Ana e errët

Raporti/ Krime e korrupsion – Sekretet e Zaganjorit, Thanzës, Dvoranit e Zenelit

Refuzim i vizës amerikane, persona të papërshtatshëm të lidhur me figura të krimit të organizuar dhe të korruptuar. Këto janë disa nga konstatimet të nxjerra nga raportet sekrete të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar të siguruara nga Gazeta “Si” për disa prej gjyqtarëve me peshë në sistemin e drejtësisë. Në raportet sekrete të anëtarëve të Gjykatës së Lartë që janë futur në lupën e Vettingut, DSIK ka konstatime të ndryshme pozitive dhe negative për Xhezair Zaganjorin, Artan Zenelin, Admir Thanzën dhe Ardian Dvoranin.

Gjyqtari Zeneli fshehu refuzimin e vizës amerikane
Artan Zeneli është anëtari i Gjykatës së Lartë i përjashtuar nga sistemi i drejtësisë si rezultat i vendimeve të KPK-së në korrik të 2018. Ky vendim u konfirmua nga Kolegji i Posaçëm të Apelimit më 5 shkurt 2019. Sipas raportit sekret i DSIK-së, gjyqtari Artan Zeneli ka fshehur faktin që Ambasada e SHBA-së i refuzoi dhënien e vizës amerikane.
“Artan Zeneli ka plotësuar Deklaratën për Kontrollin e Figurës më datë 16.01.2017 dhe Viza e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i është revokuar më datë 26.01.2017, por subjekti i rivlerësimit ka kryer dorëzimin fizik të Deklaratës për Kontrollit të Figurës me datë 27.01.2017, duke fshehur dhe mos pasqyruar revokimin e Vizës, sipas pjesës Nr.5, germa “g” e deklaratës”, thuhet në raportin sekret. Më tej në këtë dokument të siguruar nga Gazeta SI, DSIK konstaton se kjo është një shkelje e Kushtetutës dhe për këtë Zeneli duhet përjashtuar.

Artan Zeneli para procesit të KPK-së


“Referuar parashikimeve të bëra në Aneksin e Kushtetutës, në nenin DH, pika 4, subjekti i rivlerësimit, Artan Zeneli, evidentohet se ka bërë deklarim të pasaktë në plotësimin e Deklaratës për Kontrollin e Figurës, konkretisht në germën “g” të pjesës Nr.5 “Të dhëna për sigurinë”, thuhet më tej në këtë raport të siguruar ekskluzivisht nga Gazeta “Si”, duke e ngarkuar me përgjegjësinë e fshehjes së faktit dhe me plotësimin jo me vërtetësi të formularit.
Pika 4 e germës “DH” e Kushtetutës parashikon përjashtim nga sistemi i drejtësisë, në rast se konstatohet deklarimi i pasaktë. “Nëse subjekti i rivlerësimit nuk e dorëzon në kohë deklaratën për figurën sipas ligjit, ai shkarkohet. Nëse subjekti i rivlerësimit përpiqet të bëjë deklarime të pasakta, ose të fshehë kontaktet me persona të përfshirë në krimin e organizuar, zbatohet prezumimi në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën”, thuhet në këtë dispozitë kushtetuese.

Raporti Sekret i DSIK, i siguruar nga Gazeta SI


Vetë Zeneli është pyetur në lidhje me refuzimin e vizës gjatë seancës dëgjimore të KPK-së, duke deklaruar se nuk e kishte deklaruar faktin e refuzimit të vizës për faktin se ajo ishte aplikim privat dhe jo për çështje zyrtare.
Ndërkaq probleme KPK ka vërejtur edhe sa i përket pasurisë së tij. Në 10 vite ai ka siguruar pothuajse 50 milionë lekë të reja pasuri, të cilat në deklarimet e tij i ka shpjeguar se i ka siguruar nga paga e bashkëshortes, pjesën më të madhe, të ardhurat si gjyqtar dhe të ardhura nga qiratë. Në pah ka dalë edhe mënyra se si anëtari i Gjykatës së Lartë ka blerë një vile disakatëshe në një zonë rezidenciale tepër të njohur në Tiranë.


Admir Thanza, lidhjet me kriminelët
Raportet konfidenciale të SHISH, Prokurorisë dhe vetë DSIK-së kanë rrëzuar anëtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, duke e cilësuar si një figurë të papërshtatshme për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë.
Në raportin sekret që Gazeta “Si” disponon rezulton se “Admir Thanza ka pasaktësi në plotësimin e deklaratës për kontrollin e figurës, duke mos deklaruar procedimin penal të regjistruar në ngarkim të tij për veprën penale të parashikuar nga nenet 244 e 259 të Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas DSIK-së, kjo çështje është pushuar më datë 29 korrik 2016.
Raporti sekret i DSIK, i siguruar nga Gazeta “Si”, informacionet e mbledhura ngrihen dyshime të arsyeshme për implikimin e tij apo për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Raporti sekret per Admir Thanzën


“Mosdeklarimi në këtë rast, e ngarkon me përgjegjësinë e fshehjes së një fakti, e plotësimit me të pasaktë dhe me vërtetësi të Deklaratës për Kontrollin e Figurës”, thuhet në këtë raport. Gjithashtu përcaktohet se implikimi i tij në veprimtari korruptive, në formën e mitmarrjes, për të kryer ose mos kryer veprim e bën Thanzën si person me tendenca me përfshirjen në veprimtari kriminale dhe një individ që mund të vihet lehtësisht nën presion nga strukturat kriminale.
Një tjetër pretendim është se Thanza është përfshirë edhe në veprimtari të kundërligjshme, i shfaqur si korrupsion pasiv të prokurorit, si dhe ka të dhëna se ka kontakte të papërshtatshme. Gjatë daljes përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtarit nga Shkodra të Gjykatës së Lartë i ka dalë edhe një fakt tjetër i fshehjes së një dënimi të formës së prerë të marrë në Itali në shtetin fqinj. Ai ishte dënuar me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë. Dënimi është dhënë në vitin 1999, por gjyqtari nuk e ka pranoi konsumimin e veprës penale. Për rastin në fjalë, gjyqtari tha se kishte marrë përsipër veprimin për të shpëtuar jetën e nipit, që kurohej në Itali nga sëmundje e rëndë.

Admir Thanza gjatë procesit të KPK-së


Dënimi në Itali është zbuluar nga përfaqësuesit ndërkombëtar të ONM-së, pasi gjyqtari Thanza nuk e kishte deklaruar në formularët e Dekriminalizimit. “Kam tentuar me sinqeritet maksimal që ta shpjegoj edhe në e-maile, edhe në materialet që kam paraqitur, ekzistencën e dënimit. Kurrë në jetën time unë nuk mund ta bëja një gjë të tillë. Mora përsipër diçka për të mbrojtur një fëmijë të mitur. Ai është gjaku im, djali i vëllait tim. Fillimisht, kurrë nuk e dija, sepse ajo ishte një marrëveshje mes avokatit dhe prokurorit dhe që më është thënë që nuk cilësohet si dënim”, sqaroi i përlotur Thanza para trupës së KPK-së. Ai u përjashtua nga drejtësia me një vendim të KPK në 17 korrik 2018. Ndërsa pas ankimit ndaj këtij vendimi të bërë nga ana e Thanzës, Kolegji i Posaçëm të Apelimit në prill të 2019-ës. Por ndaj tij ka nisur edhe një hetim nga prokuroria për fshehjen e faktit të këtij dënimi, pas letrës së porosisë së sjellë nga Italia që konfirmon dënimin e Thanzës për veprën penale.

Raporti për Zaganjorin dhe Dvoranin
Gazeta “Si” ka siguruar gjithashtu edhe raportet sekrete për Xhezair Zaganjorin dhe Adrian Dvorani, që të dy anëtarë të Gjykatës së Lartë. Kryetari i Gjykatës së Lartë sipas raportit të Grupit të Punës së DSIK-së, vlerësohet si i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. “Për subjektin e rivlerësimit Xhezair Zaganjorin nuk administrohen prova, informacione konfidenciale apo informacione të tjera, nga të cilat mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose me persona të dyshuar të krimit të organizuar. Sa më sipër, Grupi i Punës konstaton përshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës të subjektit të rivlerësimit Xhezair Zaganjori”, thuhet në raportin sekret.

Raporti sekret per Ardrian Dvoranin


Kryetari i Gjykatës së Lartë doli përpara KPK-së dhe në 27 korrik të 2018, trupa gjykuese e drejtuar nga Olsi Komici, me relatore Pamela Qirko dhe anëtar Roland Ilia e rikonfirmoi në detyrë. Gjatë seancës dëgjimore të mbajtur me 20 korrik Komisioni i Pavarur i Kualifikimit renditi një listë të gjatë me 20 probleme të evidentuara në pasurinë e Zaganjorit; që nga deklarimet e pasakta e deri te shmangia e taksave apo mungesa e të ardhurave të ligjshme për t’i justifikuar ato.

Kreu i Gjykatës së Lartë i hodhi poshtë disa nga gjetjet dhe këmbënguli se kishte të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar pasurinë e tij, ndonëse pranoi se kishte hasur vështirësi për të siguruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Vendimi i KPK-së u ankimua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga Komisioneri Publik, në bazë të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Monitorimit rishikimin e vendimit të marrë. Trupi gjykues i caktuar me short është i përbërë si më poshtë vijon: Albana Shtylla, kryesuese, si relatore Rezarta Schuetz; dhe anëtarët Sokol Çomo, Luan Daci dhe, Natasha Mulaj.
Kolegji akoma nuk ka dhënë një vendim mbi këtë ankimim të bërë në adresë të kryetarit të gjykatës së Lartë.

Xhezair Zaganjori para KPK-së

Grupi i punës së DSIK-së gjithashtu ka mbajtur një raport të veçantë edhe për anëtarin tjetër të Gjykatës së Lartë, Adrian Dvorani.
DSIK e cilëson këtë kandidaturë të pastër, duke i propozuar KPK për të dhënë vlerësim pozitiv. “Nuk administrohen prova, informacione konfidenciale apo informacione të tjera, nga të cilat mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose me persona të dyshuar të krimit të organizuar. Sa sipër, Grupi i Punës konstaton përshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës të subjektit të rivlerësimit Adrian Dvorani”, thuhet në këtë raport sekret. Në korrik të vitit të shkuar, KPK e vlerësoi pozitivisht Dvoranin. Ai ishte gjyqtari i tretë i Gjykatës së Lartë, i cili kalon Vettingun, pas gjyqtarit Edmond Islamajt dhe Xhezair Zaganjori.
Dvorani është zgjedhur si kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pasi u tërhoq nga gara për në qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë