Politike

Presidenti nuk ndalet, i kthen Kuvendit 3 ligje mbrapsht brenda një dite

Lufta mes Presidencës dhe mazhorancës nuk ka të ndalur dhe kjo po shihet edhe në refuzimin që Meta po i bën disa prej ligjeve të miratuara në Parlament nga qeveria apo dhe si nisma deputetësh. Presidenca ka njoftuar kthimin e tre ligjeve për rishikim në Parlament. Ligjet “Për rezervat materiale të shtetit”, “Për vetëqeverisjen vendore” dhe “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve” duhen rishikuar sipas Presidentit.

Një ditë më parë presidenti do të kthente ligjin për “Rezervat Shtetërore”, duke e cilësuar si rrezik të shtuar propozimin e qeverisë Rama. Menjëherë pas këtij qëndrimi do të reagonte edhe kryeministri Edi Rama me anë të një statusi në rrjetet sociale, duke cituar një shprehje të presidentit amerikan, Riçard Nikson. “Njeriu i mendimit që nuk vepron është inefektiv; njeriu i veprimit që nuk mendon është i rrezikshëm”, ishte postimi i Ramës në Facebook.
Ligji i rezervave për blerjen e floririt
Dekreti i parë për kthimin e ligjit është ai për Rezervat e Shtetit, ku ndryshimi parashikon që shitblerja e mallrave të kategorisë “A” të mos miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, por direkt me anë një të urdhri të kryeministrit, sipas propozimit të ministrit. Në këtë kategori përfshihen sipas Presidentit edhe e drejta blerjes së floririt, argjendit, platinit, mjete të tonazhit të lartë, apo dhe mallrat.
Në argumentimin e kreut të shtetit, ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, ka parashikuar edhe ato raste kur mbledhja e Këshillit të Ministrave është e domosdoshme të realizohet në mënyrë urgjente dhe në raste të jashtëzakonshme. Konkretisht në nenin 14 të ligjit, parashikohet se: “ Në raste të veçanta, Këshilli i Ministrave thirret në mbledhje të jashtëzakonshme nga Kryeministri, ose në mungesë dhe me porosi të tij, edhe nga Zëvendëskryeministri. Në rastet e thirrjes së mbledhjes të jashtëzakonshme nuk zbatohen rregullat e parashikuara në nenin 15 të këtij ligji”. Pra edhe sipas kësaj dispozite është parashikuar edhe zgjidhja e atyre situatave të jashtëzakonshme që bëjnë të pamundur zbatimin e rregullit se rendi i ditës dhe projekt-aktet që do të shqyrtohen në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dërgohet 2 (ditë) përpara datës së zhvillimit të mbledhjes. Pra është vetë ligji organik i Këshillit të Ministrave që e ka zgjidhur qartësisht se si veprohet në situata emergjence me rëndësi të jashtëzakonshme. “Referuar parashikimeve të këtij ligji rezulton se argumenti i përdorur për ndryshimin e nenit 10 pika 1 nuk qëndron dhe është ligjërisht i pajustifikuar, pasi Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të mblidhet në çdo kohë dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore që të vështirësojë procesin vendimmarrës të tij, përfshi këtu edhe vendimmarrjen për lëvrimin e mallrave pjesë e rezervës shtetërore”.

Për kreun e shtetit çdo aludim se lëvrimi i mallrave të rezervave mund të pengohet nga vonesat e vendimeve të Qeverisë nuk qëndron dhe është një argument fiktiv për të legjitimuar ndërhyrjen që po tentohet të realizohet në ligjin ekzistues. “Për më tepër, nisur nga rëndësia dhe vlera që kanë mallrat e Grupit A të rezervave të shtetit është në interes të publikut të gjerë që kontrolli ndaj çdo veprimi administrativ mbi këto mallra të jetë maksimal dhe jo një marrëdhënie midis dy autoriteteve politik Ministër – Kryeministër, ku padyshim kjo marrëdhënie varësie midis tyre (Kryeministër-Ministër) mund të ndikojë drejtpërdrejtë në objektivitetin e vendimmarrjes”, thekson presidenti. Ky ligj u miratua në seancën e 20 qershorit nga Parlamenti me 76 vota pro, 12 kundër dhe 7 abstenime.

Faksimile e dokumentit të presidentit për kthimin e ligjit "Për rezervat shtetërore"


Për Presidentin nisma e qeverisë duke i dhënë kompetenca direkte kryeministri dobësojnë mekanizmat e kontrollit mbi këtë proces, si dhe ulin nivelin vendimmarrës mbi mënyrën se si këto mallra do të administrohen dhe qarkullojnë në vijim, duke krijuar kështu një rrezik të shtuar që interesi publik të cenohet.
“Ligj “Për rezervat materiale të shtetit”, përbëjnë rrezik të shtuar për cenimin e interesit publik, që mund të vijë nga keqadministrimi dhe shpërdorimi i pushtetit vendimmarrës për lëvrimin e mallrave të rezervave të shtetit, pjesë e grupit A. Presidenti i Republikës vlerëson se nisur nga natyra dhe lloji i mallrave të Grupit A, të rezervave të shtetit, është e domosdoshme të ruhet standardi ligjor i vendosur prej 11-vjetësh, ku vendimmarrja mbi mënyrën e administrimit të mallrave të Grupit A, t`i lihet vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave”, thuhet në argumentimin e Presidencës.


Ligji i dytë, pushteti vendor
Dekreti i dytë i kreut të shtetit është ai “Për vetëqeverisjen vendore”, i cili në Parlament u miratua më 20 qershor në Parlament me 86 vota pro, 12 kundër dhe 2 abstenim. Presidenti kërkon rishikimin e neneve 3 dhe 4, pasi ka arritur ka arritur në përfundimin se propozimi i relatorit për realizimin e ndryshimeve ligjore në nenin 54-55 të ligjit cenon procesin vendimmarrës së Këshillave Bashkiake në lidhje me tjetërsimin e pronave të tyre. Sipas presidentit ligjit aktual parashikikon vendimmarrje me shumicë të cilësuar votash nga "parlamentet" vendore. "Pra siç duket qartë, sipas dispozitave të mësipërme ligjore, është parashikuar shprehimisht në ligj se Këshilli Bashkiak, për të gjitha vendimet ku do të trajtohen vendimmarrje të tjetërsimit ose dhënies në përdorim të pronave në favor të të tretëve, këto vendime duhet të merren dhe të miratohen me një shumicë të cilësuar të votave të këtij organi me jo më pak se 3/5 (tre të pestat) e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit", thekson presidenti.

Këto ndryshime janë të pajustifikuara, pasi mënyra e re që propozohet për kuorumin e nevojshëm në vendimmarrjet e Këshillave Bashkiake nuk garanton mbrojtjen e interesit publik në procedurat e tjetërsimit të aseteve publike në pronësi të pushtetit vendor. “Presidenti i Republikës, konstaton se Kuvendi po krijon një kompetencë të re për autoritetet vendore, por nuk ka parashikuar asnjë dispozitë mbi mënyrën ligjore se si këto autoritete (Këshillat Bashkiakë) do të formojnë vullnetin e tyre për të përzgjedhur subjektin me të cilin do të hyjnë në marrëdhënie për të zhvilluar pasuritë e paluajtshme në pronësi të tyre. Kjo gjendje paqartësie, krijon shteg për abuzim dhe mundësi që në praktikë kjo kompetencë e re të keqpërdoret me pasoja të pariparueshme për pronën publike dhe interesin publik. Gjithashtu, e drejta për zhvillim e pronës në pronësi të pushtetit lokal është drejtpërdrejtë një mënyrë tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme”, thuhet në argumentin e Presidentit. Pra siç duket qartë, sipas dispozitave të mësipërme ligjore, është parashikuar shprehimisht në ligj se Këshilli Bashkiak, për të gjitha vendimet ku do të trajtohen vendimmarrje të tjetërsimit ose dhënies në përdorim të pronave në favor të të tretëve, këto vendime duhet të merren dhe të miratohen me një shumicë të cilësuar të votave të këtij organi me jo më pak se 3/5 (tre të pestat) e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit.

Faksimile e ligjit për "Vetëqeverisjes Vendore"


Ligji i tretë, privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore
Dekreti i tretë për rishqyrtim është ai “Për disa shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”. Ky ndryshim argumentohet se në mjaft raste ekzistojnë sipërfaqe të ndryshme toke pronë private, të cilat janë të përfshira në planet e miratuara të zhvillimit urban nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore. Këto sipërfaqe toke private rrethojnë, prekin ose janë menjëherë në kufi me copëza/sipërfaqe relativisht të vogla toke në pronësi të qeverisjes qendrore ose të njësive të vetëqeverisjes vendore. Por kjo nismë sipas Presidentit cilësohet si në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe se bie ndesh me “Për pronat e paluajtshme të shtetit” që përcakton se përcakton si të detyrueshme që pronat e paluajtshme publike apo pronat e paluajtshme të shtetit tjetërsohen ose jepen në përdorim sipas mënyrave dhe kufijve të përcaktuar me ligje të veçanta, ligji nr. 37/2019 në nenin 1, pika 2 parashikon që kalimi i pronës shtetërore në private në funksion të planeve të përgjithshme vendore, me kushtin që pjesa shtetërore të mos jetë më e madhe se 20 për qind e pronës që do të zhvillohet, të përcaktuar me ligj, dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave. Për këtë Meta sugjeron hartimin e një ligji të ri. “Presidenti i Republikës vlerëson se nëse Kuvendi vërtet dëshiron që t’i japë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi që ka konstatuar rruga më e mirë për të garantuar siguri të plotë juridike dhe një adresim afatgjatë është që të hartojë një ligj krejtësisht të ri duke përfshirë brenda tij, edhe ato çështje që me ligjin nr. 37/2019, është menduar t’i delegohen Këshillit të Ministrave”, thuhet në argumentimin e Presidentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë