Keshilla

Pse notat e fëmijëve nuk përcaktojnë vërtet suksesin dhe aftësinë e tyre?

Nga Lorela Garuli-Procesi i vlerësimit është ndër hapat përfundimtarë dhe vendimtarë të mësimdhënies dhe mësim-nxënies; provimet, testimet, të pyeturit me gojë, korrigjimi i detyrave dhe format e tjera të vlerësimit të performancës dhe ecurisë së nxënësve janë në njëfarë mënyrë përmbyllje e të nxënit. Megjithatë, ekzistojnë debate të shumta për sa i përket rolit të shkollës dhe mësuesve mbi këtë çështje, por dhe mënyrës së vlerësimit. Sa janë të vlefshme realisht notat? Sa duhen marrë si referenca dhe mbi të gjitha; a janë ato matëse objektivisht të drejta të nivelit të njohurive dhe aftësive të nxënësve?
Disavantazhi kryesor i një sistemi arsimor të bazuar mbi notat, si vlera të shprehura në numra apo përqindje, është se mund të rrezikojë ta fusë nxënësin në një “kurth” në të cilin përpjekjet për të marrë nota të larta do të kthehen në qëllime në vetvete. Nëse do të merret për i mirëqenë fakti se, shkolla duhet të edukojë më shumë sesa të arsimojë, atëherë mund të mendohet se vlerësimi me anë të notave që në moshë të hershme nuk i shërben këtij qëllimi. Notat e ulëta mund të kthehen në pengesa për nxënësit duke krijuar stereotipa të gabuar për ta, duke u kthyer në “gracka” nga të cilat nxënësit nuk do të dalin dot.

Ajo që ndodh shpeshherë për hir të së vërtetës, është se dhe vetë mësuesit i pozicionojnë nxënësit mbi bazën e notave që ata marrin dhe i kategorizojnë mbështetur tek ky sistem vlerësimi. Në këtë mënyrë, duke i gjykuar dhe konsideruar nxënësit ashtu siç paraqiten që në fillim të shkollës dhe duke rënë pre e këtyre opinioneve fillestare; nota të caktuara mund të kthehen në vështirësi si për vetë konceptin e nxënësit i cili do të ngecë në gjykime negative të pavërteta për veten, por në të njëjtën kohë do të paraqesin barriera për të kaluar nga nxënës “të këqij” në nxënës “të mirë”.
Duke qenë se nota pra është një sistem vlerësimi jo absolutisht objektiv, sidomos në testet dhe provimet që përmbajnë pyetje të hapura, ajo duhet marrë me rezervë. E rëndësishme është që të vlerësohet rrugëtimi që bën nxënësi, më shumë sesa performanca në një çast të caktuar. Një nxënës që vlerësohet me nota të larta mund të jetë më sistematik, mund të vijë nga një familje që i kushton rëndësi dhe vëmendje të veçantë këtij kriteri, apo e sheh notën e lartë si të barasvlershme me zgjuarsinë dhe aftësinë. Në të kundërt, një nxënës i cili nuk e ka këtë qëllim në vetvete dhe nuk synon të jetë ambicioz në këto vlerësime, nuk do të thotë që është me pak i aftë. Përmbledhtazi, është thelbësore pra që rezultatet shkollore dhe konkretisht nota të mos penalizojë nxënësit dhe të kthehet në pengesë e të krijojë pamundësi.

*Lorela Garuli është psikologe këshillimi dhe terapiste për fëmijë e adoleshentë, e specializuar në Universitetin e Valencias në Spanjë për fëmijët me nevoja të ndryshme dhe mbështetje edukative.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë