Politike

Bashkë me durimin, shqiptarët po humbasin edhe besimin tek BE

Bashkimi Europian po humbet gjithnjë e më shumë besimin e qytetarëve shqiptarë. Eurobarometër, një strukturë në varësi të Komisionit Europian publikoi të dhënat e siguruara nga një sondazh i kryer në pranverë në vendin tonë.

Sondazhi rreket që të marrë një vlerësim nga qytetarët shqiptarë për fushat dhe institucionet kryesore që ndikojnë drejtpërdrejtë, ose tërthorazi në përditshmërinë e tyre. Në total, sipas shifrave të publikuara nga Eurobarometër, janë pyetur 1005 vetë në Tiranë e nga rrethe me prejardhje nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe për nga niveli i arsimimit.

Ajo që bie në sy është rënia e besimit tek BE me katër pikë në krahasim me sondazhin e njëjtë të zhvilluar në muajt e vjeshtës së 2018. Në fund të vitit të kaluar, 23 për qind e shqiptarëve prireshin që të mos i besonin Bashkimit Europian. Brenda pak muajve, kjo shifër u rrit me katër pikë, duke shkuar në 27 për qind. Rritja e fortë e mosbesimit ka mbërritur në muajt kur zërat kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit në muajin qershor po forcoheshin gjithnjë e më shumë.

BE po humbet terren ne Shqiperi. Gazeta Si, 6 gusht 2019

Qershori i 2019 ishte një gjysmëpremtim i dhënë që në 2018 nga ana e Brukselit për kandidaturën e vendit tonë, që në këtë rrugëtim, të paktën deri më tani, është shqyrtuar paketë me atë të Maqedonisë së Veriut.

Akuzat e opozitës ndaj përfaqësuesve të BE-së, por deri diku edhe mënyra sesi Bashkimi Europian u përball dhe po përballet me krizën politike që shpërtheu në Shqipëri në shkurt të këtij viti, duket se është reflektuar me shpejtësi në mendimin e shqiptarëve sa i takon BE-së si institucion.

Të anketuarit janë pyetur edhe mbi gjendjen e ekonomisë. Atyre u është kërkuar që të japin një vlerësim mbi gjendjen ekonomike aktuale të vendit. Vlerësimi ndahej në tre kategori; “totalisht mirë”, “totalisht keq” dhe “Nuk e di”.

Pjesa më e madhe e të anketuarve e vlerësojnë “totalisht keq” situatën ekonomike. Gazeta Si, 6 gusht 2019

Rezultati tregon një rritje të fortë në krahasim me 2018 të qytetarëve shqiptarë që e vlerësojnë “totalisht keq” gjendjen ekonomike. Plot 61 për qind e shqiptarëve e vlerësojnë ekonominë “totalisht keq” në sondazhin e Eurobarometër, 14 për qind më shumë se në vjeshtën e 2018.

Në këtë rezultat mund të ketë ndikuar edhe kriza politike, që sapo kishte shpërthyer. Opozita kishte djegur mandatet që në muajin shkurt, por protesta periodike të saj u shoqëruan me episode dhune sidomos përgjatë pranverës.

Ajo që vë re sondazhi i Eurobarometër është se mungon edhe pesimizmi. Shqiptarët nuk presin ndonjë ndryshim të madh ekonomik nga gjendja aktuale në 12 muajt në vazhdim, madje, sipas këtij sondazhi është shtuar numri i atyre që mendojnë se situata nuk do të ndryshojë.

Pjesa dërrmuese e të anketuarve nuk presin një ndryshim të shpejtë ekonomik. Gazeta Si, 6 gusht 2019

49 për qind e të anketuarve besojnë se gjërat do të përmirësohen brenda harkut kohor të një viti, por shifra është 4 për qind më pak se ajo e atyre që besonin në përmirësimin e situatës ekonomike në vjeshtë të 2018.

Ata që nuk presin asnjë ndryshim, as për mirë dhe as për keq janë shtuar me 5 për qind në krahasim me sondazhin e 2018, duke shkuar në 33 për qind, ndërsa ka një rënie të lehtë me 2 për qind numri i atyre që mendojnë se situata ekonomike do të përkeqësohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë