po shkojnë drejt mbylljes në universitetin “Aleksandër Moisiu” janë Menaxhim -Turizëm Arkeologjia, Turizmi Kulturor, Histori dhe Hoteleri- Turizëm.

Gjithashtu, 14 nga 24 degë janë drejt mbylljes në Universitetin “Eqerem Çabej” Gjirokastër, por numri i të regjistruarve është 132 studentë më shumë se në vitin e kaluar. Rreth 40% e studentëve të regjistruar janë bërë pjesë e programeve 2-vjeçare tek të cilat nuk aplikohet kriteri i mesatares.

Ndërsa, degët më të preferuara për studentët shqiptarë gjatë këtij viti janë  ato të Infermierisë dhe Teknologjisë se Informacionit. Këtë vit sistemit arsimor do t’i shtohen 1319 Infermierë, 468 Mami dhe 262 Fizioterapistë, degë të cilat përkojnë me tregun ndërkombëtar dhe vijimin e eksodit të të rinjve jashtë Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë