Taksa

Qeveria e dëshpëruar për të ardhurat e munguara, taksë qarkullimi 44% për punën e dytë

Arka e shtetit perceptohet në vështirësi. Pas një mosrealizimi të ardhurash gjatë 2018-ës (12.5 miliardë lekë më pak nga paarshikimet optmiste) dhe projeksion më pak entuziast për 2019-ën, janë shkarkuar nga detyra menjëherë në këtë fillimvit krerët femra të Doganave dhe Tatimeve.

Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve shpesh njofton duke u bërë thirrje tatimpaguesëve për deklarim të xhiros së vërtetë, të pagimit të akcizës, ose të paguajnë paraprakisht detyrimet e mos t’i lënë për në ditën e fundit pasi ka mbingarkesë në sistem.

Pak ditë më parë tatimet deklaronin se me mbështetje të FMN-së kanë miratuar planin sektorial të bareve dhe restoranteve, i hartuar edhe me asistencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Tatimet, të pyetura nga Gazeta “Si” se çfarë ka përtej këtij njoftimi të paplotë, deklaruan se për momentin nuk mund të raportojnë diçka më tepër, por bëhet fjalë për rritjen e mëtejshme të formalitetit në këtë sektor.

Në përpjekje të dëshpëruar për të rritur të ardhurat e arkës së shtetit, qeveria së fundmi ka vendosur të tatojë dy herë të dypunësuarit.

Sipas ekspertëve kontabël, kjo lëvizje nuk është e mbështetur në ligj.
Meqenëse 30 prilli është afati i fundit kur individët me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë në vit, (167 mijë lekë në muaj) duhet të deklarojnë të ardhurat e tyre për vitin 2018, Tatimet sqarojnë të punësuarit në më shumë se një vend pune mënyrën e përllogaritjes së tatimit mbi të ardhurat personale.

“Tatimpaguesit individë të punësuar në më shumë se një vend pune dhe janë të detyruar të dorëzojnë DIVA-n (deklarata individuale e të ardhurave), duhet të llogarisin sipas përcaktimeve të pikës 1, të nenit 9 të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, tatimin mbi të ardhurat personale nga punësimi për shumën totale të të ardhurave bruto nga pagat. Tatimit të llogaritur nga bashkimi i të ardhurave bruto nga punësimi (pagat) i zbritet tatimi i paguar nga punëdhënësit”.

Sipas këtij njoftimi, të dypunësuarit përpos pagesës që tatimit mbi të ardhurat personale që ka paguar punëdhënësi, do të tatohen edhe një herë të dytë, këtë herë duke e llogaritur tatimin mbi të ardhurat personale mbi shumatoren e të dy pagave sëbashku.
Pra, pagat e të dypunësuarve që si shumatore i kalojnë 167 mijë lekë në muaj, do të jenë subjekt i normës së taksës 23% sepse është fasha mbi pagën 150 mijë lekë.
Ndërsa gjatë vitit, ata kanë paguar masën 13% për secilën pagë individuale.

Sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat, Për shumën e pagave mujore deri 30,000 leke tatimi është zero%; -Për shumen e pagave mujore nga 30,001 -150,000 lekë tatimi është 13% e shumës, -Për pagat mujore mbi150,001 lekë, tatimi është 15,600 + 23% e shumës mbi 150,000 lekë.

Për një të dypunësuar që paguhet përkatësisht 80 mijë lekë dhe 100,000 mijë lekë, (në total 180 mijë lekë në muaj), të ardhurat në vit rezultojnë në 2.16 milionë lekë. Këtij individi që duhet të plotësojë deklaratën e të ardhurave personale, gjatë vitit për secilën pagë të deklaruar tatimin mbi të ardhurat personale I është mbajtur tatim fitimi nga punëdhënësi; për shumën nga 0-30 mijë lekë është zero dhe për pjesën tjetër 13%. Në total, individi ka paguar 187,200 lekë tatim mbi të ardhurat gjatë gjithë vitit.

Përpos kësaj, referuar njoftimit të tatimeve, ky individ duhet të paguajë tatim nga të ardhurat personale për pagën edhe një herë tjetër, por këtë herë duke e llogaritur pagën si një e tërë nga shumatorja e të dy pagave nga punët respective. Nga kjo do të zbritet tatimi që është paguar gjatë vitit.

Punëmarrësi do të paguante më shumë në këtë rast; përjashtimi për shumën 0-30 mijë lekë llogaritet vetëm një here ( sepse pagat mblidhen dhe konsiderohen si një e vetme) dhe paga tatohet për fashën prej 23% sepse është mbi 150 mijë lekë. Tatimi total në këtë rast, që ai duhet të paguajë mbi të ardhurat në vit është 270,000 lekë, ose 82,800 lekë më shumë sesa i është mbajtur nga punëdhënësi gjatë gjithë vitit, 44% më shumë.

Shumë që mbetet pasi është zbritur tatimi që ka paguar gjatë vitit për të dy pagat respektive.

Sipas skemës së re të kontributeve shoqërore në 2014-ën qeveria e cilësoi si sukses lijimin e më shumë se njëpunësimit të deklaruar dhe përfitimit prej kontributeve të sigurimeve shoqërore duke nxitur punësimin në më shumë se një burim në vend.
Por duke dështuar me mbledhjen e të ardhurave, pavarësisht se në kundërshtim me ligjin, qeveria po gjen artifica për të mbushur me çdo kusht arkën e shtetit.

 

Më Shumë