Politike

Kaosi në Parlament, Komisioni i Etikës përjashton me 10 ditë 7 deputetë të opozitës

Gazeta Si - Sekretariati i Etikës në Parlament, ka vendosur të përjashtojë për 10 ditë 7 deputetë të opozitës, pas kaosit në seancën e miratimit të Buxhetit 2024.

Më kërkesë të mazhorancës, janë përjashtuar deputetët: Ervin Salianji, Lefter Gështnja, Bledion Nallbati, Asllan Dogjani, Isuf Çelaj, Luan Baçi dhe Xhelal Mziu.

Ishte Partia Socialistë që iu drejtua “Etikës” me firmat e 7 deputetëve të mazhorancës.

Socialistët thanë se deputetët e Partisë Demokratike prej më shumë se dy muajsh me sjelljet e tyre kanë cënuar zbatimin e rregullt të seancave plenare, si dhe janë konfliktuar fizikisht me punonjësit e Gardës, duke hedhur flakadanë e kapsolla në sallën e Kuvendit.

Seanca të enjten e shkuar, zgjati vetëm 7 minuta dhe për shkak të protestës së opozitës, buxheti kaloi pa diskutime.

Të vetmit që dolën kundër protestës së opozitës dhe morën pjesë në votim ishin 4 deputetët që njohin kryetar Lulzim Bashën. Flutura Açka, Merita Bakiu, Andia Ulliri dhe Selaudin Jakupllari votuan kundër buxhetit.

Në kushtet kur Sali Berisha, Gazment Bardhi e Flamur Noka mungonin në seancë për shkak se janë përjashtuar, protesta e opozitës u udhëhoq nga deputetët Ervin Salianji, Nallbati e Dogjani.

Këtë të fundit e përjashtoi nga seanca kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Vendimi erdhi me pretendimin se Asllan Dogjani hodhi tymuese në Kuvend gjatë seancës.

Bashkë me 7 deputetët e përjashtuar këtë të hënë, për Gazment Bardhin Sali Berishën, Edi Palokën, Elda Hotin Flamur Nokën e Albana Vokshin në fuqi është përjashtimi i një jave më parë, i cili nuk lejon as në këtë seancë të jenë pjesë pasi ndëshkimi për ta, përfundon më 16 dhjetor.

Për grupin e deputetëve të dhunës, policia ka referuar në SPAK një padi për procedim penal, duke bërë që aksioni i tyre në parlament t’u rrezikojë deri në 5 vite burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë