Ne rrjet

Rai 3: Agaçi, avokati i trafikantëve pas paktit Rama-Meloni. Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrit: Padi për shpifje, burimet duhen verifikuar

Media italiane “Rai Tre”, me anë të një dokumentari ka rikthyer edhe një herë në vëmendje paktin midis kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me homologen e tij italiane, Giorgia Meloni për emigrantët e paligjshëm dhe qendrat e pritjes që do të ngrihen në Shëngjin dhe Gjadër.

Pas kësaj marrëveshje qëndron Engjëll Agaçi, aktualisht sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, vijon më tej shkrimi i publikuar nga “La Repubblica”, e cila zbuloi një pjesë të dokumentarit të realizuar nga Rai Tre para transmetimit.

Dokumentari, i shfaqur në emisionin “Report”, ngre shqetësimet ekonomike duke vënë në dukje që shpenzimet e këtij projekti do të jenë rreth 1 miliard euro, ndërkohë që nuk zgjidhin problemin e emigrantëve. Madje, vijohet më tej, një pjesë e kësaj shume rrezikohet t’i shkojë biznesmenit italian Francesco Becchetti që kërkon paratë e fituara në arbitrazh pas mbylljes së AGON Channel.

Sipas “La Repubblica”-s zbulohet se pas marrëveshjes së kërkuar nga Qeveria Meloni në lidhje me emigrantët, fshihet pikërisht Engjëll Agaçi, “sekretar i kryeministrit Edi Rama dhe po ashtu avokat i eksponentëve kryesorë të mafies shqiptare në Itali, i vënë në qendër e një përpjekjeje të bujshme për të korruptuar shefin të Interpolit në Romë”.

“Agaçi është një avokat i rëndësishëm shqiptar me zyrë edhe në Romë. Në të kaluarën, klientë të tij ishin edhe disa nga bosët kryesorë të mafies shqiptare, të gjykuar në Itali. Në vitin 2016, disa nga klientët e tij përfunduan në qendër të disa polemikave ligjore”- shkruhet në të përditshmen italiane.

Në reportazhin përgatitur nga RAI Tre citohen disa magjistratë italianë të kenë pranuar që shumë shqiptarë me karrierë kriminale në Itali, edhe pse ishin dënuar me shumë vite burg, u ekstraduan në Shqipëri duke iu zbritur dënimi apo duke mos e kryer atë.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi


“Sipas asaj që raportuan magjistratët italianë, shumë bosë të mafies shqiptare, të dënuar me dënime nga 10 deri në 20 vjet në Itali, u ekstraduan shumë lehtë në Shqipëri, ku pasi mbërritën atje ata vuanin dënime shumë më të ulëta ose madje u liruan nga burgu”.

Për Agaçin thuhet edhe se ishte i pranishëm gjatë diskutimeve mes Ramës dhe Melonit për detajet e marrëveshjes për emigrantët, kur kryeministrja italiane ishte me pushime në Shqipëri, verën e kaluar.

Gjithashtu, nga media italiane shkruhet se Agaçi ka qenë konsulent i shefit të Interpolit, Gjeneral Fabrizio Lisi, oficer ndërlidhës mes Tiranës dhe Romës, në luftën kundër trafikut të drogës.

Në atë kohë, Lisi duhej të menaxhonte një operacion pronash të paluajtshme që kishte të bënte me pronësinë e disa tokave për fondacionin e tij dhe iu drejtua avokatit Agaçi, i cili e vuri në kontakt me një të njohur të Artur Sheut, kreut të trafikantëve të drogës me kontakte me Cosa Nostra dhe Sacra Corona Unita.

Sipas deklaratave të Gjeneralit italian, ky i fundit nuk e dinte kush ishte Shehu dhe se kishte besim tek Agaçi.

”Edhe Rama dhe qeveria i besuan Agaçit. Ishte ai që në rolin e këshilltarit ligjor të Ramës, ndoqi në emër të qeverisë shqiptare padinë e paraqitur nga opozita në Gjykatën Kushtetuese shqiptare në lidhje me marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët që mund të bllokonte gjithçka. Agaçi shpëtoi investimin me shumë miliona nga Italia që do të mbërrijnë në Shqipëri. Po flasim për rreth 1 miliard euro në 5 vjet”- mbyllet shkrimi i së përditshmes italiane.

Reagimi i Agaçit

I pyetur nga media italiane “La Republica” në lidhje me dokumentarin e zbardhur nga vetë e përditshmja, Agaçi njoftoi se do të ngrejë padi për shpifje ndaj emisionit.

Reportazhi i realizuar nga programi televiziv sipas Agaçit, është shumë i dëmshëm për reputacionin e tij.
“Kam lënë detyrën ligjore dhjetë vjet më parë dhe krahasimi i bërë nga programi televiziv Report është shumë i dëmshëm për reputacionin tim”.

“Unë kam udhëzuar tashmë avokatët e mi italianë që të ngrenë një padi për shpifje kundër programit televiziv shtetëror italian. Burimet duhet të verifikohen dhe po ashtu edhe lajmet”, citohet të ketë thënë Agaçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë