Politike

A do të jetë Ministri i Arsimit i PD? Marku: Pushteti në thelb nuk më josh

Vetëm pak minuta pasi Mark Marku u zyrtarizua nga PD-ja për të drejtuar qarkun e Lezhës në zgjedhjet e 25 Prillit, kryeministri Edi Rama, përmes një video ironizuese, hodhi shashkën se Marku ishte kandidati i PD-së për Ministër i Arsimit.

Në një intervistë për “News 24”, Mark Marku u pyet nëse ishte kjo arsyeja se pse ai pranoi ftesën e Lulzim Bashës.

“Çfarëdo lloj pozicioni, pushteti në thelb nuk më josh më, e kam treguar kur kam qenë deputet që s’kam bërë kompromise për shkak të pushtetit, kam treguar që jam i ç’interesuar në kuptimin praktik të pushtetit.

Njerëzit do kenë aktet e mia që do tregojnë që s’ka qenë pushteti joshja ime, do e kuptojnë me aktet e mia gjatë gjithë kohës që unë se kam këtë, nuk më thotë asgjë kjo”, u përgjigj ai.

Po pse ai pranoi ofertën në një kohë që as e aspironte deri do muaj më parë?   

“E kam menduar gjatë. E kam pasur pak të vështirë për të marrë këtë vendim. Në kushte të tjera s’do e merrja këtë vendim. Realisht po them që nuk kam pasur aspirata të kthehem në jetën politike apo parlamentare për arsyen se ndihem shumë mirë ashtu siç jam e ku jam. Duket pak si retorikë por mendoj që është një moment shumë delikat për vendin, nevojë imediate për tu bashkuar e për të fituar zgjedhjet PD, opozita e gjithë forcat opozitare që ta kalojmë këtë moment delikat, është një nevojë që lind për rrethanat që qeverisja e Ramës na ka çuar në zgrip, ka çuar vendin në limitet e fundit të asaj që mund të durojë një vend nga një qeverisje 8 vjeçare me një lider si Edi Rama që ka shfaqur shenja të rrezikshme të pushtetit devijim të jashtëzakonshëm, duke çuar vendin drejt kontrollit të gjithë pushteteve, arrogant, e tentativë për të zhdukur çdo vatër rezistence demokratike brenda një vendi gjysmë demokratik siç është Shqipëria, për këtë e kam marrë vendimin”, tha ai.

.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë