Futboll

Prezantimi magjik, Santi Kazorla kthehet pas 11 operacionesh

Një “magji” ka kthyer spanjollin Santi Kazorla në fushë, në stadiumin “Madrigal”, ku ai u bë i njohur me fanellën e Vilarrealit, para se të kalonte tek Arsenali. Vilarreali ka kthyer pas dy vitesh mesfushorin që ka kaluar një periudhë jashtëzakonisht të vështirë, për shkak të një dëmtimi në tendinën e këmbës së djathtë. Një prezantim “show”, mjaft i veçantë për Kazorlën, i cili, pas 11 operacionesh dhe dy vitesh jashtë fushave të blerta, është gati për rikthimin. Dhe ka zgjedhur ta bëjë këtë nga skuadra, që e konsideron shtëpinë e tij, Vilarreali.

Spanjolli ishte pa kontratë, pasi mbylli gjithçka me Arsenalin, ku është aktivizuar vitet e fundit, para dëmtimit. Lojtari 33-vjeçar nuk është dorëzuar kurrë pas atij dëmtimi makth: "Jam mirë dhe dua të kthehem në formën time optimale. Jam shumë i lumtur që ndodhem në këtë stadium, ku nuk më kanë harruar dhe po e shijoj këtë moment të bukur. Kam kujtime jashtëzakonisht të bukura këtu”, - u shpreh Kazorla gjatë prezantimit në stadiumin e Vilarrealit.

https://twitter.com/twitter/statuses/1027623413299519488
Prezantimi i veçantë i Santi Kazorlës te Vilarreali

Kalvari i fantazistit spanjoll duket se ka marrë fund pas gati dy vitesh, saktësisht pas 636 ditësh. Ato 11 operacione dhe më pas një infeksion i çuditshëm, që rrezikoi edhe shkurtimin e këmbës, e kanë bërë Kazorlën të vuajë jo pak. Ai u dëmtua në ndeshjen Arsenal-Ludogorets, më 19 tetor të 2016-ës, në një ndeshje Championsi. Që atëherë nuk ka mundur të kthehet në fushë me ekipin anglez. Gjithçka u komplikua nga një infeksion në kockë, për shkak të operacioneve të shumta. Forca dhe vullneti i lojtarit e mposhtën frikën për shkëputjen një herë e mirë nga futbolli. Në miqësoren me Herkules, Kazorla veshi sërish këpucët e futbollit dhe bëri hapin e parë, i bindur se është gati për pjesën e fundit të karrierës. E ka bërë me fanellën e Vilarrealit, që e evidentoi si lojtar para se të shpallej kampion i Europës me Spanjën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë