Njerez

Qeveria e pranon: Shqipërisë po i ikën truri. Shifrat e emigrimit dhe si do të përdoren remitancat

Qeveria shqiptare thotë gjithnjë se ka ulur nivelin e papunësisë në vend, por se në një dokument për strategjinë kombëtare “Për diasporën dhe planin e veprimit, 2021-2015”, nxjerr në pah shifrat alarmuese të emigrimit të trurit shqiptar. Në dokumentin që disponon Gazeta Si mbi të hartuar nga ministria e Diasporës që drejtohet nga Pandeli Majko jepen shifrat alarmante që rrjedhjen e trurit dhe largimet masive. Kjo faktohet edhe në bazë të studimeve ndër vite të kryera nga INSTAT. Në dokument theksohet se një anketë e INSTAT-it kohët e fundit shpjegon faktorët kryesorë që kanë çuar në largimin e shqiptarëve nga vendi në vitin 2017, si për shembull: mundësi punësimi jashtë Shqipërisë (në rastin e individëve që kanë pasur punësim në Shqipëri, 84%), faktorë që kanë të bëjnë me familjen (4.6%), me papunësinë (4.2%), me mundësitë për të studiuar jashtë (3.5%) apo edhe faktorë të tjerë (3.6%).

Arsyet e largimit të shqiptarëve

Një karakteristikë e migrimit shqiptar ndër vite ka qenë niveli i lartë i profesionistëve të kualifikuar që janë larguar nga vendi. Hapja e Shqipërisë pas rënies së komunizmit hoqi pengesat dhe rriti aspiratat e qytetarëve shqiptarë për të lëvizur drejt vendeve më të zhvilluara, përfshirë shtetet fqinjë të BE-së, gjë që çoi në një rrjedhje të konsiderueshme të trurit. Në të u përfshinë akademikë, individë të kualifikuar në fusha të ndryshme, si edhe një numër i madh studentësh shqiptarë që studiuan në universitete të huaja. “Thuajse 50% e kërkuesve shkencorë, lektorëve dhe intelektualëve të vendit janë larguar nga Shqipëria që prej vitit 1990, më shumë se 26.3% të të cilëve imigruan në SHBA. Ndërsa në fillim të viteve 2000, rreth 60% e të diplomuarve në Perëndim, ose ishin larguar nga vendi, ose nuk ishin kthyer pas diplomimit. Nga Italia dhe Greqia, truri i vendit ka shkuar në Kanada, SHBA, Gjermani, Britaninë e Madhe dhe vende të tjera të BE-së”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Gazeta Si.

Lëvizjet e shqiptarëve ndër vite


Në fillimet e demokracisë, në lëvizjet e para demografike, vendet fqinjë, si Greqia dhe Italia, shërbyen si destinacionet kryesore për migrantët shqiptarë gjatë viteve 1992- 1995, për shkak të afërsisë me Shqipërinë dhe kostos së ulët të migrimit në vetvete. “Sot mendohet se përafërsisht 1.44 milionë shqiptarë, ose 45% e totalit prej 3.2 milionë banorësh që banojnë në Shqipëri, kanë migruar dhe tashmë jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali”, thuhet në këtë dokument. Edhe pse dokumenti strategjik ka një krahasim deri në vitin 2017, kjo bën të qartë se pjesa më e madhe e emigrimit ndodh për arsyet ekonomike.

Komponentët e largimit të shqiptarëve

Në përgjithësi, sipas dokumentit, shqiptarët janë larguar nga Shqipëria për arsye ekonomike, si mungesa e mundësive për punësim, apo kushte të varfra jetese, veçanërisht në disa zona, ku mungojnë kushtet më elementare të jetesës, si për shembull energjia elektrike, furnizimi me ujë dhe strehimi. Arsyeja e dytë është se mungon besimi te siguria publike. “Shqipëria ka pasur flukse masive emigrimi në sajë të nivelit të ulët të sigurisë publike në vend apo të trazirave. Një numër i konsiderueshëm profesionistësh me kushte të mira ekonomike është larguar për një të ardhme më të sigurt për ata dhe familjet e tyre. Ky fenomen u vu re në veçanti gjatë trazirave të vitit 1998, të cilat sollën një valë tjetër migrimi”, thuhet në këtë dokument. Arsye tjetër është edhe fakti i mungesës së institucioneve, gjykatave, apo te niveli i lartë i korrupsionit. “Qytetarëve u mungon besimi që situata në vend do të përmirësohet. Ata besojnë se korrupsioni dhe krimi i organizuar paralizojnë funksionimin normal të institucioneve shtetërore. Po ashtu, vështirësitë në zbatimin e ligjit dhe institucionet e dobëta pengojnë dëshirën për t'u kthyer, për më tepër kur të kthyerit hasin vështirësi për të hapur një biznes apo për t'u kuptuar me administratën shtetërore”, thuhet në këtë dokument.
Remitancat, fati i ekonomisë shqiptare
Në këtë dokument strategjik i jepet një rëndësi të madhe parasë që emigrantët shqiptarë dërgojnë për familjet e tyr në Shqipëri, të njohura si remitanca. Sipas dokumenti të siguruar nga Gazeta Si, remitancat vazhduan të rriteshin nga viti 1991 deri në vitin 2007, kur ato arritën nivelin e tyre maksimal. Në vitin 2007, në Shqipëri vlera e remitancave ishte 952 milionë euro, duke qenë vendi me varësinë më të madhe ndaj dërgesave në para në rajon, me më shumë se 300 euro për banor. Pas këtij viti, remitancat ranë duke arritur pikën e tyre më të ulët në vitin 2013 më shifrën nën 500 milion euro, rënie kjo e cila shkaktoi rritje të varfërisë. Dërgesat në para filluan të pësojnë rritje sërish në vitin 2014 duke arritur shifrën 592 milion euro dhe në vitin 2016 shifrën 616 milion euro.

Tendenca e reminitancave ndër vite

“Është e rëndësishme të theksohet varësia e ekonomisë shqiptare tek remitancat, që janë rreth 9-15 për qind e PBB-së së vendit dhe rreth 15% e të ardhurave të familjeve shqiptare. Kjo është arsyeja së pse Shqipëria renditet në listën e vendeve me varësi të lartë tek remitancat, siç njihen ndryshe dërgesat në para”, thuhet në këtë dokument. Qeveria e ndan në tre shkallë, nivelin e pagesave të emingrantëvë: në rritjen e tyre nga viti 1991 deri në vitin 2007; rënien në periudhën 2008-2013; dhe 3. ripërtëritjen që prej vitit 2014.

Strategjia Kombëtare për Diasporën parashikon bashkërendimin në nivel kombëtar të punës së institucioneve përgjegjëse shtetërore për të hartuar me njëri-tjetrin një plan veprimi për remitancat, e ciai: do të identifikojë praktikat e mira për dërgesat në para; do të shtrijë më gjerë shërbimet bankare në Shqipëri dhe do të përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet bankave shqiptare dhe simotrave të huaja për remitancat; do të zgjerojë kapacitetet e institucioneve të tjera financiare dhe të Postës shqiptare për të përmirësuar shërbimin e transfertave të dërgesave në para; do të rrisë kapacitetet e institucioneve shtetërore dhe organizatave të diasporës në vendet pritëse për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin për hartimin e iniciativave të përbashkëta, si edhe do të inkurajojë kanalizimin e remitancave bankare dhe marrjen e hapave të duhura praktike që dërgesat në para të përdoren për zhvillimin e Shqipërisë.

Qeveria me këtë strategji parashikon që të mundësojë që kapitalet e emigrantëve të shfrytëzohen për investime në ekonomi dhe jo për mbajtjen e familjes, duke hartuar edhe programe me donatorët me modelin “Brain Gain” ose “Rikthimi i Trurit” me synim krijimin e strukturave institucionale që bëjnë të mundur tërheqjen e profesionistëve të diasporës për angazhime afatshkurtra dhe afatgjata.

Faktorët e largimit të shqiptarëve

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë