Politike

Rama: Teatri do të prishet! Kam 20 vjet që e kërkoj

Edi Rama thotë se që prej dy dekadash i qëndron bindjes së godina ekzistuese e Teatrit Kombëtar duhet të prishet dhe kalimin në pronësi të Bashkisë së Tiranës të truallit nuk e sheh si shmangie të një përgjegjësie ligjore të mundshme në të ardhmen.

“Qëndrimi im është i njohur prej 20 vitesh. Nuk ka asnjë patate të nxehtë! Ka vetëm një proces që zhvillohet sipas ligjit dhe natyrshmërisë së ndarjes së punëve. Bashkia e Tiranës është në të njëjtën kohë dhe agjencia që do të ekzekutojë të gjithë projektin”, deklaroi ai në një intervistë për emisionin “Opinion”.

Kur njoftoi dorëzimin e VKM-së që kalon pronësinë e Teatrit në dorë të Bashkisë së Tiranës, Presidenti Ilir Meta citoi se tekstualisht në këtë vendim përcaktohet prishja e tij. Rama mendon të kundërtën.

“Ne nuk i kemi thënë merre prish, por merre ndërtoje”, tha ai.

Kryeministri e ka cilësuar si të rrezikshme deklaratën e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili bëri thirrje qytetarëve që të mbrojnë me çdo kush teatrin. Basha e cilësoi këtë ‘vija e kuqe’ dhe shembjen njësoj si shpallja e një akti lufte. Rama e cilëson si të shteruar këtë temë dhe akuzon opozitën se po politizon një program zhvillimor.

“Nuk besoj se ka pasur proces më të gjatë në historinë e këtij vendi në debat në distancë me këtë temë. Ky është një atribut ekskluziv i pushtetit ekzekutiv në qeveri dhe në bashki dhe kthimi i një teme me karakter urbanistik dhe zhvillimor në një temë politike tregon vetëm shterpësi dhe asgjë tjetër”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë