Politike

Majko, qëndrim personal, apo zëra kundër Ramës në PS?

Pandeli Majko është një nga socialistët e paktë të mbetur brenda PS-së dhe roli i tij, prej njeriu që lidh elektoratin e vjetër dhe atë të ri në këtë parti, ka jo pak ndikim. Duke mbajtur mbi supe edhe faktin se ka qenë kryeministër në kohën e luftës së Kosovës, Majko ka shërbyer për Partinë Socialiste dhe në zgjidhjen e disa krizave politike brenda partisë, kjo falë natyrës jokonfliktuale që përçon njeriu që iu bashkua kësaj partie në kohët e saj më të vështira, pas konvertimit nga Partia e Punës në atë Socialiste me nisjen e sistemit demokratik.

Bashkëjetesa në familjen socialiste e Majkos, e veçanërisht marrëdhëniet me kryeministrin Edi Rama, kanë pasur ulje e ngritje dhe kjo ndikuar kryesisht nga zhvillimet politike. Prej kohësh u mësua të qëndronte në hije, mbase duke pritur rastin e tij. Në zgjedhjet e shkuara vendore ishte njeriu kryesor i fushatës elektorale në Tiranë, duke mbështetur kandidatin socialist për kryebashkiak, Erion Veliajn dhe më pas në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. Ky kontribut solli “shpërblimin” duke e futur në qeveri, edhe pse me një post jo të rëndësishëm, si ai i ministrit të Shtetit për Diasporën.

Prania e tij në qeveri do të shoqërohej në jo pak raste me përplasje brenda qeverisë. Dhe pikërisht përplasja më e fortë do të ishte ajo për ligjin që parashikonte prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Ai në seancën e korrikut të 2018 debatoi shumë ashpër me kryeministrin Edi Rama, madje braktisi në mënyrën demonstrative seancën duke mos e votuar projektligjin. Të nesërmen e seancës, ministri i Diasporës do t’i paraqiste Ramës në zyrën e tij dorëheqjen, por kryeministri nuk ia pranoi.

Majko dhe Rama duke debatuar në seancën kur do të votohej ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar


Majko do të mbante qëndrim refuzues ndaj votimit të këtij ligji, tre herë gjithsej në rastet kur presidenti e ktheu për rishqyrtim, si edhe kur mazhoranca nuk pranoi kërkesat e presidentit në rivotimin e ligjit.


Tashmë, pas afro një viti qetësie, kriza politike e re me kushtin e opozitës për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme nën administrimin e një qeveri transitore dhe pa Ramën kryeministër, po sjell edhe qëndrime jo në unison mes vetë socialistëve.
I pari në këtë qëndrim është vetë Majko, i cili edhe pse në mënyrë kategorike është kundër kushteve të opozitës, po jep sinjale se nuk është në dakordësi me qëndrimet që ka mbajtur kryeministri Edi Rama lidhur me marrëdhëniet me opozitën.
Në një intervistë të fundit të dhënë në Top Channel, ish-kryeministri u shfaq jo i kënaqur me atë çfarë ka ndodhur në raportet mes dy liderëve të opozitës, duke kontestuar paktin e firmosur më 17 maj 2017.

Kryeministri Rama, kryeparlamentari Ruçi dhe Majko duke dalë nga një mbledhje e Kryesisë së PS-së


“Por sot problem është fakti se marrëveshja e 2017-ës dhe pastaj ajo e 2008-ës ka dështuar në mënyrë të tillë, ku Basha e ka thënë më qartë në Parlament: “na gënjeve herën e parë, fajin e kam unë, të dytën herë fajin e ke ti”. Marrëdhënia politike nuk ka të bëjë me marrëdhënien personale mes dy njerëzve që ulen e pinë cigare dhe ndonjë gotë verë me njëri-tjetrin. Marrëdhënia politike ka të bëjë me sigurinë kombëtare të vendit tënd dhe timin. Problemi është që jemi në fundin e një historie ku pas zgjedhjeve dikush duhet të largohet. O Edi Rama, ose Lul Basha do të largohet nga politika”, do të deklaronte Majko.
Ish-kryeministri do ta vijonte më tej idenë e tij, duke i kërkuar kryesocialistit Edi Ram që të ulet në tryezën e bisedimeve me Bashën, e madje duke nënkuptuar nënshkrimin e një marrëveshjeje politike, kontratë.
“Duhet të ulen në mënyrë të qartë, jo për të bërë një pazar, por për të nxjerrë Shqipërinë nga një qerthull ku në fund fare duhet të jemi të vetëdijshëm se dikush do të humbasë. Ngandonjëherë në politikë humb duke fituar dhe fiton duke humbur. Jemi një klasë politike e cila po mbyll ciklin e vet. Jemi duke e parë njëri-tjetrin si betejën e fundit dhe është e sigurt se dikush në zgjedhjet që do vijnë duhet të lërë jo vetëm karrigen e drejtimit të politikës, por do të lerë më shumë”, theksoi ndër të tjera ish-kryeministri.

Rama dhe Majko gjatë takimeve me strutkurat e PS-së, ku shpeshherë e kanë thumbur njëri-tjetrin me batuta

Lidhur me pyetjen se kë nënkupton për largimin nga politika nëse humb zgjedhjet, Majko shtoi se Rama e ka të qartë qëndrimin e tij.

Këto deklarata të Majkos, si një “rrufe në qiell të hapur”, duhet të shihen nëse vijnë si një reagim personal, apo që vijnë nga rrymë brenda PS-së, e cila është e pakënaqur për nga mënyra se si kanë rrjedhur zhvillimet brenda partisë në pushtet, kjo edhe me ndryshimin e qeverisë dhe me emërimin e disa ministrave në postet kyçe që nuk përfaqësojnë socialistët.

E vetmja lëvizje për ndryshim në qeveri që u duartrokit në Asamblenë e PS-së në dhjetor të 2018-ës ishte ajo e caktimit të Erjon Braçes në postin e zv.kryeministrit.
Mund të duket si një rastësi, por pikërisht pas dhënies së intervistës së Majkos, kryeministri postoi në hapësirën e tij televizive ERTV inspektimet e punimeve në një prej ambienteve ku do të mbahet Samiti i Diasporës. Ndaj këtij aktiviteti ka pasur një sërë kritikash për fonde të fryra. Gjatë inspektimit Majko dhe Rama kanë shkëmbyer batuta për këtë çështje. “Më e bukura është se pavarësisht se na i harxhon ky fondet (për Majkon) na akuzojnë ne, këtë nuk e akuzon njeri”, iu drejtua si me batutë Rama, ministrit të Diasporës.
Por i gjendur në befasi, Majko iu drejtua me të qeshur: “Edhe këtë e the ndaj meje!”, ndërsa ndarja mes tyre ka qenë miqësore me një shtrëngim duarsh.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/556174224883536/?t=242

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë