Menaxhim

Hyn në fuqi ligji i ri për Prokurimet / Të huajt dhe privati në lojë. Asnjë kufizim për offshore-t

Nga Gazeta 'SI' - Ligji i ri për Prokurimet Publike, ku ndryshon e gjithë mënyra e organizimit të tenderimit është në fuqi.

Fillimisht, qeveria krijon organin qendror të blerjes, që do të kryejë të gjitha proceset për llogari të institucioneve. Pra autoritetet publike nuk do të futen më drejtpërdrejtë në prokurim. Operatori do të jetë 100% shtetëror dhe përfaqësohet nga ministria e Ekonomisë. Institucionet me më pak se 15 punonjës do të bëjnë tenderime vetëm me vlerë të vogël, ose do t’i drejtohet organit qendror blerës. Ai do të jetë me vetëfinancim dhe me anë të një VKM-je do të vendoset dhe tarifa e shërbimit që institucionet do të paguajnë.

Ligji i ri i hap rrugë privatëve dhe subjekteve të huaja për t’u bërë pjesë e prokurimeve. Konkretisht, aty theksohet se “institucionet publike ose private mund të ofrojnë atë që quhet veprimtari ndihmëse për prokurimin publik”. Me veprimtari ndihmëse nënkuptohet platforma elektronike ku mund të bëhen publikimet, konsulencë, përgatitje dhe zhvillim procedurash. Po ashtu, specifikohet që pjesë e këtij procesi mund të jenë edhe ente të huaja që e ofrojnë këtë shërbim. Edhe OJF-të në konkurrim.

Më pas, bizneset që fitojnë tenderin do të duhet ta sigurojnë atë deri në 10% të vlerës, para se të bëhet nënshkrimi final tek shoqëritë e sigurimit. Sipas qeverisë, ky është një element garancie për institucionet publike në rastet e shkeljes së kontratës nga bizneset që fitojnë tenderat.

Në kuadrin e sigurisë, ligji i ri skualifikon pa mundësinë e argumentimit ofertat anomalisht të ulëta. E njëjta gjë ndodh edhe me kompanitë që nuk kanë deklaruar pronarët përfitues, por vetëm sipas ligjit shqiptar. Në rast se janë kompani offshore që sipas ligjit të një vendi tjetër nuk i deklarojë pronarët, do të pranohen.

Operatori do të funksionojë sipas ligjit për tregtarët dhe shoqëritë tregtare të vitit 2008 dhe organet drejtuese janë Asambleja e Përgjithshme e Aksionarit, Këshilli Mbikëqyrës dhe Drejtori. Ky i fundit emërohet dhe shkarkohet nga asambleja e përgjithshme e aksionarit dhe ajo do të fillojë punë brenda dhjetori 2024. Drejtori i kësaj shoqërie aksionare nuk ka afat mandati të përcaktuar për largim nga detyra vetëm kur jep dorëheqjen, del në pension, është i sëmurë ose shkarkohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë