Shkencë

Prova e parë e luftimeve në arena mes njerëzve dhe luanëve në Romën e lashtë

Një ekip kërkimor thotë se e gjetën duke analizuar disa mbetje të zbuluara në York, Angli, duke konfirmuar historitë dhe ilustrimet e kohës

Gazeta Si – Imazhi i gladiatorëve që luftojnë me luanët është një nga më të përhapurit në imagjinatën kolektive kur bëhet fjalë për Romën e lashtë, nga mozaikët, përrallat e kohës, e deri tek rindërtimet pak a shumë imagjinative në filmat e ditëve moderne.

Por deri më tani nuk ishte gjetur asnjë provë e drejtpërdrejtë e luftimeve në arena midis njerëzve dhe kafshëve të egra.

Tani, një ekip hulumtues pretendon se ka zbuluar gjurmët e para të drejtpërdrejta falë shenjave të lëna nga një luan në kockat e një luftëtari ose një njeriu të dënuar me vdekje për t’u shqyer nga kafsha.

Zbulimi u bë përmes analizës së mbetjeve njerëzore që datojnë rreth 1.800 vjet më parë, të gjetura në York, një qytet në Angli që dikur ishte një qendër e rëndësishme e Perandorisë Romake. Eshtrat u gjetën rreth njëzet vjet më parë pranë qendrës së qytetit gjatë përgatitjes së një kantieri.

Hulumtimi çoi në identifikimin e 80 skeleteve, shumë prej të cilëve mbanin shenja plagësh dhe vdekjesh të dhunshme.

Bazuar në këto karakteristika, arkeologët dolën në përfundimin se ato ishin mbetje gladiatorësh që performonin në shfaqje luftarake, në një arenë që supozohej se ishte ndërtuar në qytet.

York-u ishte, për më tepër, për një kohë të gjatë një kryeqytet i rëndësishëm romak, ku jetonin shumë dinjitarë dhe emisarë romakë.

Ndërsa analizonte disa mbetje, një grup kërkimor i udhëhequr nga antropologu Tim Thompson i Universitetit Maynooth (Irlandë) kishte vënë re praninë e shenjave të veçanta në kockat e legenit të një skeleti.

Më pas filloi një studim për të rindërtuar ato shenja në tre dimensione në kompjuter, duke arritur në përfundimin se mund të ishin kafshimi i një maceje të madhe, si një luan, një çitë ose një tigër.

Në pamundësi për të gjetur përshkrime të kënaqshme të kafshimeve të këtyre mishngrënësve të mëdhenj për t’u krahasuar me ato në kocka, ekipi hulumtues kërkoi bashkëpunimin e disa kopshteve zoologjike në Mbretërinë e Bashkuar për të marrë eshtrat e kafshëve të tjera të përtypura nga macet gjatë vakteve.

Pas vitesh studimesh dhe krahasimesh, grupi hulumtues ka publikuar së fundmi një studim në revistën shkencore “PLOS One”, në të cilin shpjegon se shenjat në legenin e skeletit të gjetura në York, janë në përputhje me kafshimin e luanit.

Shenjat e kafshimit në kockat e legenit të një luftëtari romak

Këto kafshë zakonisht sulmojnë duke synuar në qafën e gjahut të tyre, ku ata kanë më shumë gjasa të fitojnë një kontroll dhe të jenë të suksesshëm.

Sipas ekipit hulumtues, ka të ngjarë që njeriu të cilit i përkisnin mbetjet, ishte plagosur nga luani, i cili më pas e kishte tërhequr zvarrë diku, ndërsa e kishte kapur përmes gojës nga pjesa e legenit.

Fjala “gladiator” përdoret zakonisht për t’iu referuar çdo personi që luftoi në një arenë në Romën e lashtë, por në realitet gladiatorët luftuan vetëm mes tyre.

Ata që përballeshin me kafshë të egra quheshin “bestiarius” dhe mund të ishin ose një luftëtar-vullnetar ose një person i dënuar me vdekje duke u bërë copë-copë nga kafsha.

Në rastin e dytë, luftëtarët futeshin në arenë të zhveshur dhe pa mundësinë e mbrojtjes ndaj luanëve, tigrave, leopardëve, e në disa raste edhe arinjve dhe ujqërve.

Megjithatë, ka të ngjarë që të ketë pasur një palestër për gladiatorët në York, ku luftëtarët janë trajnuar dhe edukuar për shfaqjet.

Deri më tani, nuk janë gjetur të dhëna bindëse për të rindërtuar vendndodhjen e saj apo për të gjetur gjurmë të arenës që mendohet se është ndërtuar në qytet.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë