Ana e errët

Top Sekret/ Gjyqtarit s’iu dha viza e SHBA, prokurori fshehu kallëzimin penal

Vettingu dhe raportet sekrete të hetimit të figurës së pastërtisë nxjerrin zbuluar përfaqësuesit e prokurorisë dhe gjykatave. Në dokumentet e cilësuara si “top sekret” nga procesi i vlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve dalin të fshehtat e errëta të përfaqësuesve të sistemit drejtësisë.
Raporti sekret i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka zbuluar se gjatë kontrollit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj ka fshehur pikërisht faktin se Ambasada Aerikane i ka refuzuar vizën.

“Grupi i punës nëpërmjet DSIK, është informuar se me datë 26.06.2017, subjektit të rivlerësimit Besnik Imeraj i është revokuar viza amerikane”, gjë që nuk është pasqyruar në Deklaratën për Kontrollin e Figurës. Raporti sekret që tashmë është i deklasifikuar edhe pse e “justifikon” disi Imerajn, pasi refuzimi i vizës u bë nga Ambasada Amerikane në Tiranë 9 ditë pasi ai kishte nënshkruar deklaratën, theksohet se ky fakt duhet të merret në konsideratë në kompleksitetin e vlerësimit të figurës së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj

“Shqyrtimi i aplikimit për vizë të SHBA-së shoqërohet me verifikimin të besueshëm dhe profesional të aplikantit. Marrja e vizës së SHBA-së kuptohet si standard për pastërtinë e figurës ku aplikanti i nënshtrohet një procedure të imtësishme dhe të besueshme vettingu. Ndërkohë që refuzimi/revokimi i vizës mund të bëhet për disa arsye, sjellim në vëmendje se Ambasada e SHBA-së, ka deklaruar se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore që ka në dispozicion për refuzimin/revokimin e vizave të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Kjo praktikë e ndjekur nga SHBA për promovimin e luftës kundër korrupsionit, anembanë botës. Refuzimi i vizës përkon në periudhë në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së. Në këtë kontekst rekomandojmë vlerësimin e këtyre rrethanave në dritën e informacioneve të tjera që keni”, thuhet në raportin e DSIK që disponohet nga Gazeta "Si".


Gjyqtari, lidhje me njerëz nga bota e krimit
Në raportin sekret, figura e gjyqtarit Besnik Imeraj cilësohej si e papërshtatshme lidhur me faktin se ai ka lidhje me përfaqësues të krimit të organizuar. DSIK në këtë raport thekson se subjekti nuk ka renditur në listë një kontakt që konstatohet nga informacione të besueshme dhe nga prova të tjera. “Në mbështetje të pikës 4 nenit 39, të ligjit 84/2016 ekzistojnë të dhëna nga Autoritet se subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Në rastin konkret z. Besnik Imeraj nuk ka pasur një komunikim rastësor dhe se ai është evidentuar në lidhjen e tij me persona të përfshirë në krimin e organizuar”, thuhet ndër të tjera në raportin e siguruar nga Gazeta “Si”. Ndërsa është fshirë fakti se sa është numri i personave që ka lidhje me krimin dhe emrat e personave. Për të gjitha këto fakte, DSIK në këtë raport shpreh si konkluzion se “Grupi i punës konstaton papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës të subjektit të rivlerësimit z. Besnik Babaçe Imeraj”.
Më 31 janar të 2018, tre muaj më vonë nga fakti i daljes së këtij raporti të DSIK-së të depozituar pranë KPK-së, Besnik Imeraj do të deklaronte dorëheqjen si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, duke deklaruar se e ndërmerrte një veprim të tillë për arsye personale dhe shëndetësore. Imeraj ishte një nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që do të dilte kundër ligjit të Vettingut gjatë shqyrtimit të kësaj çështje, padisë së ngritur nga shoqatat e avokatëve dhe PD-ja. Ky vendim i tij, do të detyronte KPK-në që më 8 shkurt të 2018 të deklaronte ndërprerjen e rivlerësimit për kandidatin Besnik Imeraj.

Raporti sekret i DSIK, për Besnik Imerajn


Por anëtari i dorëhequr do të përballej edhe me hetimet e nisura ndaj tij nga ana e Prokurorisë shqiptare. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, në bazë të nenit 281 të Kodit të Procedurës Penale, ka referuar pranë Zyrës së Prokurores së Përgjithshme të gjithë dokumentacionin që rezultoi nga hetimi administrativ gjatë procesit të rivlerësimit të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, zotit Besnik Imeraj”, ishte njoftimi i 20 marsit 2018.
Por ai do ta cilësonte këtë akt me prapavijë politike. “Kjo që po ndodh nuk ka asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore. Që kur Edi Rama dhe qeveria bëjnë kontrollin e gjyqtarëve, çdo gjë është e qartë. Unë jam në rregull dhe nuk kam asnjë problem me ligjin dhe Kushtetutën. Kjo e gjitha është e motivuar politikisht”, do të shprehej Besnik Imeraj në mediat vizive.


Prokurori i lotove që fshehu hetimin
Një tjetër raport tjetër sekret që Gazeta “Si” disponon është ai për prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Artur Selmani, i shkarkuar nga KPK më 26 nëntor 2018, vendim që nuk u ankimua nga Komisionieri Publik. Selmani u bë i njohur nga procesi i Vettingut për faktin se ai kishte deklaruar se një pjesë të ardhurave i kishte siguruar nga bastet sportive në vitin 2006 ka pasur shumën 489.591 lekë, duke përfshirë të ardhurat nga lotaria sportive në shumën prej 400.000 lekësh; në vitin 2007 ka pasur shumën 1.368.966 lekë, duke përfshirë të ardhurat nga lotaria sportive në shumën prej 200.000 lekësh.

Ish-prokurori Artu Selmani


Por në raportin sekret të siguruar nga Gazeta “Si” rezulton se DSIK ka konstatuar se Selmani ka fshehur faktin se është në hetim nga prokuroria dhe se ai është konstatuar se ka kryer korrupsion aktiv. Pikërisht këto fakte e kanë fundosur Selmanin duke bërë që të mos e kalojë procesin e Vettingut dhe të shkarkohet.
“Me shkresën nr.11598, datë 27.10.2017, është përcjellë në Komisonin e Pavarur të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit z.Artur Selmani me konstatimin për papërshtatshmëërinë në vazhdimin e detyrës nga ky subjekt rivlerësimi, bazuar në informacion e ardhura nga institucionet e verifikimit: Prokuroria e Përgjithshme me shkresën “Konfidencial”, Nr.618; SHISH me shkresën “Sekret” dhe SHÇBA me shkresën “Konfidencial”. Konkretisht: procedimi penal në ngarkim të subjektit të rivlerësimit Artur Selmani është regjistruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprat penale “shpërdorimimi i detyrës dhe korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, thuhet në këtë raport sekret.

Raporti sekret i DSIK për Artur Selmanin


Më tej bëhet e qartë se kjo rrethanë nuk është pasqyruar në Deklaratën për Kontrollin e Figurës nga subjekti i rivlerësimit, pasi fakti i regjistrimit penal në ngarkim ka ndodhur pas plotësimit dhe dorëzimit të deklaratës për kontrollin e figurës pranë DSIK-së, një muaj para.
“Por në këndvështrimin e përgjithshëm të kontrollit apo pastërtisë së figurës së një funksionari publik, në rastin tonë, në cilësinë e Prokurorit, çdo dyshim i arsyeshëm për kryerje ose mos kryerje të veprimeve, në kundërshtim me ligjin, në mos përmbushje të rregullt të detyrës dhe kur këto veprime apo mos veprime sjellin përfitime materiale, ose jo materiale të padrejta për vetë si funksionar publik apo persona të lidhur me të, duke dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, apo personave të tjerë, cenojnë figurën e tij, integritetin, shkallën e besueshmërisë dhe e bëjnë këtë individ të mundshëm për t’u vënë nën presion nga strukturat kriminale, sipas përcaktimit të nenit 37 të ligjit “Për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në raport.


Ky nen përcakton se Grupi i Punës, gjatë procedurave të kontrollit të figurës, duhet t’u përmbahet kërkesave të përgjithshme si më poshtë: a) verifikimi i saktë i identitetit në të shkuarën dhe të tashmen, për çdo individ; b) verifikimi nëse ka tendenca kriminale për përfshirjen në krimin e organizuar; c) vlerësimi i përgjithshëm, nëse individi mund të vihet nën presion nga struktura kriminale; ç) kontrolli nëse ka qenë, është ose tenton të angazhohet fshehurazi, vetëm, në bashkëpunim, ose në përbërje të një organizate kriminale.
Nisur nga këto konstatime DSIK thekson se “grupi i punës nisur nga rivlerësimi i të dhënave që disponohen për subjektin e rivlerësimit, nuk ndryshon konstatimin fillestar të dhënë për subjektin e rivlerësimit, papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës nga subjekti i rivlerësimit Artur Selmani”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë