Futboll

Pse Reali nuk duhet të nënshkruajë me Lewandowskin

Në fund të muajit shkurt, Robert Lewandowski i dha fund partneritetit 10-vjeçar me agjentin Cezary Kucharski dhe vendosi që interesat e tij t’i mbrojë dhe përfaqësojë Pini Zahavi.

Zahavi nuk bën pjesë tek agjentët e rangut të Mino Raiolas apo Jorges Mendes, por është njeriu që qëndron pas transfertës më të kushtueshme në historinë e futbollit.

Izraeliti, një veteran në botën e sportit më popullor në botë luajti rolin kyç në transferimin prej 222 milionë eurosh të Neymar nga Barcelona tek sheikët e PSG-së. E gjithë kjo ka nxitur zërat se këtë verë do të ketë një tjetër lëvizje të bujshme, ndoshta jo në shifra si ajo e brazilianit, por në reputacion po.

Robert Lewandowski është përfolur sa herë që ka një dritare merkatoje, verore dhe dimërore për një largim drejt Realit të Madridit. Deri më tani gjithçka ka qenë në kuadër të thashethemeve mediatike. Këtë herë duket ndryshe!

Polaku ka shënuar 39 gola, por paraqitjet nën nivelin e pritshmërive në Ligën e Kampionëve kanë bërë që zërat, edhe nga vetë radhët e bavarezëve të kërkojnë uljen e tij në stol.

Por, trajneri Heynckes nuk ndan këtë mendim. “Vërtet mendoni që Lewandowski është një lojtar stoli?! Ai është një lojtar me klas botëror. Ka shënuar 39 gola këtë sezon, një shifër që shumë sulmues e ëndërrojnë”, deklaron trajneri i bavarezëve për TZ.

Megjithatë, as dalja në krah e Heynckes nuk e mbrojti lojtarin nga kritikat, që u përforcuan pas ndeshjes së parë të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve me Realin, ku sulmuesi polak humbi një rast të pastër dy minuta nga fundi për të gjetur golin e barazimit 2-2, duke e bërë pak më të thjeshtë sfidën e kthimit në Bernabeu.

Lewa, që së shpejti mbush 30 vjeç u qortua edhe nga ata që vetëm pak kohë më parë e mbronin me fanatizëm, duke e quajtur sulmuesi më i mirë në botë. I tillë është rasti i Dietmar Hamann, ish-mesfushori i Bajernit. Në 2016 deklaronte se polaku nuk kishte rivalë në sulm, ndërsa pas ndeshjes së parë në Allianz Arena ndaj Realit shprehu dyshimet nëse madrilenët do ta ruajnë akoma interesimin për ta blerë atë.

Hamann shkoi më tej kur këshilloi që Bajerni duhet të heqë dorë nga Lewandowski nëse kërkon që të jetë konkurrues në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në vitet që vijnë.

“Nuk jam më i sigurtë nëse Reali e dëshiron ende pas kësaj ndeshjeje dhe ndoshta këtë duhet ta shohë edhe Bajerni. A e fitojmë dot Ligën e Kampionëve më këtë sulmues?”, deklaronte ai për RTE.

Pyetja që ngre Hamann, sipas Goal.com duhet të ngrihet edhe nga Reali i Madridit. Lewandowski vlerësohet 100 milionë euro në merkato dhe madrilenët duhet të analizojnë sezonin e fundit të sulmuesit dhe më pas të pyesin veten, a ja vlen që të shpenzohen kaq para për një sulmues që në gusht mbush 30 vjeç, e për më tëpër për të zëvendësuar një tjetër 30-vjeçar të kritikuar si Karim Benzema?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë