Para

Qeveria dha mbi 111 mld lekë tendera në 2023, 9.4% e PBB së Shqipërisë

Nga Gazeta 'SI' - Më shumë se 4.000 tendera janë dhënë në vitin 2023 në Shqipëri, përkthyer në një vlerë prej 111.8 mld lekësh. Shifrat raportohen nga Agjencia e Prokurimit Publik në analizën vjetore 2023. Nga viti 2022, edhe numri i kontratave edhe vlera e tyre është reduktuar.

Shumica e kontratave, kanë të bëjnë me ofrimin e mallrave, 2.785 të tilla, 1.528 për shërbime dhe 937 për punë civile. Për Rindërtimin janë shpallur 7 procedura me një fond prej 214 mln lekësh.

Gjatë 2023-shit asnjë nga kontratat e shpallura nuk ishte PPP apo koncesion.

7 nga kontratat e një viti më parë, APP thotë se i janë dhënë operatorëve të huaj, ndonëse nuk tregon llojin e kontratës. Nga këto, 2 ishin nga Austria, 1 nga Greqia, 1 nga Sllovenia, 1 nga Italia, 1 nga Gjermania dhe 1 nga Franca.

Shqipëria shpenzoi 9.4% të PBB-së për tendera gjatë vitit 2023 dhe kjo është shifra më e lartë në të gjitha vendet e rajonit.

Nga kontratat me fonde limit (ofrimi i një vlere në kufi të asaj të shpallur) raporti thotë se janë kursyer 15% e fondit total për prokurimet.

Sipas grafikut, megjithëse numri më i madh i procedurave të shpallura për vitin 2023, rezulton në muajin tetor, në total vërehet një numër më i lartë publikimesh të procedurave gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit dhe sidomos në muajt shkurt, mars dhe maj, krahasuar me vitin 2022.

Ndërkohë qeveria ka miratuar ligjin e ri të prokurimeve publike, i cili në pak kohë do të fuqizohet. Një ndër pikat thelbësore të këtij ligji është centralizimi i prokurimeve në një organ të vetëm dhe skualifikimi i menjëhershëm i aplikuesve që nuk respektojnë kërkesat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë