Analize

Polonia bind 13 vende të hapin negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë!

Polonia duket se është kthyer në mbështetësen më të madhe të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë periudhë të trazuar politike në vendin tonë duke bindur 13 vende anëtarë të BE për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ajo u ka kërkuar të gjitha vendeve anëtarë të argumentojnë me shkrim nëse janë pro ose kundër hapjes së negociatave, duke arritur të marrë dritën jeshile nga 13 prej tyre.

Falë kësaj nisme nga Varshava, tanimë mes shteteve të Bashkimit Europian po qarkullon një dokument joformal, në të cilin kërkohet konfirmimi me shkrim që zgjerimi në Ballkanin Perëndimor vazhdon të jetë një alternativë e besueshme.

Dokumenti i publikuar nga “Radio Europa e Lirë” kërkon me ngulm që BE-ja të përmbushë angazhimin për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. Sipas këtij drafti, për rajonin nuk ekziston “Plani B”, përpos anëtarësimit në BE.

I ashtuquajtur “non-paper draft” është një dokument joformal që qarkullon mes vendeve anëtare dhe institucioneve të BE-së dhe ka për qëllim arritjen e një vendimi të përbashkët për këtë çështje. Një dokument i ngjashëm ka qarkulluar po ashtu edhe qershorin e kaluar, ku shumica e vendeve anëtare shpreheshin kundër hapjes së bisedimeve me Shqipërinë.
Por këtë vit, mbështetja është konfirmuar nga 13 anëtarë të BE-së, kryesisht nga Europa Qendrore dhe Lindore, ku bëjnë pjesë shtetet që i përkasin grupit të “anëtarëve më të rinj” të BE-së.

Nga Varshava bëhet e ditur se po punohet për të fituar mbështetje sa më të madhe për këtë dokument para takimit të ministrave të BE-së që do të mbahet më 18 qershor. Nismëtarja e dokumentit synon që ai të miratohet në formën e një deklarate të përbashkët të ministrave të BE-së, në mënyrë që të hapen negociatat.

Andrzej Duda dhe presidenti Ilir Meta

Përmes këtij dokumenti, Polonia kërkon që të konfirmohet hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qershor të këtij viti. Ky vendim, sipas mendimit të anëtarëve të BE-së që e mbështesin nismën, do të shërbejë si një faktor i rëndësishëm motivues për të gjithë rajonin.

Në dokument thuhet se kjo do të "forcojë stabilitetin e vendeve të Ballkanit dhe kundërshtimin ndaj interesave të jashtme dhe të dëmshme të aktorëve të tjerë dhe do të sigurojë që BE-ja të vazhdojë të jetë lojtari kryesor për transformimin pozitiv të rajonit".

“I bëjmë thirrje Këshillit të BE-së që të marrë vendime të guximshme në qershor për të nxitur përparimin e vazhdueshëm të reformave në përputhje me standardet dhe vlerat e BE-së që do të forconin bashkëpunimin rajonal, pajtimin, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe do të siguronte mbështetje të rëndësishme për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit dhe kontinentit tonë ", theksohet në dokument.

Ndër të tjera thuhet se Këshilli i BE-së duhet të pranojë se politikat e zgjerimit janë mjeti më efektiv për promovimin e standardeve dhe vlerave të BE-së.
Kjo nismë vjen në një kohë kur vendet anëtare të BE-së janë të ndara sa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjermania nuk ka marrë ende një vendim për negociatat, duke rritur mundësinë që ai të shtyhet për në vjeshtë. Debati i parë do të mbahet më 18 qershor, por deri më tani nuk ka qëndrim të përbashkët të BE-së për të konfirmuar rekomandimin e Komisionit Europian.

Andrzej Duda në Tiranë

Edhe pse nisma e Polonisë mund të ketë ardhur si një surprizë për disa nga vendet anëtarë, Varshava ka mbajtur gjithnjë një qëndrim pozitiv ndaj zgjerimit të unionit. Në vizitën e tij të fundit në Tiranë, presidenti polak Andrzej Duda u tha gazetarëve se "Europa ka nevojë për Europën Juglindore, ndërsa Europa Juglindore ka nevojë për Ballkanin”. Ai i bëri BE-së thirrje nga kryeqyteti shqiptar të mbajë derën e hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke folur në një konferencën e shtypit të mbajtur gjatë samitit të vendeve të Europës Juglindore në Tiranë më 8 dhe 9 maj, Andrzej Duda tha se ishte i bindur se vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëheshin pjesë e BE nëse atyre u jepet mbështetja e duhur

Ai gjithashtu theksoi se zgjerimi i BE duhet të konsiderohet po aq i rëndësishëm sa Brexit në agjendën e ardhshme të KE-së dhe institucioneve të tjera të BE. "Këto probleme janë të një rëndësie të njëjtë," tha ai.

Duda theksoi qëllimi i BE-së duhet ta jetë zgjerimi dhe forcimi i unionit si dhe kthimi i BE-së në një lider global. "Arritja e këtij qëllimi do të jetë e mundur vetëm nëse BE-ja zgjerohet", deklaroi kreu i shtetit polak.

Qendrimi i Polonisë për anëtarësimin e Shkupit dhe Tiranës duket se gjen mbështetje të gjerë në të gjithë Europën Juglindore.

Disa ditë më parë, Ministrat e jashtëm të vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Bratislavë për të diskutuar mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe perspektivën europiane të vendeve të rajonit tonë. Në fokus të këtij takimi ishte mbështetja e fuqishme politike e vendeve të Vishegradit në këtë moment të rëndësishëm për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe liberalizimin e vizave me Kosovën dhe avancimin e proceseve integruese në përgjithësi.

Në fjalën e tij, Ministri në Detyrë Gent Cakaj theksoi se Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe meriton hapjen e negociatave dhe shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e dhënë nga vendet e Grupit të Vishegradit, të cilat duket se janë në këto moment aleatët më të mëdha të Shkupit dhe Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë