Shendet

Prodhohen në laborator qelizat staminale që luftojnë diabetin

Studiuesit në Universitetin e San Françiskos thonë se puna kërkimore disavjeçare në shndërrimin e qelizave staminale në qeliza të shëndetshme pankreatike (beta) që prodhojnë insulinë u është shpërblyer me sukses.

“Ky është një zbulim i rëndësishëm dhe një hap i madh drejt prodhimit dhe më pas transplantimit tek personat që vuajnë nga diabeti të qelizave të këtyre qelizave të shëndetshme”, thotë Matthias Hebrok, udhëheqës i studimit.

Studiuesit amerikanë thonë se eksperimentet janë kryer me sukses në kushte laboratorike. Puna kërkimore është publikuar në revistën “Nature Cell Biology”. Deri në arritjen e transplantit të parë të këtyre qelizave do të kërkojë edhe pak kohë. Dr. Hebrok thotë se duhet akoma punë për të analizuar dhe për të qenë të bindur se organizmi i njeriut do të reagojë pozitivisht ndaj këtyre qelizave.

Megjithatë, teorikisht ai shprehet i bindur tek suksesi i kësaj metode dhe se brenda një të ardhmeje jo fort të largët kurimi i diabetit përmes qelizave staminale do të jetë realitet, duke zëvendësuar insulinën, që u injektohet aktualisht të prekurve nga kjo sëmundje. Për koston e këtij mjekimi, Matthias Hebrok nuk është në gjendje që të flasë, të paktën për momentin.

Zbulime shkencore kanë dalë në përfundimin se qelizat staminale mund të zhvillohen në laborator më tej në qeliza të mëlçisë, veshkës, qeliza nervore, të muskulit të zemrës, në qeliza prodhuese të insulinës, madje edhe në qeliza që luftojnë kancerin.

Shkencëtarët e Mjekësisë në në Universitetin Harvard Harvard zbuluan pak kohë më parë një mënyrë për të transformuar qelizat staminale në “makineri vrasëse” për kancerin në tru. Eksperimenti është kryer tek minjtë. Qelizat staminale u modifikuan gjenetikisht për të prodhuar toksina që shkatërrojnë qelizat tumoriale në tru, por pa prekuar qelizat e shëndosha.

Studimi u publikua në revistën “Stem Cells” dhe nga komuniteti i shkencëtarëve të kësaj fushe konsiderohet si e ardhmja e luftës kundër kancerit, jo vetëm të atij në kokë, por në tërësi. Khalid Shah, udhëheqës i këtij studimi dhe Drejtor i Laboratorit të Neuro-terapisë Molekulare në Spitalin e Masaçusetsit dhe në Shkollën e Mjekësisë së Harvardit, e cilësoi rezultatin e eksperimentit si shumë pozitiv.

“Pas bëmë të gjitha analizat, u siguruam që qelizat staminale të modifikuara gjenetikisht vrasin qelizat kanceroze. Toksinat që shkatërrojnë qelizat kanceroze u përdorën me sukses në disa lloje të kancerit në gjak. Megjithatë për të kuruar kancerin solid metoda nuk funksionon si duhet pasi toksinat kanë një jetëgjatësi të shkurtër. Tani kemi qelizat staminale që gjenerojnë dhe lëshojnë toksina që shkatërrojnë kancerin”, deklaronte ai në atë kohë. Megjithatë, testimi i parë i kësaj teknike tek njerëzit nuk është realizuar ende.

Qelizat staminale dhe mjekësia rigjeneruese

Përdorimi i qelizave staminale për kurim nuk është një risi. Aktualisht, me këto lloj qelizash bazohen terapitë mjekësore për mbi 80 lloje sëmundjesh të gjakut dhe aplikime të tjera që i përkasin asaj që po zgjerohet gjithnjë e më shumë e që njihet si “mjekësia rigjeneruese”.

Trupi i njeriut përbëhet prej rreth 200 lloje qelizash të maturuara, ku secila prej tyre kryen një funksion të specializuar, siç janë përshembull, qeliza të muskulit të zemrës që rrahin në mënyrë ritmike, apo rruazat e kuqe të gjakut që shpërndajnë oksigjen në çdo pjesë të trupit tonë.

Qelizat staminale ndryshojnë prej qelizave të maturuara. Ato kanë një aftësi të mahnitshme. Jo vetëm që janë të afta të shumëfishojnë vetveten, por mund të kryejnë çdo funksion të qelizave të maturuara. Qelizat staminale luajnë një rol kyç gjatë zhvillimit të trupit të foshnjes pas ngjizjes dhe kjo aftësi e tyre për të prodhuar lloje të ndryshme qelizash të specializuara i bën të papërsëritshme për efektin veprues që mund të kenë në terapitë mjekësore.

Qelizat staminale klasifikohen sipas origjinës dhe sipas llojit të qelizave të maturuara që mund të prodhojnë. Ato ndahen në qelizat staminale embrionale, qeliza staminale të të rriturve dhe qeliza staminale të kordonit kërthizor.

Qelizat staminale embrionale përdoren në laborator për kërkime shkencore, për të kuptuar zhvillimin e qelizës, por ato nuk janë të disponueshme për t’u përdorur për terapi. Këto lloj qelizash mund të jenë përgjegjëse për krijimin e pjesës dërmuese të trupit të njeriut.

Qelizat staminale të të rriturve gjenden tek trupi i të rriturve. Ato quhen ndryshe edhe “qeliza staminale të angazhuara”, apo “të programuara” pasi prej tyre mund të prodhohet vetëm një gamë e kufizuar qelizash të specializuara. Me kalimin e kohës edhe ato e humbasin vitalitetin e tyre.

Qelizat staminale të kordonit kërthizor, janë qeliza që gjenden vetëm në trupin e të porsalindurit. Janë më pak të maturuara se qelizat staminale që gjenden në palcën kockore, ose në organet e të rriturve a fëmijëve. Këto konsiderohen unike për aftësinë e tyre për të prodhuar qeliza dhe inde të ndryshme të trupit të njeriut. Pikërisht për këtë veti të tyre, këto qeliza prej kohësh janë në qendër të studimeve shkencore të ndryshme

Qelizat staminale të nxjerra prej kordonit kërthizor mblidhen në çastin kur pritet kordoni kërthizor që lidh nënën me foshnjën e porsalindur. Mbledhja është e lehtë, kryhet brenda pak minutave dhe është krejtësisht e padëmshme si për nënën dhe për të porsalindurin. Pas lindjes, ndërsa ne rritemi, grupet e qelizave staminale të gjendura fillimisht në kordonin kërthizor nisin të ndryshojnë.

Për këtë arsye, çasti i lindjes është mundësia e vetme e sigurimit të tyre. Qelizat staminale prej gjakut të kordonit kërthizor, të cilat janë përgatitur në mënyrën e duhur për depozitim mund të jetojnë, në fakt më gjatë se ç’mund të jetojmë ne vetë.

Kërkimet e deritashme sugjerojnë se qelizat e ruajtura në ngrirje të thellë kanë një kapacitet të pakufizuar. Shkencëtarët besojnë se fëmijët kanë probabilitet të lartë për përdorimin e qelizave staminale prej gjakut të kordonit të tyre. Tani ky probabilitet është të paktën 1 në 400. Gjithashtu edhe të rriturit, mund të kurohen me këto qeliza të marra nga gjaku i kordonit. Sasia e qelizave staminale të marra ka pak rëndësi për një terapi, pasi një sasi e vogël mund të mjaftojë për të rigjenerimin e një indi në trupin e njeriut.

Që prej transplantimit të parë të suksesshëm të qelizave staminale prej kordonit kërthizor në vitin 1988, janë kryer tashmë, një total prej mbi 20.000 transplante. Aktualisht, çdo vit kryhen mbi 3,000 transplante të qelizave staminale.

Megjithatë, jo të gjithë janë kaq optimistë. Kritikët thonë se metoda nuk ka qëndrueshmëri dhe siguri për pacientët, që të cilësohet si një metodë terapeutike e mirëfilltë, ndaj në mënyre strikte Italia e ndaloi këtë formë mjekimi pak vite më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë