Lajme

Punime të tjera, Autostrada Tiranë-Durrës për 3 muaj me një korsi

Bllokohet sërish autostrada Tiranë-Durrës. Për gati tre muaj rresht autostrada Tiranë-Durrës do të funksionojë me një korsi të vetme dhe me shpejtësi të reduktuar. Si rrjedhojë do të shkaktojë ngadalësim të të gjithë aktivitetit qarkullues dhe ekonomik duke marrë parasysh që kompanitë e mëdha janë pozicionuar përgjatë autostradës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kanë informuar sot se duke nisur nga dita e mërkurë datë 8 maj 2019 ora 08:00 në mëngjes deri në datë 17.07.2019, në kuadër të projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore Bazuar në Rezultate”, financim i Qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, do të realizohen punime në rrugë: Rehabilitim i sistemit të ndriçimit në Autostradën Tiranë-Durrës, nga Km 0+000 deri në Km 14+750, Segmenti rrugor: ish Dogana-Qafë Kashar-Vorë.

Qarkullimi i mjeteve në pjesën ku do të kryhen punimet do të jetë me shpejtësi të reduktuar, lëvizja e mjeteve do të drejtohet në 1 korsi (Punimet kryhen vetëm gjatë njërit drejtim të rrugës) dhe do të realizohet në përputhje me sinjalistikën e vendosur sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar.

Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe kompanisë së mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar.

ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor përmes njoftimit kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve dhe bizneseve te zonës gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë segment rrugor, respektimin në mënyrë rigoroze të sinjalistikës provizore të vendosur, rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore në terren.
Nuk është hera e parë që autostrada Tiranë-Durrës bllokohet nga ARRSH për të njëjtin qëllim duke penguar lëvizjen normale të qytetarëve me automjete.

Kjo është ndërhyrja e pestë që bëhet në autostradën Tiranë-Durrës brenda pak muajve, pasi në verë u bë riparimi i shtresave asfaltike, në fillim të këtij viti u vendosën tombinat për të shmangur përmbytjet, mandej u vendosën vendosën ndarëset. Me këtë ndërhyrje, ARRSH në janar deklaroi se thuajse do të përmbyllte punimet në këtë autostradë në të dyja senset.
Por në muajin shkurt ARRSH njoftoi sërish për vazhdimin e punimeve për ndërtimin e (2) tombinove të reja rrethore në segmentin rrugor (autostrada) Tiranë - Qafë Kashar (kthesa Rinas) në kilometrin 6+600 dhe 6+800 (Kastrati & Alba-Elettrica), për ndërtimin e pusetave hyrëse dhe dalëse të portaleve të tombinove.

Këtë herë ndërhyrja është më e gjatë në kohë, duke paralajmëruar vështirësi të qytetarëve në qarkullim në segmentet ku do të punohet për gati tre muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë