Trend

Qumështi i patates dhe ‘klimatarianizmi’ do të jenë trendet kryesore të ushqimit në 2022

Janë të paktë njerëzit që dinë se ekziston edhe qumështi i patates.

Gjithsesi, ky “qumësht” që vjen nga patatet do të jetë një nga tendencat më të mëdha ushqimore të vitit 2022.

Sipas një studimi, mediat sociale po ndikojnë më shumë se asnjëherë në zgjedhjet tona të ushqimit dhe pijeve dhe kjo është arsyeja pse qumështi i patates do të jetë një trend.

Në shtator, hulumtimi nga Mintel, një firmë kërkimore, zbuloi se një e treta e britanikëve tani pinë qumësht me bazë bimore, ku qumështi i tërshërës është alternativa më e njohur vegane.

“Tani është radha e qumështit të patates. Me pak sheqer dhe yndyra të ngopura, do të mbizotërojë menutë e kafeneve në muajt e ardhshëm në të gjithë botën”, thuhet në raport.

Tendenca të tjera ushqimore që parashikohen se do të jenë prezentë në vitin 2022 janë edhe umami, koktejet e bëra paraprakisht në shishe dhe klimatarianizmi, një dietë e fokusuar në reduktimin e gjurmës së karbonit dhe konsumimin e vetëm produkteve të stinës.

Në raport u tha gjithashtu se në 2022 ka më shumë gjasa që njerëzit të gatuajnë në shtëpi dhe të hanë më pak mish sesa para pandemisë.

Më shumë se gjysma e të anketuarve (53 për qind) thanë se u pëlqen të kalojnë kohë në shtëpi më shumë sesa dikur, ndërsa 50 për qind thanë se planifikonin të dilnin më pak në mbrëmje, pavarësisht se kufizimet janë hequr.

“Njerëzit të moshave 18 dhe 34 vjeç ishin më të prirur për të qëndruar në shtëpi çka tregon se stereotipi i brezave të vjetër nuk është i vërtetë”, shkruhet në raport.

Kjo prirje në rritje për të qëndruar në shtëpi bëri që një në pesë pjesëmarrës të investonte në një Barbecue të re, ndërsa një në dhjetë tha se kishte instaluar një bar në natyrë. Për më tepër, shitjet e furrave të picave u rritën me 195 për qind në kompaninë John Lewis, Britani.

“Shumica e njerëzve që ne anketuam na thanë se pandemia ka ndryshuar rrënjësisht pikëpamjen e tyre: ata janë më të vetëdijshëm për shëndetin e tyre mendor dhe fizik, po shijojnë kënaqësitë e thjeshta të jetës dhe kanë përqafuar rëndësinë e familjes dhe miqve”, shkruhet në raport.

Gjithashtu ndërsa supermarketet kufizuan numrin e klientëve brenda gjatë kulmit të pandemisë, shumë njerëz u kthyen drejt blerjeve në internet.

Një e katërta e të anketuarve thanë se blenë ushqim në internet për herë të parë vitin e kaluar.

Njerëzit janë bërë gjithashtu më të ndërgjegjshëm për mjedisin. 82 për qind e të anketuarve thanë se kishin reduktuar konsumin e mishit, duke e ngrënë atë vetëm dy ditë në javë.

70 për qind thanë se kanë bërë një përpjekje për të reduktuar sasinë e ambalazheve plastike që marrin në shtëpitë e tyre.

Burimi: The Independent. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë