Analize

Premtimet elektorale / Nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë

Nga Mentor Kasa - Pse shqiptarët kanë nivele të larta mosbesimi dhe zhgënjimi nga klasa politike në krahasim me vende të tjera, të rajonit dhe Europës? Një analizë e Qendrës Altax, e financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë i përgjigjet kësaj pyetjeje.

Qendra ka analizuar premtimet elektorale para zgjedhjeve të 2009 dhe 2013-ës dhe masën e përfshirjes së tyre në programet qeverisëse nga forcat fituese në këto zgjedhje. Rezultati: partitë shqiptare në një masë të madhe të tjera thonë, të tjera bëjnë.

Raporti i Altax vëren se në të dyja rastet partia/koalicioni fitues është zhvendosur nga premtimet elektorale drejt rigjenerimit të ideologjisë së qeverisjes, kushtëzuar nga fakti se tashmë nga fjalët duhet kaluar te veprat përmes hartimit dhe zbatimit të një politike të caktuar, që ka kosto financiare.

“Këto dy qasje kanë kundërshti nga njëra-tjetra nga fakti, se zotimit për një politikë të caktuar gjatë fushatës nuk i bashkëngjitet asnjë kosto buxhetore, ndërsa hartimit të një programi qeverisje i bashkëlidhur në çfarëdo niveli pjesa e buxhetit dhe kuadri rregullator”, thuhet në analizën e Altax.

Altax ka nxjerrë nivelin e përmbushjes së premtimeve nga qeveria “Berisha 2” dhe Qeveria “Rama 1”, që të dyja qeveri në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Për “Berisha 2”, Altax thotë se niveli i përmbushjes së premtimeve elektorale nuk shkon më shumë se 20 për qind e tyre, duke përfshirë edhe premtimet në progres, ndërkohë që premtimet e pambajtura janë në nivelin 41 për qind.

Sektorët dhe premtimet që kanë një përmbushje më të madhe janë shëndetësia, turizmi, punësimi. Mospërmbushjen më të madhe e gjejmë në sektorët e arsimit, punësimi, turizmi, politikat buxhetore. Nga totali i 156 premtimeve të bëra gjatë fushatës së 2009 nga të dyja partitë e koalicionit qeverisës nuk përfshinë në programin qeverisës 61 prej tyre, ndërsa 64 të tjera nuk u përmbushën. 16 premtime u mbajtën dhe 16 të tjera janë ende në progres.

Në fushatën e 2013-ës, koalicioni PS-LSI bënte 199 premtime në total në fushatë. Nga këto, deri në 2017, Altax vëren se janë mbajtur 24 premtime dhe 47 të tjera janë në progres, 54 nuk janë përmbushur dhe 74 të tjera as që u përfshinë në programin qeverisës të hartuar pas fitores së zgjedhjeve.

Megjithatë, analiza gjen një përmirësim të nivelit të premtimeve të mbajtura në krahasim me qeverisjen 2009-2013 me rreth 16 për qind, duke shkuar nga 20 në 36 për qind. Gjithsesi, edhe në këtë mandat vihet re nivel i lartë i premtimeve të papërmbushura me 27 për qind të peshës totale të premtimeve elektorale.

Sektorët dhe premtimet që kanë përmbushje më të madhe gjatë qeverisjes 2013-2017 janë shëndetësia, infrastruktura dhe energjia. Mospërmbushjen më të madhe e gjejmë në sektorët e bujqësisë, pasurive nëntokësore, si dhe politikave fiskale dhe premtimeve për alokime buxhetore shtesë.

Por ku qëndron Shqipëria me nivelet “optimale” të mbajtjes së premtimeve elektorale? Qeveritë “Prodi 1” dhe “Berlusconi 2” në Itali përmbushën përkatësisht 41 dhe 58 për qind të premtimeve të tyre elektorale. Këto shifra interpretohen si optimale në krahasim me pritshmëritë. Përmbushja e premtimeve të Qeverisë Berluskoni është shumë i ngjashëm me rezultatin mesatar për partitë me një shumicë të thjeshtë parlamentare europiane, që shkon mesatarisht 59 për qind në Holandë dhe 54.5 për qind në Irlandë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë