Politike

Rama krijon super ministrinë për ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë: Blendi Gonxhe do drejtojë Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin

Kryeministri Edi Rama ka kthyer në qeveri, ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë në kohën kur vetë ai ishte ministër i Kulturës, Blendi Gonxhe. Dhe jo pak. Gonxhes ai nuk i ka dhënë vetëm ministrinë e Kulturës (që aktualisht drejtohet nga Elva Margariti) por i ka shtuar një portofol të rëndësishëm siç është Ekonomia duke bashkuar për hërë të parë këto dy sektor në një.

Rama i ka dhënë Gonxhes edhe Inovacionin.  Me pak fjalë, Blendi Gonxhe rikthehet në ministrinë e Kulturës pas më shumë se dy dekada, duke i zënë vendin Elva Margaritit dhe duke i marrë Ervin Metes një portofol të rëndësishëm, siç është Ekonomia.

“Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial; kur kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër; kur vetë sektori i ekonomisë në tërësi kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes.

Për këtë nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, kam vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës:, informon Rama në platformën X. Por pse pikërisht Blendi Gonxhen?

“Për drejtimin e kësaj ministrie të re do t’i propozoj sot Presidentit të Republikës, zotin Blendi Gonxhe, një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standarteve europiane”, shkruan Rama.

Aktualisht, Drejtor i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe pak kohë më parë u shpreh në një interviste ndryshe se Rama ‘që në fillimet e tij dukej që kishte një inteligjencë të një shkalle të lartë’.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë