Politike

Rama-Erdogan diskutojnë për bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes. Kërkesa e përsëritur e presidentit turk: Pastroni organizatën FETO

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kanë zhvilluar një bisedë telefonike ku kanë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çështjet rajonale dhe globale, raporton Anadolu.

Drejtoria e Komunikimit e Turqisë, njoftoi se në takim presidenti Erdogan tha se marrëdhënia midis Turqisë dhe Shqipërisë është në një nivel të avancuar dhe se bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes do të forcohet më tej përmes kontakteve tregtare, ekonomike dhe ushtarake.

Sipas Anadolu, Presidenti turk iu referua “përpjekjeve frustruese të organizatës terroriste FETO për të fituar terren në Shqipëri”, si dhe shprehu besimin se Tirana do të vazhdojë të punojë drejt eliminimit të strukturës së grupit në sektorët arsimor, shëndetësor dhe fetar.

Ndërkohë, Ambasadori i Turqisë ka komentuar nga Korça telefonatën e kryeministrit Edi Rama me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Ambasadori Tayyar Kağan Atay tha para gazetarëve se biseda mes dy liderëve ka qenë në kuadër të bisedimeve të vazhdueshme.

“Kanë biseduar për fusha të shumta, është folur edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare.”

Ambasadori përmendi po ashtu se në bisedën mes Ramës dhe Erdogan është përsëritur kërkesa e vazhdueshme për pastrimin e organizatës FETO në Shqipëri.

“...Sidomos në fushën e arsimit dhe fesë dhe kjo është prekur edhe dje në bisedën telefonike.”

Atay shtoi se për përgjigjen që mori presidenti turk, duhet të pyetet vetë kryeministri Rama.

“Lidhur me organizatën FETO duhet të pyesni kryeministrin Edi Rama sesi është përgjigjur në telefonatë, por mund të them se pjesa e pastrimit të FETO-s nga Shqipëria, nuk  është vetëm çështje e Turqisë, është edhe çështje e shtetit shqiptar, ata janë të rrezikshëm. Ky pastrim nuk duhet të bëhet vetëm për Turqinë, por edhe për një të ardhme më të sigurt të vendit tuaj."

Megjithatë, ambasadori turk theksoi se FETO nuk do të jetë pengesë për partneritetin mes dy vendeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë