Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka paralajmëruar se do të rrëzojë kërkesën e PD për shkarkimin e Presidentit të Republikës Bajram Begaj.
Në një reagim për gazetarët, Balla tha se Begaj nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do të shkarkohet. Ai shtoi se shkeljen e Kushtetutës e vërteton vetëm Gjykata Kushtetuese.
“Nuk ka kryer asnjë shkelje dhe s’do shkarkohet. A ka ngelur ndonjë institucion që nuk ka kërkesë për shkarkim? Më thanë që kanë bërë kërkesë për shkarkimin e Pëllumb Pilinçit. Duan ta shkarkojnë dhe atë”, tha Balla.
Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla shtoi se nesër në Kuvend(16 tetor) do t’i jepet “OK” ngritjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore.
“Kur bëhet fjalë për Reformën Zgjedhore është e domosdoshme që edhe partitë parlamentare që se kanë një grup parlamentar ose partitë që se kanë dashamirësinë e një grupi parlamentar të madh që të heqin deputetë nga vetja dhe t’ua japin atyre të formojnë një grup parlamentar, të jenë të përfaqësuara në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
Propozimi ynë ka qenë i njëjtë me atë që është gjithmonë. Të jemi të barabartë edhe në numër, në të drejtën e vetos, garancia më e madhe që dy partitë e mëdha kanë, por PS dëshiron dhe insiston dhe prandaj e kemi lënë pezull vetëm këtë pikë të vendimit që ta miratojmë së bashku edhe partitë e tjera parlamentare të jenë aty”, tha Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



