Kur pedagogu Mark Marku pranoi ftesën e Lulzim Bashës për tu bërë pjesë e komisionit “Ruli”, ai do të shprehej publikisht se kjo lëvizje nuk ishte rikthim i tij në PD, se nuk kishte asnjë ambicie për tu bërë deputet e madje nuk aspironte as ndonjë pozicion të ardhshëm pushteti në rast fitoreje.
Mark Marku nuk ishte gjithashtu pjesë e listës së 31 emrave të kandidatëve për deputet (qarku Lezhë) që PD-ja zgjodhi me bujë të madhe nga radhët e saj, jo një muaj, por plot katër muaj.
Megjithatë, ai kaloi në filtër emrat, ashtu si gjithë listën e kandidatëve për deputet të PD-së, duke vënë, në fakt, në diskutim rolin real të Komisionit “Ruli” me përfshirjen e emrit të tij në drejtimin e qarkut Lezhë për zgjedhjet e 25 Prillit.
Mark Marku ka qenë deputet i PD-së për një mandat zgjedhor 2009-2013.
Më pas, ai nuk u përfshi në listën e kandidatëve, duke e konsideruar atë eksperiencë jo fort të mirë.
Lulzim Basha nuk kishte vendosur ende për qarkun e Lezhës aty ku PD-ja, ndryshe nga zgjedhjet e 2017-ës, synon të rikuperojë.
Ai zhvendosi Edi Palokën, (që drejtoi këtë qark për PD-në në zgjedhjet e 2013-tës), në Durrës, ndërsa la jashtë Aldo Bumçin i cili zgjedhjet e fundit “prodhoi” rezultat të dobët për PD-në.
Në zgjedhjet e 2017-ës, PD-ja fitoi vetëm tre deputetë, nga pesë të tillë në zgjedhjet e 2013-ës.
Ndërkohë, Lulzim Basha u përpoq të çonte në atë qark Flamur Nokën, emrin e të cilit, kreu i PD-së e zhvendosi nga qarku i Kukësit për shkak të konflikteve, që ishin krijuar rreth emrit të tij.
Kushdo që e njeh mirë Lezhën, emri i tij do të ishte i gabuar.
Por a është i duhur delegimi i emrit të Mark Markut në qarkun Lezhë i cili 8 vjet më parë ishte deputet i PD-së për Mirditën? Kjo mbetet për tu parë.
Ajo që mund të thuhet është se zgjedhja e Mark Markut më shumë sesa një vendim i drejtë për Lezhën është i imponuar, mbi të gjitha, për shkak të mungesës së emrave.
Edi Paloka u zhvendos në Durrës, Aldo Bumçi prodhoi rezultat të dobët, Preç Zogaj nuk arriti të kalonte pragun e deputetit fitues në 2017-ën, (ishte i pesti në listë) ndërsa Flamur Noka nuk gjeti mbështetje.
Nuk pati asnjë emër të spikatur ose së paku të njohur publikisht në listën e Lezhës nga strukturat për ta çuar atë deri në nivel drejtues, ndërsa asnjë prej emrave të sekretariatit aktual nuk ka “ngjitur” për atë detyrë
Eksperienca e zgjedhjeve të 2017-ës tregoi se për PD-në zgjedhjet aty nuk janë aq të lehta, sa mandatet e kaluara zgjedhore... / N.P
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.