Mjedis

Raporti i OBSH: Në rrezik nga sëmundjet e kafshëve, kujdes me ushqimin dhe mjedisin

Rajoni ynë është në rrisk nga zoonozat, sëmundjet që transmetohen nga kafshët të cilat në një mjedis të kontaminuar na vënë në rrezik shëndetin përmes ushqimeve që konsumojmë.

Nisur nga një hetim epidemiologjik kryer nga zyra e OBSH/Evropë, konstatohet një neglizhencë ndaj mjedisit, si shkaktar i shumë sëmundjve të kafshëve.

Në raportin e OBSH thuhet se stresorët antropogjenë ndaj mjedisit, si ndryshimi i përdorimit të tokës, rënia e biodiversitetit, ndryshimet klimatike dhe ndotja e mjedisit, shkaktojnë ose përkeqësojnë sëmundjet e ndërmjetësuara nga kafshët.

“Degradimi i habitatit, si përmes bujqësisë, urbanizimit dhe shpyllëzimit, shkakton përhapjen e specieve që janë përshtatur me njerëzit dhe jetojnë në kontakt më të ngushtë me ta.

Rritja e stresit mjedisor dëmton imunitetin e kafshëve të egra, duke shkaktuar derdhje të patogjenëve në mjedis dhe infeksion të individëve dhe specieve të tjera, duke përfshirë njerëzit”, thotë OBSH.

Sipas OBSH, rënia e biodiversitetit është e lidhur fort me rritjen e prevalencës dhe një rrezik të lartë të sëmundjes zoonotike dhe komprometon efektin e hollimit që shpesh redukton përhapjen e patogjenit dhe shkallën e infeksionit te njerëzit.

Në nivel global, ndryshimi i përdorimit të tokës, si dhe gjuetia dhe tregtia e kafshëve të egra janë shkaqet kryesore të humbjes së biodiversitetit që janë gjithashtu shtytësit kryesorë të transmetimit të patogjenëve zoonotikë te njerëzit.

“Ndryshimet klimatike dhe rritja e temperaturave çojnë në përhapjen e bujtësve dhe vektorëve zoonotikë, duke rritur popullatën njerëzore që është e ekspozuar ndaj sëmundjeve të transmetuara nga vektorët. Rritja e temperaturave stimulon më tej shkallën e riprodhimit të patogjenëve dhe vektorëve. Infeksionet që vijnë nga ushqimi gjithashtu shtohen me rritjen e temperaturave”, thuhet në raportin e OBSH.

Përveç kësaj, ndotja grumbullohet në mjedis dhe më tej në indet yndyrore të kafshëve, e bën ushqimin burimin kryesor të ekspozimit të njeriut ndaj ndotësve, duke shkaktuar disa sëmundje jo të transmetueshme si kanceri.

Akumulimi i antibiotikëve në mjedis për periudha të gjata promovon shkëmbimin e gjeneve dhe mutacionet brenda organizmave që krijojnë patogjenë të rinj rezistent.

Së fundi, kontakti i kafshëve të egra me njerëzit në zonat rurale dhe të banuara mund të çojë në lëndime, sulme dhe kafshime.

Në këtë kontekst, OBSH bën thirrje për rivendosjen e habitateve natyrore, biodiversitetin dhe mjediset e pastra mund të përfshihen në këto strategji si çështje urgjente për të mbrojtur shëndetin e njeriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë