Analize

Protestat në Mal të Zi, a po i vjen fundi Gjukanoviçit?

Protestuesit në Mal të Zi duket se kanë vënë për herë të parë me shpatulla pas murit njeriun që ka udhëhequr për tre dekada vendin fqinj, presidentin Milo Gjukanoviç. Për vite me radhë, Mali i Zi është gjunjëzuar nga dhuna mes shtetit dhe bandave, të lidhura me trafikimin e drogave fitimprurëse dhe kontrabandën e cigareve.

Megjithatë, një protestë masive që u zhvillua të shtunën në Podgoricë, sinjalizoi se udhëheqja e tij është drejt fundit. Mijëra njerëz u mblodhën sërish për të kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë, duke filluar me presidentin dhe kryeministrin Dushko Markoviç.

Protestuesit paraqitën një dokument të quajtur "Marrëveshja për të Ardhmen" drejtuar të gjitha partive opozitare, organizatave të shoqërisë civile, shoqatave dhe sindikatave.

E parë si një hap drejt vendosjes së një qeverie tranzicioni, marrëveshja u ofron partive opozitare mundësinë për formimin e një qeverie të re kombëtare të përkohshme, e cila do të hapë rrugën për zgjedhje të reja.

Siç është nënvizuar, qeveria e re e përkohshme do të përbëhej nga tre pjesë: partitë e opozitës, disa nga partitë qeveritare dhe intelektualë të pavarur jo-partiakë.

Milo Gjukanoviç

Sipas Jovana Maroviç, anëtare e Grupit të Këshillimit për Politikë të BE-së në Ballkan (BiEPAG), krijimi i një qeverie të përkohshme varet nga një sërë faktorësh, kryesisht nga presioni brenda dhe jashtë Malit të Zi.

"Qeveria e përkohshme duhet të ndërtohet mbi përvojat e mëparshme (2016). Mandati e saj duhet të jetë më e gjatë se ajo e mëparshme. Nuk duhet të ketë kufizime në lidhje me afatin kohor, fushëveprimi i qeverisë duhet të zgjerohet", thotë ekspertja.

Sipas saj, "në fund të mandatit të qeverisë së përkohshme, të gjitha palët duhet të pajtohen që lista e zgjedhësve është e pastër dhe se abuzimi me sistemin është i papranueshëm".

Siç propozon marrëveshja, kryeministri i ri nuk do të vijë nga partitë në pushtet, por nga opozita. Opozita në Mal të Zi ka deklaruar se nuk do të hyjë në parlament dhe do të bojkotojë të gjitha zgjedhjet derisa qeveria e re të ketë krijuar kushtet e duhura për zgjedhje të lira.

Një tjetër kusht i protestuesve është rritja e pagës minimale. Sipas tyre, kjo periudhë duhet të përdoret për shqyrtimin e ligjeve dhe marrjen e masave për të siguruar pavarësinë e të gjitha institucioneve, si mediat, gjykatat, organet rregullatore.

Të gjitha partitë e opozitës mbështetën marrëveshjen përveç Frontit Demokratik, partitë pro ruse.

Cili është roli i opozitës?

Menjëherë pas rritjes së protestave, partitë e opozitës dhanë mbështetjen e tyre të plotë për demonstruesit. Kjo e vuri menjëherë natyrën e protestave në pikëpyetje. Në fillim të protestave, udhëheqësit e demonstratave nënvizuan se nuk duan asnjë flamur partiak në manifestimet e tyre por vetëm atë kombëtar.

"Opozita merr pjesë në tubime që nga fillimi, ofron një lloj mbështetjeje logjistike për qytetarët jashtë Podgoricës, por nuk ka të bëjë fare me organizimin e protestave deri tani. Protestat kanë kërkesa politike, por nuk janë politike", shpjegon Jovana Maroviç.

Pas protestës së katërt, që ishte protesta më e madhe anti-qeveritare në Podgoricë deri më tani, demonstruesit shtuan një kërkesë tjetër në listën e tyre drejtuar opozitës malazeze, duke i kërkuar të bojkotojnë të gjitha zgjedhjet dhe punën e Parlamentit derisa qeveria të japë dorëheqjen.

Bojkoti i zgjedhjeve mbështetet nga të gjitha partitë parlamentare të opozitës. Sipas SDP (Partia Social Demokrate), protestat janë të justifikuara. Përveç kësaj, ata nuk duan të jenë pjesë e ndonjë procesi zgjedhor derisa të sigurohen kushtet për zgjedhje të drejta dhe demokratike. Kërkesat mbështeten gjithashtu nga Veprimi i Reformatorëve të Bashkuar (URA). Partia Socialiste Popullore, një ish-aleate e partisë në pushtet, është zotuar po ashtu të zbatojë kërkesat e protestuesve.

Presidenti Milo Gjukanovi akuzoi opozitën për përdorimin e protestave për të arritur qëllimet e saj. Pas protestave të katërta, më masive, Gjukanoviç tha se është i gatshëm të flasë me përfaqësuesit formalë të protestuesve, por shtoi se nuk do të japë dorëheqjen.

Raundi i parë i protestave filloi pas publikimit të një videoje që tregonte biznesmenin Duško Knežević duke i dhënë një zarf ish-kryetarit të bashkisë së Podgoricës që përmbante rreth 100,000 euro për të financuar fushatën zgjedhore të DPS-së.

Videoja shkaktoi një tërmet në skenën politike të Malit të Zi. Ajo që shkaktoi protestat nuk ishte videoja, por heshtja e institucioneve. Pas zbulimit të videos, i vetmi person që u mor në pyetje ishte Stijepović.

Që kur mori pushtetin, Gjukanoviç ka përdorur çdo mjet për të ruajtur imazhin e tij si udhëheqës i suksesshëm jo vetëm në Malin e Zi, por edhe në skenën ndërkombëtare. Ai e ka ndërtuar udhëheqjen e tij në rrënjët tradicionale të partisë së tij, por ka bashkëpunuar ngushtë me partitë shqiptare. Kjo aleancë, e kombinuar me imazhin pro-evropian, e bën Gjukanoviç një udhëheqës pragmatist aq edhe populist. Kritikët thonë se qeverisë së tij i janë falur shumë gabime për shkak të angazhimit të tij ndaj NATO-s dhe integrimit europian, mes frikës perëndimore rreth ndikimit rus në rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë