Politike

Qeveri tranzitore? Majko: Nuk jam kryeministër dezhurn

Bledar Hoti - Kriza politike po thellohet pas veprimeve të KQZ-së për zëvendësimin e mandateve, ndërsa opozita po i mëshon qëndrimit të saj për krijimin e një qeverie tranzitore pa kryeministër Edi Ramën. Në korridoret e politikës përflitet se një mundësi e zgjidhjes së krizës, pavarësisht se kreu i PS-së është kategorikisht kundër, është caktimi kryeministër i Pandeli Majkos, njeriut që ka profilin konsensual dhe që edhe më parë ka qenë njeriu që zgjidhte krizat politike brenda PS-së dhe mes dy partive kryesore politike.

Në një editoral të tijin, botuesi i Gazeta Tema, Mero Baze, përmendte emrin e Pandeli Majkos si një emër që kryedemokrati Lulzim Basha mund ta parapëlqejë si kryeministër i qeverisë së PS-së. “Pra, ai (Basha) është i pari që ka nisur një aksion politik, për të delegjitimuar palën tjetër dhe për ta caktuar ai se me kë do flasë, e me kë do të ndeshet në betejë. Lulzim Basha do zgjedhje, i do tani, i do pa Edi Ramën dhe do që të caktojë dhe një kryeministër që e pranon ai, në këtë rast Pandeli Majkon, me siguri ngaqë ka dëgjuar kur ka qenë emigrant se ai është kryeministër dezhurn, sa here është nevoja. Kjo gjë është më shumë se banale kur merret seriozisht si tezë politike”, shkruan Baze në editorialin e tij.

Pikërisht kjo detyroi ministrin e Shtetit, Pandeli Majko që të reagonte duke mbajtur një qëndrim në lidhje me situatën politike dhe me atë që përflitet nëpër korridoret e politikës shqiptare për zgjidhjen e krizës së re.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Majko reagon ndaj asaj që etiketohet si “i përzgjedhuri i opozitës” për të drejtuar mazhorancën.
“Padyshim që artikulli nuk është në “ajër” pasi pena e Bazes nuk ngjyen në bojën e imagjinatës. Jetojmë në kohë të vështira dhe ankthi për politikën! Në dijeninë time, nuk më ka marrë malli të bëj gjëra të cilat i kam përbuzur që ditën që i kam hyrë politikës. Zoti Baze e di këtë edhe kur ai (pa ironi) ishte një bashkëpunëtor luajal i Sali Berishës. Roli i “delfinit" është një kostum i cili nuk më është përshtatur në politikë. Kam bërë “dezhurn” (siç shkruan Baze) që 30 vjeç në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë, jo për “fajin" tim. Kam shërbyer, dhe kur kam lënë zyrën, vendi ka qenë më mirë se sa ditën kur e kam marrë detyrën”, shkruan Majko.

Kryeministri Edi Rama dhe deputeti i PS, Pandeli Majko, duke dalë nga një mbledhje e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. (Foto LSA)

Ndërsa mesa rreshtave, ai i lëshon edhe një mesazh kryesocialistit Edi Rama mbi situatën aktuale që është krijuar.
“Titullin “kryeministër i socialistëve” e konsideroj një nder, të cilin nuk kam ndërmend ta shkëmbej në pazarin e maskave të politikës. Ditët e vështira i konsideroj provë për besimin dhe jo bukshkalësinë. Pena e Meros është e rrallë në gjetjen e dobësive të politikës. Sot, ajo, më bëri të qartë frikën e saj. Kësaj të fundit nuk kam çfarë i bëj. Padyshim, frika e frikacakut të vret ndonjëherë më shumë se trimëria e trimit. Në korridoret e politikës shqiptare i njoh rregullat. Një prej tyre është se “Lajmësi nuk ka faj”! Ai është dezhurni i kohës! Sigurisht!”, shprehet më tej Majko në postimin e tij.

Ministri i Shtetit, Pandeli Majko ishte i pari që kërkoi uljen në një tavolinë të bisedimeve mes dy kundërshtarëve politik, Ramës dhe Bashës. Madje ai tentoi që ta realizonte atë duke shfrytëzuar Samitin e Dytë të Diasporës, duke ftuar në këtë takim edhe liderin e PD-së, Lulzim Basha që të mbante një fjalim përshendetës, me përballjes direkte me rivalin politik, kryeministrin Edi Rama.
Një tentativë që dështoi, për shkak se kryedemokrati refuzoi të merrte pjesë. Ndërsa Rama nuk ngurroi që t’i drejtonte kundërshtarit politik shprehjen e famshme: Kur do të flasim?


Majko gjithashtu ishte i pari që mbështeti idenë e dialogut ndërpartiak me ndërmjetësimin e Presidentit Ilir Meta, duke theksuar se kjo do të ishte gjëja më normale.
Të gjitha këto hapa u hodhën përpara se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të merrte vendimin për zëvendësimin e mandateve të deputetëve të opozitës. Tani vetë Majko, ashtu siç edhe e deklaroi në intervistë televizive, shprehet se situata është e ndërlikuar nga rruga procedurale që po ndiqet nga KQZ-së, e cila sipas tij, ka bllokuar jo pak shtigje për zgjidhjen e krizës.


Pandeli Majko, njihet si personi që shërbente për zgjidhjen krizave, duke i cilësuar si një “delfin” i politikës. Pas vitit 1997, me ardhjen në pushtet të PS-së, kriza politike u acarua akoma më tej me vrasjen e liderit të Dhjetorit ’90, Azem Hajdari, si rezultat kryeministri Fatos Nano u tërhoq nga posti dhe vendin e tij e mori Pandeli Majko. I porsazgjedhuri në postin e kryeministrit e mori detyrën në një kohë të vështirë, pasi lufta në Kosovë kishte nisur dhe situata në Shqipëri nuk ishte normalizuar.
Nisur nga kjo, Majko, së bashku me numrin dy të qeverisë, Ilir Metën u ulën në tryezën e bisedimeve me opozitën, Berishën dhe Pollon dhe arritën një marrëveshje politike, që solli çtensionim të situatës.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10215056872149083&set=a.1078389393823&type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë