Taksa

Qeveria fal të pasurit që nuk paguajnë, një pjesë ndodhen në parlament

Nga Mentor Kasa dhe Sabina Veizaj - Kur prezantoi paketën fiskale për vitin 2019 para Komisionit të Ekonomisë, ministri i Financave Arben Ahmetaj paralajmëroi uljen e tatimit mbi dividentin, një premtim i mbetur pezull që nga 2016 i socialistëve. Por, lehtësimi i Qeverisë për aksionerët e kompanive nuk ndalet vetëm me uljen nga 15 për qind në 8 për qind të tatimit mbi dividentin, por e shtrin projektligjin e saj edhe me efekte prapavepruese duke amnistuar fitimet e pashpërndara, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara edhe para 2018.

Mes ndryshimeve që propozon qeveria në ligjin aktual për Tatimin mbi të Ardhurat përfshihet shtimi i pikës 9 në nenin 38, që flet për dispozitat kalimtare. Çfarë propozon qeveria në këtë nen?

“Norma e tatimit mbi dividentin në shkallën 8 për qind do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kusht që tatimi mbi dividendin, që u përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019, ndërsa tatimi mbi dividentin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019”, thuhet aty.

Tatimi mbi dividentin është një tatim që paguajnë pronarët e aksioneve të korportatave të mëdha kur korporata u shpërndan atyre divident nga fitimet. Pra, kompanitë që nuk kanë shpërndarë fitimet mes ortakëve para vitit 2017, nëse do ta bënin këtë brenda këtij viti do të tatoheshin me 15 për qind. Por, nëse zgjedhin që ta shtyjnë shpërndarjen e fitimeve pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji dhe me kusht që të paguajnë dividentin brenda shtatorit të 2019, ai u përgjysmohet nga 15 në 8 për qind. Amnisti parashikohet edhe për dividentin që shteti duhet të kishte vjelë për këtë vit, ku fitimet e kompanive tatohen po me 8 për qind, por me kushtin që të paguhen brenda datës 20 gusht të 2019.

Nisma ndërmerret në një vit elektoral, pasi në qershor të vitit tjetër mbahen zgjedhjet për pushtetin vendor. Si rregull, bordet drejtuese të kompanive vendosin se çfarë do të bëjnë me fitimet e tyre brenda 31 qershorit dhe më 31 korrik duhet të dorëzojnë tek tatimet nëse kanë vendosur shpërndarjen e fitimeve, shtimin e kapitalit apo investimin e tyre.

Projektligji i qeverisë mund të interpretohet si një përpjekje për të nxitur aksionerët e kompanive që të tërheqin fitimet e pashpërndara ndër vite, por ai penalizon aksionerët e kompanive që kanë qenë korrekte deri më tani dhe favorizon kompanitë që i janë shmangur kësaj takse. Gazeta “Si” u interesua tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për të siguruar listën e kompanive që nuk kanë shpërndarë divident mes ortakëve, por kërkesa u refuzua me arsyetimin se “lista bën pjesë tek informacionet konfidenciale”.

Për ekspertët, kjo klauzolë devijon ligjin nga thelbi i tij.

“Mendoj se përfshirja në ligjin e buxhetit për vitin 2019 e një klauzole që përfshin vitet e mëparshme është në thelb dalje nga objekti i këtij ligji. E para sepse asnjë ligj, aq më pak ai për buxhetin e vitit që vjen, nuk mund të ketë efekt prapaveprues. Së dyti, çfarëdo lehtësie në tatime, taksa duke përfshirë edhe uljen e normës së tatimit mbi dividentin përbën në thelb një amnisti fiskale të paligjëruar apo të ligjeruar tërthorazi, për të cilën nevojitet një kuadër ligjor specifik tjetër”, thotë për gazetën “Si”, Zef Preçi, ekspert ekonomie.

Sipas tij, nëse sot Gjykata Kushtetuese do të ishte funksionale, do ta rrëzonte këtë nismë të qeverisë.

“Në një situatë normale institucionale në vendin tonë, ky ndryshim nuk mund të gjejë mbështetje kushtetuese dhe do të ishte subjekt i shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese. Por gjithsesi mbetet për të parë qëndrim e Presidentit të Republikës ndaj rastit në fjalë, edhe pse mendoj se për shkak të problematikës që sjell vonesa në çeljen e fondeve për shërbimet publike bazë të 2019-s nëse ligji rikthehet prej tij për shqyrtim nga Kuvendi, nuk do të ketë hapësirën e nevojshme për refuzimin e këtij amendimi ligjor fiskal”, shton ai.

Preçi mendon se edhe nëse kjo ulje zbatohet edhe vetëm për një vit, në thelb përbën një favor klientelist e antikushtetuese.

“Gjithsesi, edhe nëse kjo ulje do të zbatohet qoftë edhe vetëm për 2019-n, në thelb përbën një favor klientelist për oligarkët e mbipërfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë nëse mbajmë parasysh se bizneset me normën më të lartë të fitimit, mbi 50 për qind gjatë 2-3 viteve të fundit janë (sipas radhës): koncesionet dhe PPP-të, lojërat e fatit dhe bankat tregtare. Do të thotë, buxheti po humbet disa miliona që nuk shkojnë për hapje vendesh pune, për përmirësimin e shërbimeve publike bazë, apo për rritjen e dëshiruar të fuqisë konkurruese të ekonomisë sonë kombëtare”, mendon Preçi.

Si po i shmangin taksat të pasurit

Në morinë e taksave që ekzistojnë në një vend, tatimi mbi dividentin është ai që shënjestron më mirë njerëzit më të pasur. Ky tatim, paguhet nga aksionerët e korporatave dhe pronarët e kompanive të mëdha në momentin që ata tërheqin fitimet nga biznesi i tyre. Në vitin 2014, aksionerët e korporatave të mëdha dhe pronarët e bizneseve më të fuqishme të vendit paguan 32 milionë dollarë taksa për të ardhurat e fituara nga dividenti. Por 2014-a ishte viti i fundit, kur të pasurit në Shqipëri paguan taksë mbi dividentin. Pas këtij viti për ta ka nisur një periudhë e artë.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në fund të vitit të kaluar të ardhurat që qeveria mblodhi nga tatimi mbi dividentin ishin vetëm 2 milionë dollarë. Rrjedhimisht krahasuar me tre vjet më parë të pasurit kanë paguar 16 herë më pak tatim mbi dividentin edhe pse fitimet e bizneseve të tyre janë rritur. Arsyeja është vetë ligji.

Si ka rënë kurba e të ardhurat e grumbulluaranga dividenti ndër vite

Të pasurit dinë më mirë se kushdo tjetër të shfrytëzojnë hapësirat ligjore për të shmangur taksat. Aktualisht shkalla e tatimit mbi dividentin është 15 për qind. Por ligji u lejon pronarëve të korporatave që ta shtyjnë në pafundësi pagesën e kësaj takse, mjafton që të mos tërheqin fitimet nga bizneset e tyre.

Ashtu si në shumicën dërrmuese të vendeve të tjera, ligji shqiptar i takson fitimet e bizneseve të mëdha dy herë. Një herë përmes Tatimit mbi Fitimin, i cili paguhet në masën 15 për qind mbi fitimin vjetor që realizon kompania, ndërsa hera e dytë është përmes tatimit mbi dividentin, po në shkallën 15 për qind.

Por ky tatim paguhet vetëm në rastin kur ortakët vendosin ta shpërndajnë mes tyre fitimin e realizuar nga kompania që zotërojnë. Në rast se ata nuk e shpërndajnë këtë fitim, por e destinojnë për investime, rritje kapitali, ose në llogarinë e ortakut, atëherë tatimi nuk paguhet.

Në një situatë normale, rënia e të ardhurave nga dividenti do të nënkuptonte se bizneset e mëdha nuk po shpërndajnë fitimet tek aksionerët e tyre, por po i investojnë ato. Por në Shqipëri nuk ka ndodhur kjo. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar investimet private në ekonomi krahasuar me vitin 2013 kanë rënë me 1.7 për qind e Prodhimit Kombëtar.

Rënia e investimeve private nga 2013 deri në 2018

Rënia dramatike e taksave që të pasurit paguajnë për dividentët nuk është e rastësishme. Në fund të vitit 2016, qeveria premtoi uljen e Tatimit mbi Dividentin nga 15 për qind që është aktualisht në vetëm 6 për qind, madje ky premtim u bë zyrtarisht pjesë e programit qeverisës të Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2017.

Premtimi për uljen e Tatimit mbi Dividentin ishte një nxitës i qartë për kompanitë që të mos shpërndanin divident tek aksionerët e tyre deri sa kjo taksë të ulet. Edhe pse qeveria nuk e mbajti premtimin, sërish bizneset nuk po shpërndajnë divident, pasi e kanë marrë sinjalin dhe presin uljen e taksës.

Vitin e kaluar vetëm kompanitë konçesionare fituan mbi 200 milionë dollarë nga aktiviteti në Shqipëri. Shumica e tyre, janë kontrata koncesionesh të maturuara si Aeroporti, Skanimi apo pasaportat dhe nuk kryejnë me investime të reja masive. Vetëm nga koncesionet qeveria duhet të kishte mbledhur minimalisht mbi 20 milionë dollarë Tatim mbi Dividentin, por kompanitë nuk paguajnë.

Shumica e tyre e kanë çuar fitimin për rritje kapitali si rasti i koncesionit të Check-Upit, që brenda 2 vitesh ka pesëfishuar kapitalin e ortakëve, ndërsa shumë të tjera, ose e transferojnë dividentin në llogarinë e ortakut, ose si borxh për aksionerët duke pritur momentin që qeveria të ulë taksën ashtu siç ka paralajmëruar. Si rezultat buxheti humbet dhjetëra milionë dollarë të ardhura në vit, ndërsa të pasurit nuk paguajnë pjesën që u takon të taksave duke ua lënë barrën qytetarëve të tjerë.

Në Britani dhe Gjermani dhe shumicën dërrmuese të vendeve të Europës Perëndimore të ardhurat nga Tatimi mbi Dividentin janë mbi 1 për qind e prodhimit Kombëtar, por në Shqipëri kontributi i kësaj takse është zero.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë