Politike

Propozimi përfundimtar francez, negociatat hapen javën e ardhshme

Në Madrid janë zhvilluar bisedime intensive në ditën e fundit të afatit të vendosur nga Maqedonia e Veriut për të ndryshuar propozimin francez të miratuar në parlamentin bullgar për heqjen e vetos së negociatave.

Sipas Kryeministrit Edi Rama, propozimi ka ndryshuar. Ai fton maqedonasit dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut që ta pranojnë atë.

“Propozimi i fundit francez, i cili është edhe përfundimtari, i jep Maqedonisë së Veriut mundësinë e një pranimi pa rezervë dhe hap rrugën e nisjes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e të dy vendeve në Bashkimin Europian! Vëllezërve maqedonas & shqiptarë në MV u them: Pranojeni!”, shkruan Rama.

Ndërkohë, nga salla e Kuvendit, Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar socialist, njëherësh anëtar i Këshillit Parlamentar të Integrimit thotë se konferenca e parë ndërqeveritare do të mbahet javën e ardhshme.

“Ka një dakordësi të plotë mes 27 endeve anëtare të BE për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE. Është një moment i rëndësishëm, kjo pas komunikimeve të disa orësh të parlamenteve anëtare. Sapo është larguar edhe ambasadori i Çekisë me të cilin pata mundësinë të zhvilloj një komunikim. Dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare tashmë javën e ardhshme është fakt. Fillimi i bisedimeve është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët”, tha Balla.

Në fund, edhe një thumbim për Sali Berishën.

“Ata që javën e ardhshme duan të protestojnë nuk e kanë me ne, e kanë me shqiptarët”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë