Kryeministri Edi Rama prej dy ditësh ndodhet në Bruksel për të lobuar për çeljen e negociatave. Pas takimit me Donal Tusk presidentin të Këshillit Europian, sot Rama ka takuar komisionierin për Zgjerimin, Johaness Hahn dhe më pas shefen për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini.
“Me Komisionerin Hahn për të rejat e fundit, në prag të vendimmarrjes së Këshillit Europian”, do të shkruante kryeministri në një status në Facebook. Hahn ka qenë i drejtpërdrejt në qëndrimet e tij duke i bërë thirrje Francës dhe vendeve të tjera skeptike se është koha për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Madje vetë ai ka shprehur se BE-ja i ka borxh dy “Po” Shqipërisë.
Pas takimit Rama dhe Hahn dhanë një prononcim për mediat. Komisioneri u shpreh se Shqipëria i ka plotësuar detyrimet për 5 prioritet kycce, duke theksuar se duhet të vijohet me reformat.
“Për sa i përket Komisionit Europian, ne jemi jashtëzakonisht të përkushtuar që të vazhdojmë përpjekjet e përbashkëta, për të përmirësuar kushtet e jetesës në rajon dhe veçanërisht në Shqipëri. Do të bëjmë gjithçka dhe shpresoj që sapo të zgjidhen problemet e brendshme të BE-së, të ketë një ndikim pozitiv edhe mbi anëtarësimin e rajonit”, tha Hahn.
Ndërsa Rama u shpreh se Shqipëria e ka bërë atë që është kërkuar. “. Ne e kemi bërë atë që na është kërkuar. Po përtej faktit që çfarë kemi bërë ne dhe çfarë duhet të bëjmë, jemi në kushtet kur në Këshillin Europian diskutohet për çfarë duan, apo nuk duan të bëjnë vetë anëtarët e familjes për familjen e tyre, pasi dihet që një anëtar i rëndësishëm i familjes kërkon një qasje tjetër të të gjithë familjes ndaj këtij procesi”, theksoi kryeministri .
Rama i shoqëruar kësaj here vetëm nga këshilltari për median, Endri Fuga është nisur drejt Brukselit për të zhvilluar lotimet e nevojshme, pas refuzimit të presidenti Macron bëri për çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Pas takimeve të një ditë më parë, si dhe pas mbylljes pa sukses të samitit franko-gjerman, kryeministri e shprehu zhgënjimin e tij, duke postuar në rrjetet sociale një thënie të shkrimtar meksikan Oktavio Paz se “E vetmja gjë që bashkon sot Europën është plogështia e saj përballë fatit”.
Kryeministri Edi Rama dhe pse nuk e ka shprehur pesimizmin e tij për këto zhvillime, nuk ka ngurruar që të deklarojë se edhe pas 19 tetorit, dielli do lindë sërish në Shqipëri. Edhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev ndodhet në Bruksel për të lobuar për çështjen e negociatave. Ai ka qenë më i drejtpërdrejt në qëndrimet e tij, duke dhënë edhe pasojat që mund të ketë bllokimi i këtij procesi, që nga destabiliteti dhe dhënia e dorëheqjes së tij si kryeministër.
“Nëse BE-ja nuk arrin një marrëveshje për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, kjo do të thotë se nuk e vlerëson Marrëveshjen e Prespës. Të gjithë thonë se Marrëveshja e Prespës është, për momentin, një nga marrëveshjet më të mira në Ballkanin Perëndimor. Nëse BE “e ndëshkon” këtë marrëveshje duke shtyrë negociatat e anëtarësimit, si mund të pritet që Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi do të gjejnë një zgjidhje për çështjen e Kosovës?”,- është shprehur Zaev.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.