Analize

Reformat e anëtarësimit – Në fakt, sa larg BE-së është Shqipëria?

Vendimi për hapjen e negociatave është vetëm disa orë larg, por ku është Shqipëria në krahasim me vendet e tjera të rajonit për shumë nga reformat kyce të kërkuara nga Bashkimi Europian?

Iniciativa Europiane për Stabilitet ka krahasuar të dhënat e publikuara nga Komisioni Europian për progresin e Tiranës, Shkupit dhe Beogradit, sipas të cilave vendi ynë është më larg anëtarësimit në BE, sesa dy fqinjët tanë, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian Shqipëria duhet të plotësojë pesë prioritete: reformën në administratën publike, reformën në gjyqësor, luftë kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar; dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Niveli i përparimit në këto pesë prioritet do të vendosë edhe hapjen apo jo të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas të dhënave, për të pestë këto fusha, Shqipëria ka një nivel të ulët përgatitjeje.

Negociatat për anëtarësimin e një vendi në Bashkimin Evropian bazohet mbi 35 kapituj të negocimit të bazës ligjore të BE-së. Kapitujt më të rëndësishëm që do të shqyrtohen me vëmendje dhe janë kyç për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, sipas Komisioni Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (BE-Shqipëri), janë Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” dhe Kapitulli 24 “Drejtësia, liria dhe siguria”, do të jenë të parët që do të hapen dhe të fundit që do të mbyllen. Në përmbushjen e negociatave të këtyre kapitujve, përfshihet edhe reforma në drejtësi.

Por në të dy këto kapituj, Shqipëria renditet me keq se Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të cilat kanë një nivel mestar përgatitjeje, ndërsa vendi ynë një nivel të ulët. Pa përfunduar reforma në drejtësi, vendi ynë duket se është ende shumë larg standardeve europiane në funksionimin e gjyqësorit.

Një tjetër fushë thelbësore ku Shqipëria ka mangësi në krahasim me Shkupin dhe Beogradin duket se është edhe ekonomia funksionale të tregut. Sipas të dhenave të Komisionit Europian, Maqedonia e Veriut është në një nivel të mirë përgatitjeje, ndërsa Serbia dhe Shqipëria kane një përgatitje mesatare për të zhvilluar një ekonomie tregu funksionale.

Vendi ynë duket të jetë po ashtu më i papërgatitur se fqinjët tanë për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut pas hyrjes në Bashkimin Europian.
Ekonomia e Maqedonisë se Veriut është e përgatitur mesatarisht për t'u përballur me presionet konkurruese të BE-së ashtu si Serbia, por vendi ynë ka një nivel të ulët përgatitor.
Për sa i përket reformës së administratës publike i Serbia, Shqipëria dje Maqedonia e Veriut janë mesatarisht të përgatitura për reformën e administratës publike.

Megjithatë, goditja më e madhe për vendin tonë vjen për funksionimin e gjyqësorit, fushë në të cilën,Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë në të njëjtin vlerësim, me një nivel të ulët përgatitjeje.

Një tjetër kusht i rëndësishëm është ai i luftës kundër korrupsionit, ku të treja vendet kanë një nivel të ulët përgatitjeje në krahasim me standardet europiane. I njëjti vlerësim vjen edhe për luftën kundër korrupsionit, si Shkupi, ashtu edhe Beogradi dhe Tirana kanë një nivel të ulët përgatitjeje.

Një fushë në të cilën Shqipëria ka përparësi është liria e shprehjes, ku ndryshe nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të cilat kanë një nivel të ulët përgatitor, vendi ynë ka një nivel mesatar përgatiteje.

Edhe në raportin e tij, për vitin 2018, Komisioni Evropian deklaroi se përpjekjet e qeverisë shqiptare vazhduan, duke rezultuar në disa përparime në efikasitetin dhe transparencën e ofrimit të shërbimeve publike, trajnimin e nëpunësve civilë, procedurat më transparente të rekrutimit dhe forcimin e përgjithshëm të procedurave të shërbimit civil bazuar në merita. Megjithatë, sipas komisionit, konsolidimi i këtyre arritjeve duhet të përparojë më tej, për të siguruar një administratë publike më efikase, depolitizuese dhe profesionale.

Raporti i vitit 2018 përqendrohej tek sistemi gjyqësor i Shqipërisë, duke theksuar se duhet ende punë për zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse. Sipas komisionit, rivlerësimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i verifikimit) ka filluar dhe po jep rezultatet e para të prekshme, por ky proces duhet të kryhet nga një autoritet i pavarur, t’i nënshtrohet monitorimit ndërkombëtar dhe të jetë në përputhje me Komisionin e Venecias. Sipas komisionit, Shqipëria ka nevoje për përparime të mëtejshme në në luftën kundër korrupsionit. Raporti thekson se dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë kanë ndodhur kryesisht në gjyqësor (gjyqtarë dhe prokurorë) por se tani e kanë radhën zyrtarët e rangut të lartë të politikës.

Sipas komisionit në përgjithësi ka pasur disa përparime në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Por raporti thekson se Shqipëria duhet të punoje për rezultate operacionale në këtë fushë, duke intensifikuar konfiskimin e pasurive që u përkasin bandave kriminale dhe duke shkatërruar të gjitha magazinave ekzistuese të kanabisit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë