Treg

Pse kërcënimi i Trumpit për 100% tarifa nuk e shqetësoi Europën kësaj here

Nga Gazeta ‘Si’- Një vit më parë, kur presidenti Donald Trump kërcënoi me tarifa jashtëzakonisht të larta për pothuajse të gjitha importet, tregjet globale u tronditën dhe liderët botërorë reaguan me shqetësim. Sot, kërcënime të tilla nuk kanë më të njëjtin ndikim.

Kjo vjen kryesisht pas një vendimi të Gjykatës Supreme të SHBA-së në shkurt, e cila i hoqi presidentit mjetin më të fuqishëm për vendosjen e tarifave, duke kufizuar ndjeshëm kompetencat e tij në këtë fushë. Megjithatë, Trump vazhdon të përdorë retorikën e ashpër.

Të premten(26 qershor) ai shkroi në platformën Truth Social se çdo vend europian që zbaton një taksë mbi shërbimet digjitale do të përballet “menjëherë me një tarifë 100%” për të gjitha mallrat që eksporton në Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, kjo masë do të kishte përparësi edhe ndaj marrëveshjeve ekzistuese tregtare.

Shërbimet digjitale përfshijnë një gamë të gjerë aktivitetesh, nga reklamat e Google deri te transmetimet në Spotify. Taksat mbi këto shërbime u lejojnë qeverive të mbledhin të ardhura nga kompanitë e mëdha që operojnë online, edhe në rastet kur ato nuk raportojnë fitime.

Duke qenë se shumë prej kompanive më të mëdha të teknologjisë janë amerikane, Trump ka argumentuar prej kohësh se këto taksa i godasin në mënyrë disproporcionale bizneset amerikane.

Edhe Shërbimi i Kërkimeve të Kongresit, një institucion jopartiak, ka arritur në përfundimin se kjo vlen në disa raste.

Kur Trump vendosi tarifa të ngjashme muaj më parë, ai u mbështet në Aktin për Fuqitë Ekonomike Emergjente Ndërkombëtare, një ligj i vitit 1974, duke argumentuar se ai i jepte presidentit autoritetin për të vendosur tarifa me shpejtësi.

Megjithatë, asnjë president para tij nuk e kishte interpretuar ligjin në këtë mënyrë, dhe Gjykata Supreme vendosi se përdorimi i tij për këtë qëllim tejkalonte kompetencat presidenciale.

“Nëse Kongresi i jep presidentit kompetenca për të vendosur tarifa, ai e bën këtë në mënyrë të qartë dhe me kufizime të përcaktuara,” shkroi Kryegjyqtari John Roberts në opinionin e shumicës. “Në këtë rast, nuk kishte ndodhur asnjëra.”

Edhe Jeffrey Schwab, këshilltar i lartë ligjor në Liberty Justice Center, organizata që udhëhoqi çështjen në Gjykatën Supreme, tha se presidenti nuk mund të vendosë tarifa sipas dëshirës. Sipas tij, kjo mund të bëhet vetëm pasi të ndiqen procedurat dhe të plotësohen kushtet e përcaktuara nga ligji.

Pas vendimit të shkurtit, administrata Trump kaloi te një plan alternativ, duke propozuar një tarifë uniforme prej 10%, e cila pritet të skadojë muajin e ardhshëm. Paralelisht, presidenti nisi edhe një sërë hetimesh sipas nenit 301 të ligjit amerikan për tregtinë, të cilat mund të çojnë në tarifa më të larta, por kërkojnë muaj për t’u përfunduar.

Edhe gjatë mandatit të tij të parë, Trump hapi disa hetime sipas Nenit 301 ndaj vendeve evropiane për taksat mbi shërbimet digjitale.

Megjithatë, ato nuk përfunduan me vendosjen e tarifave të reja, por u përdorën kryesisht si mjet presioni gjatë negociatave.

Ekziston mundësia që Trump t’i rikthehet këtij mekanizmi për të përshpejtuar procesin, por ekspertët vlerësojnë se vendosja e menjëhershme e tarifave 100% mbetet shumë pak e mundshme për shkak të kufizimeve ligjore./ CNN


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë