Drejtësia

SPAK sekuestron pasurinë e ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Admir Thanza

SPAK ka vënë nën hetim ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Admir Thanza për dy akuza, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.

Kështu, me vendim të Gjykatës së Posaçme, ish-gjyqtarit i janë sekuestruar këtë të premte dy pasuri, një apartament dhe një garazh, pasi nuk i justifikonte me burime të ligjshme.

Thanza është shkarkuar përfundimisht nga Vettingu në prill 2019 pikërisht për probleme me justifikimin e pasurisë. Gjatë hetimit administrativ nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, doli se ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë kishte fshehur edhe një dënim të marrë në Itali për vjedhje me 40 ditë burg, që më pas i ishte konvertuar.

Gjatë përballjes me KPK, ishte Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që e relatoi faktin që Thanza ishte i dënuar në Itali.

Ish-gjyqtari e pranoi dënimin si fakt, por u justifikua se kishte marrë përsipër dënimin për një familjar të tij emigrant në atë shtet.

Thanza, pjesë e drejtësisë që nga viti 1992 u dërgua nga Prokuroria e Tiranës si i pandehur në Gjykatë, nën akuzën e falsifikimit të formularëve të dekriminalizimit.

52-vjeçari u gjykua pas zbulimit të ONM-së, në të cilin rezultonte i dënuar nga Gjykata italiane me 40 ditë burgim për vjedhjen e një supermarketi.

Ky verdikt i shpallur në vitin 1999 nga gjyqtarët e Pizës që ishte konvertuar në dënim me kusht, është fshehur si fakt në formularët e dekriminalizimit, gjatë kohës që ai ushtronte detyrën e gjyqtarit të lartë.

Ish-gjyqtari që ka qenë në krye të kupolës së drejtësisë si anëtar i Gjykatës së Lartë, për vite me radhë, ndoqi të njëjtën vijë mbrojtjeje edhe para komisionerëve edhe para prokurorëve që e hetuan.

Ai këmbënguli se nuk ka vjedhur asnjëherë në jetën e tij dhe se e kishte pranuar këtë ngjarje për humanizëm për një familjar të tij.

Për shkeljen e dytë, atë të mos deklarimit në formular, Thanza pretendoi se posedonte një dëshmi penaliteti të pastër dhe se nuk ka fshehur asnjë krim. Por edhe alibia e fundit është rrëzuar pas konfirmimit nga shteti italian i shpallur si fajtor. Thanza është gjyqtari i katërt që është nën hetim nga SPAK për fshehje të pasurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë