Në raportin e fundit, të botuar më 5 tetor, shoqata Britanike e Lodrave zbuloi se 48 përqind e lodrave që janë aktualisht në shitje mund të mbysin, helmojnë apo dhe dëmtojnë fëmijët.
Studimi përzgjodhi dhe inspektoi lodra që shiteshin në Amazon, eBay, AliExpress dhe Wish.
U raportua se 88 përqind e këtyre lodrave ishin të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa 48 përqind konsideroheshin të pasigurta për një fëmijë për të luajtur.
Në përgjigje të gjetjeve të saj, Shoqata, e cila përfaqëson 150 prodhues britanikë të lodrave, ka nisur një fushatë të re duke bërë thirrje që qeveria të kthejnë vëmendjen tek shitjet e lodrave të fëmijëve në tregjet online.
Aktualisht nuk ka asnjë kërkesë ligjore për tregjet online për të kontrolluar sigurinë e produkteve që listojnë shitësit.
Iniciativa po drejtohet nga Sam McCarthy, një nënë e një vajze 2-vjeçare, Rebecca, e cila pothuajse vdiq pasi gëlltiti një lodër që kishte magnet, blerë në eBay.
“Nuk do të doja që ndonjë prind apo fëmijë tjetër të kalojë këtë që kaluam ne”, thotë ajo.
“Ne e marrim sigurinë e përdoruesve tanë jashtëzakonisht seriozisht dhe na vjen keq të dëgjojmë për përvojën e zonjës McCarthy. Ne kemi hequr produktet e identifikuara dhe kemi ndërmarrë veprimet e duhura për shitësit”, tha një zëdhënës i eBay për mediat.
Gjithashtu, një zëdhënës i AliExpress tha se janë duke hetuar artikujt e identifikuar nga raporti i Shoqatës dhe do të ndërmarrin veprimet e duhura në përputhje me rregullat e platformës.
“Siguria është e rëndësishme për Amazon dhe ne po hetojmë produktet në fjalë si një problem urgjent. Do të kërkojmë që të gjitha produktet e ofruara tek ne të jenë në përputhje me ligjet dhe rregulloret”, tha një zëdhënës i Amazon.
Një zëdhënës i Wish tha se të gjithë tregtarët që tregtojnë në platformën e tyre i nënshtrohen kontrolleve të caktuara para se të lejohen të tregtojnë.
“Ata gjithashtu kërkohen përmes Politikave tona Tregtare dhe Kushteve të Shërbimit që t’i përmbahen të gjitha ligjeve dhe rregulloreve të zbatueshme. Aty ku një produkt nuk i plotëson ato standarde, ai hiqet menjëherë dhe, kur gjykohet e përshtatshme nga Wish, tregtarit përgjegjës i hiqen privilegjet e llogarisë, përballet me pezullim, apo edhe heqje nga platforma”, tha një zëdhënës i Wish për Independent.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.