Politike

Bardhi për investigimin e Rai 3: Pohon që Olsi Rama ka rol në laboratorin e kokainës në Xibrakë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Dekmokratike, Gazment Bardhi ka reaguar në median sociale Facebook pas publikimit të investigimit të bërë emisioni “Report”, në Rai 3, që fliste për rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Engjëll Agaçi si aktori kryesor mes marrëveshjes së emigrantëve me qeverinë italiane dhe përmendej edhe roli i vëllai i kryeministrit shqiptar Edi Rama, Olsi Rama, në laboratorin e kokainës në Xibrakë.

“Dokumentet e konfirmuara dje nga investigimi i “Rai 3”, pohojnë hijen e dyshimit mbi rolin e Olsi Ramës në trafikun ndërkombëtar të kokainës që planifikohej të realizohej përmes Laboratorit të Xibrakës. Nga dokumentet e hetimeve të prokurorisë rezulton se vëllai i kryeministrit shqiptar Edi Rama ka përdorur për lëvizjet e tij të njëjtën makinë që ishte në shërbim të një karteli të narko-trafikut shqiptar, persona që janë gjykuar tashmë pjesërisht dhe që kanë qenë në prani direkte të Olsi Ramës gjatë disa kontrolleve të policisë”, shkruan në Facebook Bardhi.

Bardhi vë theksin se koha kur anëtarët e mafias shqiptare apo narkotrafikantët kanë përfaqësuesit e tyre brenda institucioneve, dhe kushtëzojnë veprimet e qeverisë, “duhet të marrë fund”.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, i bën thirrje SPAK-ut që të rinisë hetimet dhe të ndalojë përpjekjet e Ramës për ta “varrosur” çështjen.

“Është e domosdoshme që pa asnjë vonesë SPAK të rihapë procedimin penal 335/1-2016, të cilin Edi Rama do të dëshironte ta varroste përgjithmonë. Kjo është arsyeja pse ai bëri gjithçka për të izoluar lajmin mbi denoncimin dhe mohoi çdo kontroll të Parlamentit mbi këtë çështje, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”.

“Shqipëria nuk ka të ardhme tjetër përveç rrugës evropiane”, mbyllet reagimi i Bardhit, duke shtuar se duhet bërë “luftë reale ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pa devijime, dhe pa mbyllur sytë ndaj njerëzve të veshur me pushtet nga Edi Rama!”.

Akuzat e Bardhit ndaj Olsi Ramës

Nuk është hera e parë që Bardhi akuzon Olsi Ramën për lidhjen e tij më laboratorin e kokainës në Xibrakë. Muajin e kaluar, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, doli në një  konferencë për shtyp nga selia e PD-së me një objektiv. Ai ishte Olsi Rama vëlllai i kryeministrit Rama.

“Unë sot jam këtu për të sjellë fakte që gjenden në dosjen penale të Xibrakës. Fakte dhe rrethana që nuk u hetuan asnjëherë të plota, megjithëse ekzistonte, të paktën deri para disa vitesh, një dosje hetimore paralele sekrete me dosjen e Xibrakës.

Këto fakte dhe rrethana që gjenden në dosjen e hetuar keq nga prokuroria e kohës, provojnë marrëdhënien e besimit mes kryetrafikantit të arratisur të drogës së Xibrakës dhe vëllait të kryeministrit.

Lë të vijmë tek faktet, të cilat, dua ta theksoj, janë të gjitha në dosjen penale, janë zyrtare, nuk janë akuza politike.

Prokuroria në Mars 2016, pasi ka identifikuar të gjithë personat e përfshirë, ka dështuar të identifikojë vetëm një person, të cilin e quan “bashkëpunëtorin e paidentifikuar” dhe për të cilin ka hapur një procedim të vecuar penal, me qëllim që të gjejë identitetin e tij, që në fakt e la në harresë dhe nuk e gjeti kurrë.

Sipas dosjes penale policia ka identifikuar çdo person të përfshirë, përveç një personi që shoqërohej me drejtuesit kryesorë të grupit. Ajo i di pamjen personit, i di fiks moshën, por nuk i ka gjetur dot emrin!

Ky person i paidentifikuar nga policia, një ditë përpara operacionit për arrestimin e grupit, pra më 13 janar 2015, ka qenë prezent në bazën e grupit kriminal, në një nga zonat e Tiranës, sëbashku me drejtuesit kryesorë të grupit kriminal. Nga raportet e shërbimit të grupeve policore të vëzhgimit personi pa emër  përshkruhet, po citoj: “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurtra”, përdorues automjetit me targa AA...

Vëllai i kryeministrit Edi Rama, sipas provave të sistemit TIMS, është ekzaktësisht përdorues i automjetit me targa AA....”, tha Bardhi duke nxjerre edhe foto.

“TIMS provon se nga 18 udhëtime me hyrje-dalje jashtë vendit, të automjetit me targën AA... në 7 raste automjeti është përdorur prej Olsi Ramës dhe herët e tjera nga treshja e narko-organizatës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha, Gentjan Gjonaj.

Për fat të keq, për 10 vite me radhë, policia dhe prokuroria kanë dështuar të identifikojnë zyrtarisht të vetmin person të afërt të krerëve të grupit kriminal, që kryente takime me ta në bazën e tyre sekrete në Tiranë, përdorte të njëjtën makinë si ata dhe me ata, ka të njëjtën moshë dhe pamje me Olsi Ramën, i cili faktohet se përdor edhe ky të njëjtën makinë si grupi kriminal dhe 45 vjeçari i paidentifikuar...”, shtoi Bardhi

Më tej ai përmendi 10 fakte që sipas tij  provojnë përfshirjen e Olsi Ramës në dosjen “Xibraka”

Bardhi në një deklaratë për mediat, i ka bërë thirrje kreut të SPAK Altin Dumanit, që të rihapë dosjen e Xibrakës dhe se për këtë arsye ai do të depozitijë pranë SPAK edhe provat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë