Politike

Rama lutje Bashës: Kur do flasim?! Majko: Tryezë te Meta

Në kulmin e krizës politike, kryeministri Edi Rama i bën thirrje kundërshtarit të tij politik për të dialoguar. Ftesa u bë pikërisht nga samiti i Diasporës, ku kryedemokrati Lulzim Basha refuzoi që të ishte i pranishëm, pavarësisht ftesës për të diskutuar në këtë takim që synonte bashkimin e të gjithë shqiptarëve.
Pavarësisht këtij refuzimi, duket se kreun e mazhorancës nuk e ka frenuar që t’i dërgojë mesazh në mënyrë direkte kryedemokratit.
“Sot po ju them, ne jemi nën akuzë, jo sepse kjo është e vërteta, por sepse shqiptarët janë vënë kundër shqiptarëve. Atyre shqiptarëve që sot ishin të ftuar e nuk janë këtu, unë u them vetëm një gjë: Kur do flasim??” iu drejtua Rama gjatë fjalës së tij. Një veprim i ngjashëm me ato të protestës së studentëve, ku kryeministri iu drejtua me të njëjtën shprehje edhe atyre, të cilët refuzonin të bisedonin, pa i plotësuar kushtet për uljen e tarifave të universitetit.
Por, mesazhi i kryeministrit është shoqëruar edhe me një thumbim në adresë të opozitës. “Unë nuk mund të bëj sikur nuk jem në Tiranë e këtu nuk ka ndodhur asgjë këto ditët e fundit. Është historia e shqiptarëve që i kundërvënë shqiptarëve, jo për flamurin, vendin, ideale e ide, por thjesht për hesapet e vogla të katundit, të klubit, të mjedisit politik. Nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë gjë më të rrezikshme dhe penguese për shqiptarët kur përballë u dalin shqiptarët. Kur për hesape të mjedisit politik, marrin flamurin dhe e kthejnë në një armë për të luftuar me njeri tjetrin se kush është më i mirë apo më i keq. Shqiptarët kundër shqiptarëve këtu në Shqipëri kanë ushqyer një ide me të gjitha mënyrat dhe e kanë shpërndarë përtej kufijve se kjo kohë është koha kur në vend kanë lindur kriminelët dhe na kanë pushtuar kriminelët Parlamentin”, deklaroi Rama.

Më tej ai theksoi se “është koha kur varet se nga cili kënd vendos ta shohësh vendin dhe sa e vret mendjen për vendin kur në gjuhë të huaj e kthen vendin mish për top, sa herë e kanë bërë ka humbur Shqipëria dhe ata që e kanë bërë këtë i ka mbuluar me turp historia. Sot na duhet që të vazhdojmë të ecim në rrugën që kemi nisur se kur flasim për shtetbërje nuk po flasim për të ngrenë një darkë e për të pirë raki, kjo është gjë që edhe falë ministrit të Diasporës do ta bëjmë edhe pse ai i sheh të gjithë duke pirë raki dhe vetë nuk pi, se pi ujë. Po flasim për luftën më të vështirë që i është hapur korrupsionit në vend”.
Samiti për Diasporën, ishte aktiviteti për të cilin mund të bashkonte dy rivalët politik, Edi Rama të PS-së dhe Lulzim Basha të PD-së. Qeveria, nëpërmjet ministrit të Diasporës, Pandeli Majko, për këtë event përbashkues mes shqiptarëve, kishte ftuar edhe liderin e PD-së që të mbante edhe një fjalë përshëndetëse, i parafundit në listën e diskutuesve, pas kryeministrit Edi Rama.

Lista e diskutantëve, mes tyre edhe emri i kryedemokratit Lulzim Basha


Ky ishte skenari për të mundësuar shtrëngimin e duarve mes dy kundërshtarëve politik, pikërisht në pikun e krizës politike. Por kryedemokrati Lulzim Basha nuk pranoi që të merrte pjesë, duke e lidhur këtë me qëndrimin e opozitës për të mos “ulur në një tryezë me Edi Ramën kryeministër”.

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1101215327059406849


“Shqipëria ka nevojë jetike për ndihmën dhe kontributin e diasporës. Unë dhe Partia Demokratike mirëpresim krahëhapur mbështetjen e saj dhe bashkëpunimin e ngushtë e të sinqertë për të ndërtuar në Shqipëri mundësitë, sigurinë, lirinë dhe vlerat që ata gëzojnë në vendet ku jetojnë. Ne i kemi një borxh të madh diasporës, ndaj nuk mund të pranoj kurrë përdorimin e saj si fasadë nga njeriu që mbushi kampet e azilkërkuesve me 300 mijë shqiptarë duke i përzënë nga shtëpitë e tyre, ja nxiu faqen Shqipërisë me kanabisin dhe ja dorëzoi vendin oligarkëve dhe krimit”, shkruan kryedemokrati në rrjetet sociale.


Tryezë Rama-Basha, me ndërmjetësimin e Metës?
Delegacioni i PE i përbërë nga 7 europarlamentarë zhvilloi një vizitë dy ditë Në Tiranë dhe pas takimeve me drejtuesit e qeverisë dhe të opozitës kërkoi zgjidhjen e kësaj krize politike, duke nënkuptuar dialogun ndërmjet Ramës dhe Bashës. Deputetët e Parlamentit Europian kontestuan kushtet e opozitës për krijimin e një qeverie tranzitore, duke e cilësuar Parlamentin dhe qeverinë legjitime. Me këtë qëndrim, europarlamentarët i dhënë një “shuplakë” opozitës, por duket se ideja e uljes në një tryezë po dominon.
Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, duke mbështetur idenë e dialogut ka dhënë detaje se çfarë mund të diskutohet në tryezë mes qeverisë dhe opozitës, nëse lideri demokrat Lulzim Basha do të pranojë ftesën që i bëri sot kryeministri Edi Rama për tu ulur në bisedime. “Qeveria tranzitore, nuk do të jetë pjesë e diskutimeve”, tha Majko, teksa ju përgjigj interesit të gazetarëve. “Kjo qeveria tranzitore nuk hyn tek shprehja “kur do flasim””, deklaroi ai.

Ministri per Eruropen dhe Punet e Jashteme ne detyre, Gent Cakaj, Ministri i Jashtem i Kosoves, Enver Hoxhaj, Kryetari i BDI, Ali Ahmeti, Kryeministri, Edi Rama, Presidenti i Kosoves, Hashim Thaci, Ministri i Shtetit per Diasporen, Pandeli Majko, gjate sesionit te hapjes se Samitit te Dyte te Diaspores/ Foto LSA


Majko nuk e përjashtoi mundësinë që tryeza e dialogut të ndërmjetësohet nga presidenti Ilir Meta.
“Ftesa është e qartë në vazhdim për dialog konstant. Pse mos të negociojë presidenti, kushdo që nxit dialogun është i mirëpritur", theksoi Majko.
Ideja e negocimit të presidentit Meta për këtë situatë u mbështet edhe nga ana e Massimo D’Alema-s, një prej figurave kryesore të së majtës politike italiane, si ish-kryeministër i shtetit fqinj.

Ish-kryeministri Massimo D'Alema duke folur në emision e RAI 2 për krizën politike në Shqipëri


“Unë flas si mik i vërtetë i Shqipërisë, e nga këtu i drejtohem presidentit Ilir Meta, të cilin e njoh prej shumë vitesh, të gjithë partive politike, i bëj thirrje që Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur. Ajo që po ndodh rrezikon t’i bëjë një dëm shumë të madh Shqipërisë”, deklaroi D’Alema në emisionin TG2-Post të kanalit Raidue, ku i fttuar ishte edhe kryeministri Edi Rama.
Ideja ndërmjetësimit brenda vendit erdhi pasi europarlamentarët deklaruan në fund të vizitës së tyre në Tiraë se nuk do të ndërmarrin një rol të tillë, për të bindur palët që të ulen në një tryezë ndërpartiake për zgjidhjen e krizës. Ilir Meta është kthyer nga vizita disa ditore në Egjipt. Por a do të jetë ai mbi palët dhe a do ti thërasë liderët në një tryezë? Kjo do të shihet në ditët e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë