Politike

Koronavirusi rikthen plazhet publike, Rama: Mos u çudisni nëse Tirana mbyllet fare

Koronavirusi do të sjellë rikthimin masiv të plazheve publike në bregdet. Kryeministri Edi Rama tha se plazhet do të hapen. Ai nuk dha asnjë datë se kur kjo mund të ndodhë, por foli për kushtet e sigurisë që duhet të plotësohen.

“Nuk duam një protokoll të ndërlikuar se nuk do të bëjmë tani plazh me polici e ushtri që të na thonë jo kaq metra, jo aq metra larg. Nuk do të lëmë asnjë kontratë private për shezlonge dhe çadra, përveç hoteleve. Hotelet kanë turistë, kanë vizitorë ata kanë kuadratin e tyre mund t’i vendosin çadrat sipas rregullave. Pjesa tjetër do të jenë plazhe të lira publike dhe do të bëjmë plazhe si dikur ku shezlonge nuk kishim dhe do të akomodohemi me mjete rrethanore”, deklaroi Kryeministri në një intervistë dhënë për emisionin “Opinion”.

Rama thotë se aktualisht po shqyrtohet mundësia e hapjes së kufijve tokësorë me vendet fqinje.

“Po shikojmë hapjen e kufijve tokësorë me Greqinë dhe Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Është një vendim i vështirë që do e marrim në ditët në vijim, por që do të jetë brenda majit”, tha ai.

Sa u takon lehtësimit të mëtejshëm të masave, Kryeministri u tregua i frenuar. Ai tha se do të shihen shifrat e infektimeve të reja në ditët në vazhdim, por foli me siguri që në një kohë të shkurtër Tirana nuk ka për të dalë nga klasifikimi si zonë e kuqe.

“Rreziku sot është edhe më i madh sepse po hapemi. Ne e kemi hapur vendin në një masë të madhe. Kemi disa zona që kanë regjim të kufizuar. Jam shume i paduruar të shikoj numrat sot,nesër, pasnesër. Tirana do të mbetet zona e kuqe përsëri për shkak nuk japin ende indikacionin që Tirana të jetë zona e gjelbër. Por, brenda kësaj zone të kuqe lehtësimi është i madh.

Për baret dhe restorantet, Rama tha se do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi, të paktën në javën e parë pas 18 majit, vendimi për të ushtruar aktivitetin deri në orë 17:30. Ai kërkoi kujdes nga qytetarët dhe paralajmëroi se në kryeqytet nëse nuk tregohet kujdes situata mund të përkeqësohet dhe të mbyllet fare.

“Mos u çudisni që pas një jave Tirana nga zona e kuqe të kthehet në zonë e mbyllur fare. Nëse numrat vijojnë të flasin kështu, nuk ka shans që Tirana të kalojë në zonë të gjelbër”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë