Politike

PS diskuton përjashtimin për 60 ditë të deputetëve të opozitës

Nga Gazeta 'SI' - Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur mëngjesin e ditës së sotme (11 dhjetor) për të shqyrtuar çështjen e përjashtimit të deputetëve të opozitës dhe atë të marrëveshjes me Italinë.

Në mbledhjen ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, është diskutuar ndryshimi i rregullores për përjashtimin e deputetëve të opozitës pas protestave me tymuese e flakadanë; ndryshime që pritet të votohen në parlament.

Socialistët propozuan përjashtimin deri në 60 ditë të deputetëve, nga 10 ditë që është aktualisht afati maksimal, pas kaosit të krijuar më 4 dhjetor, nga deputetët e PD-së. Bëhet fjalë për deputetët Sali Berisha, Gazment Bardhi, Ervin Salianji, Bledion Nallbati, Asllan Dogjani, Lefter Gështenja, Isuf Çelaj, Luan Baçi, Xhelal Mziu, për të cilët komisioni i Etikës vendosi përjashtimin për 10 ditë.

Po ashtu, qeveria parashikon që seacën e ardhshme parlamentare të kalojë për votim edhe marrëveshjen me Italinë për emigrantët. Ky projektligj ishte menduar të votohej nga Kuvendi javën e ardhshme, por socialistët e kanë afruar për këtë të enjte.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë