Këshilli i Ministrave pritet të zhvillojë mbledhjen e radhës, ku në fokus do të jetë miratimi i Paketës Fiskale dhe Buxhetit të Shtetit për vitin 2027.
Pas marrjes së miratimit nga qeveria, të dy dokumentet do t’i nënshtrohen procedurave parlamentare, përpara se të shqyrtohen dhe të votohen nga deputetët në Kuvend.
Sipas deklaratave të mëparshme të kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, buxheti për vitin 2027 parashikohet të arrijë në rreth 10 miliardë euro. Nëse konfirmohet kjo shifër, ai do të jetë buxheti më i madh i hartuar ndonjëherë në Shqipëri.
Paketa Fiskale 2027, që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar, parashikon rritjen e TVSH-së standarde nga 20% në 21%.
Qeveria propozon aplikimin e një norme të reduktuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për produktet bazë të shportës ushqimore.
Me paketën fiskale 2027, norma e TVSH-së për këto produkte parashikohet të ulet nga 20% në 6%.
Ndryshimet janë parashikuar në projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar”, i cili synon të lehtësojë barrën tatimore mbi konsumin bazë, duke ndërhyrë njëkohësisht në normën standarde të TVSH-së dhe në atë të aplikuar për sektorin e turizmit.
Sektori i akomodimit dhe hotelerisë me 5 yje apo agroturizmi kalojnë nga 6% TVSH në 10%.
Nga ana tjetër, bizneset do të përballen me rritjen e tatimfitimit në 17% nga 15% që është aktualisht. Rritje do të ketë edhe tatimi mbi dividendët që për momentin është 8% duke shkuar në 15% nga viti i ardhshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje